1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251010 D Geschichte Auswärtiges Amt

26 Tetor 2010

Ministria e Jashtme gjermane ka qenë përzier me Holokaustin më shumë nga sa dihej deri tani. Në një raport të përpiluar nga një komision historianësh mësohet se diplomatët kanë marrë pjesë në vrasjen e hebrenjve.

https://p.dw.com/p/PnoW
Një dokument udhëtimi i drejtuesit të sektorit për hebrenjtë në Ministrinë e Jashtme, Franz Rademacher, ku ai ka shkruar me dorë shënimin: "Likuidim i hebrejve në Beograd dhe bisedë me emisarin hungarez në Budapest.
Një dokument udhëtimi i drejtuesit të sektorit për hebrenjtë në Ministrinë e Jashtme, Franz Rademacher, ku ai ka shkruar me dorë shënimin: "Likuidim i hebrejve në Beograd dhe bisedë me emisarin hungarez në Budapest.Fotografi: picture alliance/dpa

Kryetari i Komisionit, Eckart Conze e quan ministrinë e jashtme "organizatë kriminale", që ka ndjekur politikën e dhunshme të nacionalsocialistëve gjatë gjithë kohës. Përveç kësaj ministria ka bërë përpjekje të mëdha për ta mbuluar këtë pas viteve 1945. Studimi i bërë nga historianët do t`i dorëzohet ditën e enjte (28.10.2010) Ministrisë së Jashtme gjermane.

Historiani nga Marburgu, Eckart Conze është i qartë në gjykimin që jep për të kaluarën e Ministrisë së Jashtme gjermane. Ministria, që gjatë kohës së nazizmit ndodhej në Rrugën Wilhelmstrasse të Berlinit, nuk ka qenë çerdhe e rezistencës, siç ka pretenduar vetë. Përkundrazi. Shumica e diplomatëve e patën parë si shpëtim ardhjen e Hitlerit në pushtet në vitin 1933, thotë Conze. Më vonë, Ministria e Jashtme ka marrë pjesë si institucion në krimin nacionalsocialist. Diplomatët kanë qenë autorë të krimit dhe bashkëpunëtorë. Vetëm pak prej tyre i janë larguar presionit, ose i kanë bërë rezistencë. "Ministria e Jashtme gjermane ka marrë pjesë në politikën e dhunës të nacionalsocialistëve që në vitin 1933. Ajo ka qenë aktive në përndjekjen dhe më pas në vrasjen e hebrenjve dhe ka qenë, në këtë kuptim një organizatë kriminale, ndryshe nuk mund ta quash."

Ministria e Jashtme gjermane
Ministria e Jashtme gjermaneFotografi: picture alliance/dpa

Pak diplomatë u dënuan

Bashkëpunëtor ka qenë për shembull diplomati i karrierës, dhe më vonë ish sekretar shteti, Ernst von Weizsäcker, i ati i ish-presidentit Richard von Weizsäcker. I dërguar nga Ministria e Jashtme në Zvicër, ai ka punuar që shkrimtarit gjerman Thomas Mann t`i hiqet nënshtetësia për shkak të kritikave të hidhura kundër regjimit nazist. Von Weizsäcker ishte njëri nga pak diplomatët e karrierës, i cili pas luftës u dënua për shkak të bashkëpunimit me politikën naziste. Ai u dënua me shtatë vjet heqje lirie.

Por pas periudhës së luftës, Ministria e Jashtme gjermane, arriti ta mbulojë pjesëmarrjen e saj në krim. Madje më shumë se kaq, ajo ndihmoi që të lajmëroheshin kriminelët e kërkuar të luftës dhe të mbroheshin nga përndjekja. "Kemi të bëjmë me fshehjen e historisë dhe me fallsifikimin e saj. Kemi të bëjmë me fshehjen e informacioneve dhe me punë sistematike për krjimin e një legjende në histori."

Fundamenti ka qenë nacionalsocialist

Conze dhe kolegët e tij kanë punuar katër vjet me radhë së bashku me historianin amerikan Peter Hayes dhe atë izralit, Moshe Zimmermann për të studiuar të kaluarën e Ministrisë së Jashtme gjermane. Rezultatet e studimit ata i kanë përmbledhur në një libër me rreth 900 faqe. Për historianin Zimmerman, i cili jep mësim në Jeruzalem, përzierja e Ministrisë së Jashtme me nacionalsocializmin ka qenë simptomatike për të gjithë shoqërinë. "Shoqëria gjermane ka qenë nga 1933 deri më 1945 një organizatë kriminale, ose një shoqëri kriminele, dhe një organizatë e përfshirë mes organizatave të tjera kriminale ka qenë edhe Ministria e Jashtme. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Transportit ajror. Problemi është se fundamenti ka qenë i korruptuar, edhe këtë e tregon studimi ynë. Fundamenti ka qenë nacionalsocialist, fundamenti ka qenë racist."

Moshe Zimmermann, historian në Universitetin e Jeruzalemit
Moshe Zimmermann, historian në Universitetin e JeruzalemitFotografi: AP

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, përshëndeti raportin e Komisionit të historianëve. Ai tha se raporti është një dokument i rëndësishëm, i cili do të jetë në të ardhmen edhe pjesë e specializimit të diplomatëve. "Disa nga përfundimet e nxjerra janë shokuese, ato tregojnë sa thellë kanë qenë të involvuar një pjesë e diplomatëve të karrierës në regjimin e padrejtë, në krimin e Rajhut të Tretë. Nga ana tjetër ka patur edhe disa emra që nuk njiheshin, të cilët kanë luftuar me guxim të pabesueshëm për të mbrojtur njerëzit, bashkëqytetarët hebrejë. Ky pra është një diskutim i cili do të zgjasë gjatë."

Ministri i Jashtëm, Westerwelle e mori të trashëguar "raportin" e historianëve. Ka qenë ministri i Jashtëm i të gjelbërve, Joschka Fischer i cili ngarkoi në vitin 2005 Komisionin e historianëve me këtë punë, pas një diskutimi të brendshëm që u zhvillua mbi kujtimin e diplomatëve që nuk jetojnë më.

Autor: Bettina Marx / Aida Cama

Redaktoi: Vilma- Filaj Ballvora