1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Diskreditim i legjitimitetit ndërkombëtar

Një rezolutë për Sirinë ka dështuar në KS të OKB-së. Tani pritet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të dënojë veprimet e regjimit të Assad-it. Çfarë ndikimi do të kishte një sinjal i tillë?

Këshilli i Sigurimit është organi më i fuqishëm i Kombeve të Bashkuara. Rezolutat e miratuara këtu janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Në to Këshilli i Sigurimit dënon shtetet, ose palët e përfshira në konflikt, veprimet e të cilave përbëjnë një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare, apo shkelje të së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht të drejtave të njeriut. Në rezoluta përcaktohet mënyra e ndëshkimit të palëve ndërluftuese, për shembull me një embargo të OKB-së, apo sanksione të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit mund të vendosë edhe për një ndërhyrje ushtarake për t'i dhënë fund konfliktit. Kështu është vepruar në rastin e Kosovës në vitin 1999. Shembuj të tjerë janë rezoluta e vitit 2001 për ndërhyrje në Afganistan dhe në mars të vitit 2011 vendimi i  Kombeve të Bashkuara për autorizimin e shteteve anëtare për ngritjen e një zonë ndalim-fluturimi mbi Libi.

Interesa strategjike të fuqive me të drejtë vetoje

Pamje nga qyteti Homs

Pamje nga qyteti Homs

Por sa i përket gjakderdhjes së vazhdueshme në Siri, KS i OKB-së deri tani nuk ka miratuar asnjë rezolutë. Miratimi i një rezolute përkatëse është penguar në dy raste nga të dy fuqitë me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia. Projektrezolutat e dorëzuara për votim bënin përgjegjës për gjakderdhjen para së gjithash udhëheqjen siriane. Kina dhe Rusia për arsye strategjike i qëndruan besnik regjimit të Assad-it.

Këshilli i Sigurimit përbëhet nga dhjetë anëtarë të përkohshëm dhe pesë anëtarë të përhershëm. Tek këta të fundit, pra pesë fuqitë me të drejtë vetoje, përveç Rusisë dhe Kinës bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania e Madhe. Çdo projektrezolutë mund të hidhet poshtë nga një veto e një anëtari të  përhershëm.

Dënimi i Sirisë konsiderohet më se i sigurt

Në foto, Navi Pillay

Në foto, Navi Pillay

Tani Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë këtë javë për një projektrezolutë, përmes së cilës do të dënohen veprimet e regjimit të Assad-it kundër opozitës. Të hënën, komisarja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, tha para Asamblesë se veprimet e forcave të sigurimit sirian "siç duket", do të klasifikohen si "krime kundër njerëzimit".

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk ekziston e drejta e vetos, por vlen parimi "një vend, një votë". Rezolutat miratohen me dy të tretat e votave. Në këtë mnyrë dënimi i regjimit sirian konsiderohet të jetë më se i sigurt.

Por edhe pse Asambleja e Përgjithshme "Parlamenti i bashkësisë ndërkombëtare" mund të shpallë zyrtarisht dënime, ato janë thjesht apele dhe jo të detyrueshme ligjërisht. Prandaj kritikët nuk presin shumë nga një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme për Sirinë dhe flasin për një "thjesht politikë simbolike".

Diskreditimi i legjitimitetit ndërkombëtar të fuqive me të drejtë vetoje

Pamje nga protestat antiqeveritare

Pamje nga protestat antiqeveritare

Megjithatë dënimi i regjimit të Assadit nuk do të mbetet pa pasoja, thotë Winrich Kühne, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins në Bolonjë: "Një dënim do të rrisë presionin ndaj rusëve dhe kinezëve. Ata do të izolohen nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe kjo nuk do t'iu pëlqejë atyre." Një dënim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është  një "votë e bashkësisë ndërkombëtare", që do të rriste presionin moral mbi këto dy vende, thotë Kühne.

Edhe Heiko Wimmen nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin është i bindur se një izolim ndërkombëtar nuk mund të jetë në interes të fuqive me të drejtë vetoje. "Rusët nuk mund ta ndjejnë veten mirë, nëse paraqiten si gogol para komunitetit ndërkombëtar."

Ndërsa Winrich Kühne shton: "Vendet, që në Këshillin e Sigurimit votojnë kundër rezolutave për Sirinë, do të jenë në vështirësi të mëdha, sepse legjitimiteti i tyre ndërkombëtar do të vuante nga një votim i tillë."

Autor: Lewis Gropp / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

Audio dhe video për temën