1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Disekuilibri mund të bëjë që eurozona të shpërthejë

Eurozona tregon një bilanc shërbimesh gati të ekuilibruar kundrejt pjesës tjetër të botës. Mirëpo, brenda bashkimit monetar ka një disekuilibër të madh, i cili mund të fitonte fuqi shpërthyese.

Kur është fjala për disekuilibër, atëherë mendja të shkon shpesh te simbioza mbresëlëndëse midis SHBA-së dhe Kinës. Aziatikët u shesin amerikanëve mallra konsumi pa fund dhe nga ana tjetër me paratë e fituara blejnë obligacione amerikane, për të financuar huat e SHBA-së.

Në njëfarë pikëpamjeje gjermanët janë kinezët ndër evropianët. Në 2011-n Gjermania realizoi një suficit të bilancit të shërbimeve prej 136 miliardë euro (do të thotë ka eksportuar më shumë sesa ka importuar). Gati gjysmën e kësaj vlere e zë eurozona, para së gjithash shtetet PIIGS [Portugalia, Italia, Irlanda, Greqia dhe Spanja] dhe Franca.

Fajtor për krizën?

Prof. Rolf J. Langhammer

Prof. Rolf J. Langhammer

Në një disekuilibër të tillë e shohin disa ekspertë arsyen për krizën e huave që po përhapet. Rolf Langhammer, zëvendëspresident i Institutit për Ekonominë Botërore (IfW) në Kiel, nuk është i këtij mendimi: "Disekuilibri, është një refleks i aftësive shumë të ndryshme konkurruese të ekonomive reale. Ne kemi përjetuar sesi vendet e Mesdheut u mbiçmuan realisht në eurozonë."

Kjo do të thotë se atje janë rritur fuqishëm pagat (një pasojë e boom-it ekonomik, i cili nga ana tjetër u favorizua prej normave të ulëta të interesit.

Jürgen Matthes

Jürgen Matthes

"Para bashkimit monetar normat e interesit ishin shumë të larta, sepse druhej që monedhat e këtyre vendeve mund të zhvlerësoheshin. Dhe kur Italia, Portugalia, Greqia apo Spanja zhvlerësonin monedhën, atëherë kjo do të thoshte që investuesit realizonin humbje të konsiderueshme për depozitat e tyre në para. Rreziku i humbjeve pasqyrohej te normat e interesit." …thotë Jürgen Matthes i Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln (IW).

Me aderimin në bashkimin monetar ky rrezik u zhduk. Normat e interesit për vendet në periferinë e eurozonës ranë shpejt.

"Fatkeqësisht ky shpërblim për martesën në shumë vende është konsumuar dhe nuk është përdorur në formë investimi ose investimet nuk kanë dalë me leverdi." …mendon ekonomisti Langhammer. Janë formuar flluska, si për shembull flluska e pasurive të patundshme në Spanjë.

E nënçmuar apo e mbiçmuar?

Prof. Joachim Starbatty

Prof. Joachim Starbatty

Në të njëjtën kohë me Agjendën 2010 Gjermania e përmbysi sistemin e saj social dhe tregun e punës. Sindikatat treguan përmbajtje me kërkesat për rritje pagash. E gjitha kjo ka bërë që, ...

"…, brendapërbrenda eurozonës të kemi vende, monedha e të cilave është e nënçmuar, si në Gjermani, dhe vende, monedha e të cilave është dukshëm e mbiçmuar, si në Greqi ose Spanjë."

…thotë Joachim Starbatty, profesor ekonomie në pension nga Tübingen-i. Me avantazhet e kursit të këmbimit të monedhës dhe ato të pagave ekonomia gjermane lëviz me shpejtësi (diferenca kundrejt pjesës tjetër të eurozonës sa vjen e rritet).

Me fjalë të tjera: Euroja si monedhë e përbashkët jo vetëm që nuk është në gjendje të largojë divergjencat në bashkimin monetar, por përkundrazi:

"Paritetet fikse të monedhës në hapësirën e euros me siguri kanë kontribuar që brendapërbrenda eurozonës të ketë disekuilibër më të theksuar." …thotë eksperti i Institut të Ekonomisë Gjermane Matthes.

Autor: Zhang Danhong / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica