1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Disidentët e spitaleve psikiatrike kërkojnë drejtësi

20-vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një grup disidentësh letonezë që u dërguan në institucione psikiatrie, presin që diagnoza për ta të shpallet e pavlefshme dhe drejtësia të vihet në vend.

Në vitin 1989, kur Perdja e Hekurt filloi të binte, u realizua një nga dokumentarët e parë për horroret e regjimit Sovjetik. Dokumentari 'Disidenti' tregonte historinë e një avokati 53-vejçar, i cili ishte mbyllur për vite të tëra në spitale psikiatrike. Një trajtim i tillë nuk ishte vetëm një rast i izoluar. Që nga fundi i viteve 60' deri në mes të viteve 80' shumë letonezë u diagnostifikuan me sëmundje mendore dhe u mbyllën në spitale për shkak të pikëpamjeve të tyre anti-sovjetike. Sot, diagnozat e tyre nuk janë hedhur ende poshtë.

Lettland psychoneurologisches Krankenhaus in Riga

Spitali psikiatrik në Riga

Personazhi i dokumentarit ishte Peteris Lazda, sot 77 vjeç. Ai është ende skizofren, të paktën kështu thuhet në dokumenta. Kjo ishte "diagnoza" pas arrestimit që i bëri KGB në vitin 1978. Lazda kishte shkruar se Letonia kërkonte të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik dhe i bënte thirrje Moskës ta linte të lirë vendin e tij. Lazda thotë se gjykata u tregua e pamëshirshme ndaj tij. "Trupi gjykues vendosi të më dërgonte në spital për rehabilitim mendor. Ata shpresonin se unë do të vdisja atje ose dikush do të më vrsite", thotë ai. Lazda ishte i pari që u çua në një spital psikiatrik në Riga. Ai u mbajt në burgun e spitalit dhe më pas u dërgua në klinika psikiatrike në Leningrad dhe Volgograd të Rusisë.

Pa shpëtim

"Në Leningrad kam kaluar një kohë shumë të vështirë. Atje takova një estonez që ishte mbyllur si unë. Ai kishte kaluar 17 vite atje dhe më tha se nuk do të largohesha kurrë nga ai vend. Ju mund të imagjinoni se si u ndjeva në ato momente", thotë  Lazda. Ai u detyrua të merrte shumë medikamente anti-depresivë si Haloperidol apo Aminazin. Këto medikamente shpesh i shkaktonin gjëndje alivanie, por kjo ishe vetëm një anë e medaljes. "Stafi i spitaleve përbëhej nga kriminelë që kishin kryer vrasje apo vjedhje. Madje ata kanë vrarë disa pacientë. Kur ndodhte një gjë e tillë vinte menjëherë prokurori, merrte dëshmi, largohej dhe çështja mbyllej shpejt. Viktimat varroseshin rreth spitaleve", thotë  Lazda.

Kthimi në shtëpi

Lettland Die Plakette am Denkmal des früheren KGB Hauptquartiers in Riga

Memorial në ish-ndërtesën e KGB-së në Riga

Lazda arriti t'u mbijetojë torturave dhe u lirua në vitin 1982, pas katër viteve vuajtje. Ai ishte në gjendje të kthehej tek gruaja dhe vajza e tij, por nuk mund të gjente një punë për shkak se zyrtarisht ishte i sëmurë mendor. Lazda është një nga 50 viktimat letoneze që vuajtën këtë lloj dënimi në kohën e komunizmit.  Andrejs Judins, deputet në parlamentin e Letonisë kërkon që drejtësia të vihet në vend.

Judins thotë se janë shumë dokumente që provojnë se shumë vetë janë diagnostifikuar si të sëmurë mendorë vetëm se nuk kanë dashur të shërbejnë në ushtrinë e ish-Bashkimit Sovjetik ose ishin kundër tij. Sipas tij këta individë duhet të rehabilitohen dhe diagnozat të shpallen jo të vërteta. 

Të shëndetshëm?

Judins shtoi se njerëzve si Lazda duhet t'u hiqet diagnoza duke u bazuar në dokumente historike. Por Biruta Kupca, profesore psikiatrie në Sptalin Neurologjik të Rigës nuk është dakort me një gjë të tillë. “Rishikimi i dokumenteve mund të thotë nëse dikush është përndjekur apo jo, por ato nuk mund të përjashtojnë faktin e sëmundjes mendore. Vetëm një psikiatër i çertifikuar ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë dhe askush tjetër”, thotë Kupca. Ajo shkon më tej duke dyshuar në vërtetësinë e këtyre rasteve.

E kaluara e errët

Lettland KGB Hauptquartier in Riga

Ish-ndërtesa e KGB-së në Riga

Por historianët thonë se disidentët politikë janë mbyllur në spitalin psikiatrik të Rigës. Ritvars Jansons nga Muzeu i Pushtimit të Letonisë tha në një radio ndërkombëtare se është e rëndësishme që të zbardhen dëshmitë e viktimave.

"Nëse nuk vërtetojmë se ka patur raste të tilla në Letoni, atëherë ne nuk do të jemi në gjendie të kuptojmë të kaluarën tonë”, thotë ai. Politikanët janë zotuar për të zbardhur këtë padrejtësi historike, por në të vërtetë nuk është bërë asgjë. Lazda thotë se është shumë fyese që politikanëve u dashur kaq shumë kohë për tu kujtuar për njerëz si ai.

Autor: Gederts Gelzis/Amarildo Topi

Redaktoi: Auron Dodi