1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Diplomaci në kohë të vështira - Marrëdhëniet aktuale SHBA-Turqi

Deri javën e shkuar relatat politike mes Uashingtonit dhe Ankarasë ishin më të mirat prej kohësh. Por tashmë kanë filluar tensionet mes dy partnerëve më të rëndësishëm të SHBA-s në Lindjen e Mesme, Turqisë dhe Izraelit

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan

Deri javën e shkuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë ndoshta kanë qenë më të mirat prej një kohë të gjatë. I këtij mendimi është Joshua Walker nga instituti "German Marshall Fund" në Uashington. Politologu studion marrëdhëniet politike mes dy vendeve prej vitesh. Walker beson se që kur Obama ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë lidhjet mes dy vendeve janë forcuar, më shumë se ato të Turqisë me BE-në. Në shumë çështje dy shtetet vërtet kanë qëndrime të ndryshme, por në përgjithësi ato kanë një linjë të përbashkët në parimet dhe vlerat themelore demokratike.

Virusi në marrëdhëniet Turqi-SHBA do t'i tregojë efektet muajt e ardhshëm

Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork

Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork

Në "Pranverën Arabe" duhet thënë se Turqia luajti rolin e partnerit më të rëndësishëm për botën perëndimore. Por tashmë kursi i konfrontimit me Izraelin po i vë në provë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ajo që momentalisht po ndodh mes Izraelit dhe Turqisë, nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, por politilogu Walker është i sigurtë: Në muajt e ardhshëm ajo do të tregojë pasojat e veta. Kryesisht pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku palestinezët do të kërkojnë njohjen e një shteti palestinez.

Që bashkëpunimi mes Ankarasë dhe Uashingtonit është në transformim e sipër, këtë e beson edhe Charles Kupchan, anëtar i "Këshillit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare", një institucion amerikan i rëndësishëm në fushën e politikës ndërkombëtare. Lidhja e ngushtë mes SHBA-së dhe Turqisë është bërë e fortë në vite. Në Luftën e Ftohtë, Turqia ishte një anëtar i fuqishëm i NATO-s, edhe në marrëdhëniet me Izraelin ajo është konsideruar një partner i besueshëm.

Me Turqinë fërkime, pa Turqinë nuk bëhet

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan

Momentalisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rrezikuara, thotë Kupchan. SHBA duhet të kenë kujdes me imazhin e tyre në të gjithë Lindjen e Mesme. Por e vetmja gjë që i mbetet diplomacisë është përpjekja që të ringjallin dialogun mes Turqisë dhe Izraelit. Një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme amerikane u takua në Uashington me ambasadorin turk.

"Turqia është një partner i rëndësishëm i SHBA-së. Me bazat amerikane në Turqi, ky vend jep një sinjal të rëndësishëm të influencës së tij. Nga ana tjetër Turqia ka një rëndësi vendimtare për zhvillimet në Irak, por edhe ato në Siri apo Izrael. Krahas kësaj modeli politik turk është shembull për shtetet e rajonit."


Turqia duhet të mos harrojë perëndimin

Symbolbild Türkei - Israel - arabische Welt

Foto simbolike: Turqia - Izraeli - Bota Arabe

Por me Erdoganin në pushtet, Turqia është afruar më shumë me botën islame dhe ka bërë një largim nga roli i saj si nyjë lidhëse mes Perëndimit dhe botës arabe. Është e drejta e Turqisë të kërkojë më shumë influencë në rajon, thotë Charles Kupchan. Por në të njëjtën kohë ky vend duhet të mos harrojë marrëdhëniet e rëndësishme me SHBA-në dhe BE-në.

Konkluzioni i vëzhguesve politikë në Uashington: Marrëdhëniet me Turqinë do të reformohen, edhe në kuadër të ndryshimeve në botën arabe dhe të marrëdhënies së Turqisë me Izraelin.

Autor: Julia Hummelsiep/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi