1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Disfatë apo tërheqje taktike? Milicët Al Shabab tërhiqen nga kryeqyteti somalez

Për shumë njerëz në Somali situata këtë vit është posaçërisht kritike. OKB ka filluar shpërndarjen e ndihmave, por ato nuk arrijnë në të gjitha pjesët e vendit.Në disa pjesë sundojnë milicët Al-Schabaab.

Ushtarë të milicëve Al-Shabab para Mogadishut

Ushtarë të milicëve Al-Shabab para Mogadishut

Një disfatë? Apo një tërheqje taktike për të mbledhur forcat para sulmeve të reja shkatërruese? Se çfarë do të thotë kjo nuk mund të vlerësohet ende, por fakt është: organizata radikale-islamiste Al-Schabaab është tërhequr nga pozicionet e saj në Mogadishu. Kamionë me shumë luftëtarë janë larguar nga kryeqyteti somalez.

Zëdhënësi i organizatës Al-Schabaab, sheiku Ali Mohamud Rage dha një deklaratë në një radio e cila është në duar të islamistëve:

"Në orët e ardhshme trupat tona do të largohen nga pozicionet e tyre. Ne u bëjmë thirrje vëllezërve tanë myslimanë në qytet që të mbrojnë shtëpitë e tyre. Ne do të rigodasim së shpejti. Dhe do të vazhdojmë të mbajmë pozicionet tona në pjesët e tjera të Somalisë."

Jugu i vendit edhe më tej ndodhet në duart e milicëve Al-Schabaab. Islamistët kanë rrethuar rajonin dhe nuk duan të lejojnë atje futjen e ndihmave humanitare për popullsinë civile të organizatave ndërkombëtare.

Vetëm nga Mogadishu trupat qeveritare me ndihmën e ushtarëve të Bashkimit Afrikan arritën të dëbojnë milicët. Udhëheqja somaleze flet për një "fitore të artë". Për herë të parë në 20 vitet e fundit popullata e përjeton pushtetin e qeverisë në çdo cep të kryeqytetit. Kryeministri Abdiveli Mohamed Ali thotë:

"Të gjitha lagjet janë të lira, Al-Schabaabi nuk e ka më kontrollin këtu. Ne falënderojmë Perëndinë dhe ne gjithashtu falenderojmë trupat tona që arritën ta bëjnë këtë. Por fitorja nuk është e plotë, deri sa ne nuk e kemi mposhtur Al Shabaabin në të gjithë vendin."

Por nga kjo qeveria është shumë larg. Trupat e saj edhe me ndihmën e rreth 9000 ushtarëve të Bashkimit Afrikan janë shumë të dobëta për të dëbuar Al-Schabaabin edhe nga jugu i Somalisë.

Milicët tani po riorganizohen jashtë Mogadishut - për këtë është i vetëdijshëm edhe presidenti Sheik Sharif Ahmed:

"Ne duhet të përgatitemi për kërcënime të reja. Tani mund të ketë sulme kamikaze. Në shumë lagje nga të cilat është tërhequr Al-Schabaab mund të ketë mina tokësore. Askush nuk duhet të shkojë atje, sepse kjo përbën rrezik për jetën. Ne së pari duhet të dërgojmë atje ekspertët tanë për të pasturar lagjet prej minave."

Bashkimi Afrikan druhet se tërheqja mund të jetë vetëm një kurth i ngritur nga islamistët. Një zëdhënës i trupave në Mogadishu tha se ushtarët duhet të jenë tepër vigjilentë. Al-Schabaab do të hakmerret. Pyetja e vetme është: ku dhe kur?

Autor: Antje Diekhans/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 07.08.2011
  • Fjalët kyç somali
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12CSi
  • Data 07.08.2011
  • Fjalët kyç somali
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12CSi