1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Diskutim për shtimin e trupave gjermane në Afganistan

Para konferencës për Afganistanin 28.01 në Londër qeveria gjermane do të përcaktojë politikën e re në Afganistan. Eshtë fjala për 500 ushtarë shtësë dhe për një program për "riintegrimin" e talibanëve

default

Emblema e një ushtari gjerman të ISAF-it në Afganistan

Kancelarja gjermane Angela Merkel diskuton në mbrëmjen e 25.1.2010 me ministrat e saj për strategjinë e ardhshme të Gjermanisë në Afganistan. Në takimin në zyrën e kancelares marrin pjesë ministri i Jashtëm Westerwelle, Ministri i Mbrojtjes Guttenberg, Ministri i Brendshëm de Maizière dhe ministri i Zhvillimit Niebel.

Kush ka pyetur ditët e fundit tre politikanë për mendimin e tyre për strategjinë në Afganistan, ai ka marrë së paku katër përgjigje. Nga kjo kuptohet se qeveria gjermane vetë nuk ka përpiluar akoma një koncept të qartë. Por e qartë është se ndihma për zhvillimin e Afganistanit do të dyfishohet. Përveç kësaj qeveria gjermane do të paguajë para në një "Fond për riintegrimin" e talibanëve. Nuk është fjala për talibanët radikalë, por për përkrahësit, tha ministri i Jashtëm Guido Westerwelle (FDP).

Deutschland Bundestag Haushalt Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle

"Unë flas për ata, që rekrutohen psh në rajonet rurale, shpesh për arsye se nuk kanë përspektivë ekonomike. Ne duam të përpiqemi për këtë fillim të ri në politikën lidhur me Afganistanin. Dhe prandaj do të vendosim një fond në Londër - kështu është diskutuar dhe kështu edhe do të jetë -, i cili do të mbështesë rintegrimin e përkrahësve të tillë."

500 ushtarë të tjerë

Vështirësinë më të madhe qeveria gjermane e ka me çështjen, nëse do të dërgojë ushtarë të tjerë gjermanë në Hindukush dhe nqs po, sa.

Bundeswehrsoldaten in Dorf in Afghanistan

Ushtarë gjermanë në një fshat në Afganistan

Ndërkohë në Ministrinë e Mbrojtjes, të drejtuar nga CSU, është fjala për 500 ushtarë të tjerë. Ministri i Jashtëm Westerwelle ishte deri tani skeptik ndaj shtimit dhe theksonte vazhdimisht se konferenca e Londrës nuk është "konferencë për vënien në dispozicion të trupave".

"Unë kurrë nuk kam thënë se nuk do të ketë kurrfarë shtimi të trupave. Unë vetëm kam thënë gjithnjë se fillimisht fjala është për ndërtimin civil. Në rradhë të parë bëhet fjalë për ristrukturimin brenda kontigjentit ekzistues të Bundesverit. Kjo do të thotë, se sa mund të angazhohen për përgatitjen, trajnimin e ushtarëve dhe të policëve në Afganistan."

Më shumë instruktorë të Bundesverit për policinë afgane

Nuk bëhet fjalë për shtimin e trupave luftuese gjermane, por që më tepër ushtarë të Bundesverit të përgatisin forca afgane të sigurisë. 4300 ushtarë gjermanë janë të stacionuar momentalisht në Afganistan, një pjesë e vogël e tyre kryen trajnimin e ushtarëve afganë në të ashtuquajturat OMLTS (Operational Mentor and Liaison Teams) në veri të vendit. Përveç kësaj 45 policë ushtarakë gjermanë kryejnë përgatitjen e policisë në Afganistan. Që të dërgojnë më shumë policë ushtarakë për trajnimin e policisë njohësit e Bundesverit si i ngarkuari për mbrojtjn Reinhold Robbe e konsiderojnë pak të mundshëm.

"Edhe sikur me të vertetë të donim, ne nuk kemi kaq shumë policë ushtarakë, për të mbyllur këtë boshllëk këtu."

Attacken der Taliban in Afghanistan Flash-Galerie

Policia afgane arrin në vendin e një sulmi në Afganistan

Qeveria gjermane synon të dërgojë si instruktorë në Afganistan më shumë se 90 policë nga ç'ka dërguar vitin e kaluar, tani bëhet fjalë për deri në 260. Në asnjë fushë puna e bashkësisë ndërkombëtare nuk ka mbetur aq prapa sa në përgatitjen e policisë. Në këtë bilanc të pamjaftueshëm ka pjesën e saj edhe Gjermania. Në Gjermani policia është çështje e landeve federale, disa prej të cilave nuk marrin pjesë fare në mision dhe të tjera u hapin vështirësi atyre policëve, që duan të shkojnë në Afganistan. Kryetari i PSD, Sigmar Gabriel, thotë se përgjegjësinë këtu duhet ta marrin përsipër partitë e koalicionit qeveritar.

"Fundja: Ne mund të flasim shumë për instruktorët e policisë. Por eshtë detyrë e landeve të drejtuara nga partitë CDU/CSU, që të angazhohen për këtë në këshillin federal dhe të vënë në dispozicion policët përmes ministrave të tyre të Brendshëm!"

Kancelarja gjermane, përpiqet të fitojë aprovimin e PSD.

Nqs kontigjenti i Bundeswehr-it do të shtohet, atëherë duhet ta japë aprovimin Bundestag-u dhe atje socialdemokratët, si partia më e madhe opozitare do të thonë fjalën e tyre. Por akoma pozicionet janë të ndryshme: PSD është për tërheqjen e Bundeswehr-it nga Afganistani deri në vitin 2015, ndërsa qeveria gjermane nuk do të përcaktojë një datë konkrete.

Autor: Nina Werkhäuser

Redakoti: Angjelina Verbica

  • Data 25.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LgNh
  • Data 25.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LgNh