1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Diplomacia e BE: Bisedime, kërcënime dhe ndihma

BE-ja do të shtojë ndihmat për Ukrainën dhe do të negociojë me Rusinë në të gjitha nivelet diplomatike. Shkallëzimi duhet të shmanget. Ndërsa Rusia kërcënon me faturat e gazit.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, SHBA dhe Ukrainës duan që me negociata të drejtëpërdrejta në Gjenevë me 17.04.2014 ta evitojnë shkallëzimin e krizës, thonë burimet diplomatike në Bruksel. Përfaqësuesja e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton nuk ka dashur ta konfirmojë zyrtarisht këtë datë. Zëdhënësja e saj Maja Kocijançiç tha se këtu nuk bëhet fjalë për një takim zyrtar të katër palëve: BE, SHBA, Ukrainës dhe Rusisë.

Duket se Rusia ka hequr dorë nga kërkesa që në tavolinën e bisedimeve të jenë edhe përfaqësuesit e rusëve në lindje të Ukrainës. BE-ja është angazhuar gjatë për një grup të kontaktit për Ukrainën, për të evituar shkallëzimin e konfliktit me Rusinë. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ai amerikan John Kerry kanë biseduar edhe me telefon.

"Pa pritje tepër të mëdha"

Victoria Nuland

Victoria Nuland

Sekretarja për Evropën në Minsitrinë e Jashtme amerikane, Victoria Nuland, paralajmëroi për pritjet tepër të mëdha nga ky takim. Me rëndësi është që rruga e diplomacisë të mbahet e hapur, por ky do të jetë vetëm një nga takimet e shumta. Nuland tha se Rusia ka 40.000 ushtarë në kufi me Ukrainën.

Ajo edhe një herë theksoi se NATO do të mbrojë vendet anëtare fqinje të Rusisë: "Ne nuk duhet të lëshojmë pe, kur bëhet fjalë për sigurinë e aleatëve." Mesazhi për presidentin Vlladimir Putin dhe Rusinë është shumë i qartë: "NATO nuk guxon të preket." BE dhe SHBA kanë frikë se Rusia mund të ndërhyjë në lindje të Ukrainës.

John Kerry dhe Sergej Lavrov

John Kerry dhe Sergej Lavrov

Sekretari i përgjitshëm Anders Fogh Rasmussen tha se forcat ruse në kufi janë të gatshme për ndërhyrje në Ukrainë. "Nëse Rusia mendon seriozisht të fillojë ndonjë dialog, atëherë hapi i parë duhet të jetë tërheqja e trupave". Sipas tij, një zgjidhje ushtarake me luftë nuk mund të ketë dhe duhet të negociohet.

Të mërkurën (09.04.2014) ai bëri të ditur se NATO është duke përfunduar përgatitjet për mbrojtjen e vendeve anëtare të NATO-s si Polonia, dhe vendet balltike. "Për momentin jemi duke forcuar aftësitë tona mbrojtëse. Kjo nënkuton përpunimin e planeve mbrojtëse, më shumë stërvitje të përbashkëta dhe zhvendosjen e trupave", tha Rasmussen.

Përgjigja e Moskës erdhi shumë shpejt. Minsitria e Jashtme ruse kritikoi NATO-n se po shfrytëzon krizën në Ukrainë për të bërë Aleancën edhe më "atraktive". "Sulmet e përhershme kundër nesh prej Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s kanë për qëllim justifikimin e ekzistencës së kësaj aleance, forcimin e unitetit brenda saj".

Ministrat e jashtëm të BE këshillohen

Ish-kryeminsitri i Belgjikës Guy Verhofstadt, u ka bërë thirrje BE-së, SHBA, Ukrainës dhe Rusisë për zgjidhjen e krizës me mjete paqësore. "Në lindje të Ukrainës po shohim zhvillime të ngjashme me ato në Krime para disa javësh. Ndaj BE duhet urgjentisht të forcojë misionin e vëzhguesve të OSBE në lindje të vendit", tha Verhofstadt. Nëse Rusia fillon aksione ushtarake në lindje të Ukrainës,BE-ja do të vendosë sanksione ekonomike. Kështu kanë vendosur ministrat e jashtëm të BE, në takimin e fundit në Athinë.

Putin kërcënon me gazin

Presidenti i Rusisë Valdimir Putin u ka dërguar një letër presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE dhe ka kërcënuar se do të zvogëlojë dërgimin e gazit në Ukrainë, nëse ky vend nuk i paguan borxhet. Ukraina heziton t'i paguajë faturat me çmime të reja.

BE dhe FMN po përgatiten me shpejtësi për dërgimin e ndihmave financiare në Ukrainë. Presidenti i Komisionit të BE José Manuel Barroso tha të mërkurën se është krijuar edhe një grup i veçantë që drejtohet nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Füle. Autoiortetet e BE duhet të ndihmojnë ministritë ukrainase, për tejkalimin e krizës. Qëllimi është që Ukraina të ndihmohet jo vetëm financiarisht por edhe teknikisht, sepse është me rëndësi që të kryhen reformat ekonomike dhe politike në këtë vend dhe të ndërtohen një shtet modern.

BE i ka premtuar Ukrainës ndihma në vlerë prej 11 miliardë euro për vitin e ardhshëm. FMN po negocion me Kievin për kredi në vlerë prej 14 - 18 miliardë euro, por qeveria ukrainase duhet t'i plotësojë disa kushte të caktura, në radhë të parë të luftojë korrupsionin e përhapur. Suedia, Britania e Madhe dhe Polonia kanë propozuar edhe dërgimin e një misioni policor në Ukrainë. Ata duhet të ndihmojnë policinë ukrainase në ndërtimin dhe forcimin e strukturave të shtetit juridik.

Kryeministri i Ukrainës Arsenij Janzenjuk, ka marrë mbështetje morale edhe nga Herman Van Rompuy. Jazenjuk do të mbajë në Ahen me 29 maj një fjalim, ku Herman Van Rompuy do të ndajë çmimin ndërkombëtar të Karlit të Madh për merita evropiane.