1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Diplomacia evropiane në Beograd - Hapa për zhbllokimin e dialogut me Kosovën

Zyrtarë të BE-së po vizitojnë Beogradin, me qëllim zhbllokimin e dialogut me Kosovën. Pas trazirave në Veriun e Kosovës, Beogradi thotë se nuk do të rifillojë dialogun sa kohë që dëgjohen të shtëna në Veriun e Kosovës.

Kërkohet rifillimi i dialogut

Kërkohet rifillimi i dialogut

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian zbritën të premten në Beograd me qëllim të japin ofertën e tyre për të rigjallëruar bisedimet e ngrira mes Beogradit dhe Prishtinës. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, vizitat e nivelit të lartë nga BE, po bëhen pak ditë para se Komisioni Evropian të shpallë rekomandimet e tij për dhënien e statusit të vendeve kandidate për në BE, status ky që aspirohet edhe nga Serbia.

Dialogu i filluar me nxitjen e Bashkimit Evropian, u ndërpre javën e shkuar, pas një vale të re proteste të popullsisë serbe në Veriun e Kosovës, e cila i ka mbetur besnike Beogradit, shkruan AFP. Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper u takua të premten me ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç. Duket se bisedimet nuk kanë sjellë rezultat. Në kushtet aktuale nuk ka shanse për fillimin e bisedimeve, shkruan AFP.

Ndërmjetësuesi Robert Cooper

Ndërmjetësuesi Robert Cooper

Beogradi duket i palëkundur

"Qëllimi nuk është thjesht të flasim me njëri-tjetrin, por të zbatojmë atë për të cilën kemi rënë dakord" citojnë agjencitë e lajmeve, ministrin Serb Bogdanoviç. "Dhe kur ju përballeni me barrikada, me pakënaqësinë e njerëzve, asgjë nuk mund të zbatohet", ka thënë ai.

Që nga marsi kanë filluar bisedimet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të negociuara nga BE. Por aktualisht Beogradi po këmbëngul në qëndrimin e tij megjithë ndërmjetësimin e BE-së. "Nuk ka shanse, dhe unë ia thashë Cooperit këtë, që të bisedojmë për telekomunikacionin apo elektricitetin ndërkohë që ekzistojnë barrikadat në veri,... ndërkohë që dëgjohen të shtënat, dhe ka përpjekje për ta mbyllur hermetikisht hyrjen në Serbi", ka theksuar Bogdanoviç.

Kosovo - Erzengelkloster bei Prizren

KFOR- në veri

Edhe ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean Leonetti ia bëri të qartë Beogradit të enjten se duhet të rinisë dialogun me Prishtinën. Ndërkohë në Beograd ka mbërritur edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefçoviç. Nëse Beogradi do të kthejë kjo mbetet të pritet. Serbia aktualisht shpreson që të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Autor: afp/Arapi

Redaktoi: E. Xhani