″Diplomaci futbolli″ mes Turqisë dhe Armenisë - Fillim i një epoke të re? | Evropa | DW | 06.09.2008
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Diplomaci futbolli" mes Turqisë dhe Armenisë - Fillim i një epoke të re?

Presidenti turk Gyl po qëndron sot (6.9.) për një vizitë historike në Armeni. Me homologun e tij armen Sarkisjan është planifikuar në Erivan një vizitë e përbashkët e ndeshjes së futbollit Turqi-Armeni.

Presidenti turk Gyl duke vizituar një monument kulture në Armeni

Presidenti turk Gyl duke vizituar një monument kulture në Armeni

Ndeshja kualifikuese për kampionation botëror të futbollit 2010 mes vendeve fqinje të armiqësuara, Turqisë dhe Armenisë, po festohet që tani si fillimi i një epoke të re. Me ftesë të homologut të tij armen Sarkisjan presidenti turk Gyl po qëndron sot (6.9.) në Erivan ku do të ndjekë edhe ndeshjen e futbollit. Turqia dhe Armenia nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe kufiri mes dy vendeve është i mbyllur. Tani pas dekadash të tëra heshtjeje pritet të nisë një dialog mes vendeve, falë futbollit!


Shumë korrespondentë nga Turqia kanë mbërritur prej kohe në Erivan dhe informojnë bashkëkombasit e tyre nga vendi fqinjë plotësisht i panjohur. Një ekip televiziv nga Stambolli interviston një tifoz armen i cili mban flamurin armen dhe atë turk. Garo Anadoljan quhet ai; familja e Anadoljanit e ka origjinën në Anadoll por ai jeton në SHBA dhe ka ardhur apostafat për të ndjekur ndeshjen.

Armeni Garo flet edhe turqisht: "Babai më thoshte gjithnjë: Garo shpresoj që armenët të luajnë një ditë futboll me turqit. Babai ka pesë vjet që ka vdekur. Tani ëndrra e tij po bëhet realitet. Për këtë arsye jam këtu."


Për breza me rradhë mes turqve dhe armenëve është kultivuar urrejtja që e ka burimin në luftën e vitit 1915. Atëherë turqit dëbuan armenët nga Anadolli. Ishte një gjenocid, thonë armenët. Gati 1,5 milionë armenë u vranë atëherë. Por Turqia e hedh poshtë me vendosmëri këtë akuzë. Ka patur konflikt të armatosur por jo gjenocid, thonë turqit.


Megjithatë turq e armenë prej 90 vjetësh jetojnë në armiqësi dhe tani futbolli ofron një shans për fillimin e dialogut. Në kioskën e gazetave mund të lexosh tituj të tillë si: "Diplomacia e futbollit shkrin murin e akullt mes Turqisë dhe Armenisë". Komentatori popullor i gazetave, Hasan Xhemal, do të ndjekë ndeshjen në stadiumin e Erivanit dhe u hap zemrën lexuesve:


"Dua të përjetoj se si diplomacia e futbollit do të rrëzojë muret e lartë që turqit dhe armenët kanë ngritur mes tyre. Unë dëshëroj dhe shpresoj që kjo lojë mes dy ekipeve kombëtare të jetë një pikë kthese në marrëdhëniet tona dhe të rihapet kufiri."


Natyrisht ka edhe zëra të tjerë. Kjo vizitë është tradhëti ndaj popullit turk, akuzon opozita nacionaliste, por shumica e turqve e mbështesin kursin e papritur të pajtimit, ashtu si ekonomia. Sipërmarrësi Kaan Sojak thotë:


"Atje pret një potencial i madh biznesi për Turqinë, para së gjithash për pjesën lindore të vendit. Që tani mendohet për ndërtimin e hoteleve të reja buzë liqenit Van. Kështu mund të vinin më shumë turistë."


Në historinë 80 vjeçare të Republikës Turke është kjo hera e parë që një president turk viziton Armeninë. Edhe pse presidenti turk Abdullah Gyl do të qëndrojë vetëm pesë ose gjashtë orë në Erivan, gazetat e vlerësojnë vizitën në stadium që tani historike dhe parashikojnë:"Pavarësisht se cili ekip fiton, të dy vendet, Turqia dhe Armenia do të festojnë pas lojës paqen dhe pajtimin."


Në këtë lojë futbolli turqit dhe armenët kanë mbështetur shumë shpresa. Shpresa për paqe, fqinjësi të mirë dhe miqësi. Edhe Garo Anadoljan, tifozi armen, që ka ardhur posaçërisht nga SHBA:

"Unë do t'u tregoj fëmijve të mij: shikoni se çfarë ndodhi në 2008-n. Shpresojmë që një ditë edhe ju të luani me fëmijë turq."

  • Data 06.09.2008
  • Autor Thomas Bormann / Stamboll
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FCRL
  • Data 06.09.2008
  • Autor Thomas Bormann / Stamboll
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FCRL