1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Disa çmime Nobel për Paqen kanë ngjallur diskutime

Një çmim Nobel në fizikë, apo kimi shkakton rrallë diskutime. Krejt ndryshe është me çmimet Nobel për Paqen. Dhënia e tyre ka të bëjë gjithnjë me politikën dhe ata ndezin shpesh debate të nxehta.

Medalja e Çmimit me portretin e Alfred Nobelit

Medalja e Çmimit me portretin e Alfred Nobelit

Kur udhëheqësi i Organizatës për çlirimin e Palestinës, Jassir Arafat, në vitin 1994 mori çmimin Nobel për Paqe së bashku me Jitzhak Rabinin, kritika nuk erdhën vetëm nga hebrejtë. Burri me shallin palestinez dhe me këllefin e pistoletës u nderua për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme. Vite më vonë, kur dështuan bisedimet për një shtet të pavarur palestinez në Camp David, presidenti i atëhershëm Bill Clinton ia vuri fajin vetëm Arafatit. Udhëheqësi i palestinezëve mbeti gjatë gjithë jetës së tij i diskutueshëm. Sipas FMN-së nën udhëheqjen e tij, si shef i autoriteteve autonome palestineze, u zhdukën nga korrupsioni miliona nga fondet e ndihmave dhe biles u shpërdoruan për mbështetjen e aktiviteteve terroriste. Arafati vetë u distancua krejtësisht nga terrori, së paku në vitet e fundit të jetës. Si në këtë intervistë të gushtit 1997.

Jaser Arafat me anëtarin e komitetit revolucionar libian Mustafa Kharoubi në Tripoli, 9 prill 1992

Jaser Arafat me anëtarin e komitetit revolucionar libian Mustafa Kharoubi në Tripoli, 9 prill 1992

"Ne jemi kundër terrorizmit dhe mbështesim bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për të mbrojtur procesin e paqes në Lindjen e Afërt."

Lufta dhe paqja

Henry Kissinger nuk ka qenë si person kaq i diskutueshëm sa Arafati. Por dhënia e çmimit Nobel Kissingerit nuk ka qenë më pak kontroverse se sa rasti i udhëheqësit të palestinezëve. Këshilltari për sigurinë i presidentit Nikson u nderua në vitin 1973 për përfundimin e luftës në Vietnam. Më parë kjo luftë kishte eksaluar edhe një herë nën administratën e Niksonit. Me Kissingerin së bashku u nderua vietnamezoveriori Le Duc Tho. Ai e refuzoi çmimin, me arsyetimin se në vendin e tij nuk ka akoma paqe. Dhe me të vertetë lufta përfundoi vetëm në maj 1975, me pushtimin e Saigonit nga vietnamezoveriorët.

Si diplomat dhe politikan për çështjet e sigurisë Kissinger edhe në vitet e mëvonshme gëzoi autoritet, megjithëse lojaliteti i tij ndaj Niksonit dhe përfshirja në skandalin Watergate i mbeti një njollë e përhershme. Kissinger shprehet në lidhje me Niksonin: "Niksoni kuptonte më shumë nga politika e jashtme se asnjë president amerikan i kohë së pasluftës."

Dy kryenegociatorët Henri Kisinger (SHBA) dhe Le Duc Tho (Vietnami i Veriut) pas përfundimit me sukses të negociatave në janar 1973 në Paris

Dy kryenegociatorët Henri Kisinger (SHBA) dhe Le Duc Tho (Vietnami i Veriut) pas përfundimit me sukses të negociatave në janar 1973 në Paris

Dështim në karrierë pas marrjes së çmimit

Vangari Maathai në vitin 2004 qe e para grua afrikane, që u nderua me çmimin Nobel. Aktivistja për mbrojtjen e ambjentit kishte luftuar kundër shpyllëzimit të pyjve pranë kryeqytetit kenian Nairobi dhe kundër korrupsionit.

"Po të bëhej fjalë me të vërtetë për dhënien fund të korrupsionit, sepse ai i bën dëm vendit tonë dhe imazhit tonë, përse nuk e bëjmë atëherë? Ne nuk na duhen për këtë para, as ndonjë përgatitje speciale, vetëm përpjekje në nivel kombëtar", tha ajo.

Kërkesa të tilla në skenën ndërkombëtare i siguruan kenianes simpati të mëdha në mbarë botën. Kritikë të madhe pati nga ana tjetër për thëniet e saj, se virusi i sidës është përgatitur në laboratoret perëndimore për zhdukjen e racës së zezë. Në vendlindjen e saj Kenia Wangari megjithë çmimin e lartë, që mori, mbeti çuditërisht e papëlqyer. Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në dhjetor 2007 ajo dështoi në zonën e saj elektorale, karriera e saj politike u shua.

Edhe dhënia e çmimit Nobel Barack Obamës, pak muaj pas ardhjes në detyrën e Presidentit të SHBA, shkaktoi në vitin 2009 habi në mbarë botën, edhe tek ai vetë.

Presidenti dhe laureati i çmimit Nobel për paqen, Barack Obama me kryetarin e komitetit të çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland, në Oslo, 10 dhjetor 2009

Presidenti dhe laureati i çmimit Nobel për paqen, Barack Obama me kryetarin e komitetit të çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland, në Oslo, 10 dhjetor 2009

"Jam i befasuar nga vendimi i komitetit të çmimit Nobel dhe dua të nënvizoj me modesti, se unë çmimin nuk e konsideroj si vlerësim të rezultateve të mia, por si vlerësim të forcës udhëheqëse të Amerikës në realizimin e ambicieve, që ekzistojnë në të gjitha kombet", tha Obama.

Vëzhguesit mendojnë se çmimi i është dhënë Obamës duke mbajtur parasysh sukseset, që ai do të arrinte në të ardhmen në çarmatimin dhe kapërcimin e konfliktit në Lindjen e Afërt dhe diku tjetër në botë.

Çmimi dhe barra e tij

Presidenti Obama mund ta ketë marrë çmimin si nxitje. Laureatë të tjerë, si bashkëatdhetarja e tij Jody Williams, që u nderuan 1997 për angazhimin e tyre në favor të ndalimit të minave, e ndjenë nderimin më shumë si ngarkesë. Edhe laureati i vitit 2008, diplomati finlandez Martti Ahtisaari, e di se për çka flet, kur thotë në në intervistë për DW: "Tendenca është, që nuk ka problem në këtë botë, për të cilin laureatit të çmimit Nobel, të mos i kërkohet ta përdorë emrin e tij në çdo fushatë."

Autor: Daniel Scheschkewitz/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani