Dimensioni rajonal në shërbimin e transporteve dhe infrastrukturës | Ballkani | DW | 26.02.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dimensioni rajonal në shërbimin e transporteve dhe infrastrukturës

Traktati për një Komunitet Transporti me Ballkanin Perëndimor është një akord që vendet e rajonit synojnë të ndërtojnë në bazë të sanksionimeve, parimeve e dhe direktivave europiane.

Kooperimi mes vendeve ballkanike në sektorin e transportit është një sinkronizim mes objektivave që ka secili prej tyre në nivel kombëtar, por dhe si pjesë e strategjive të Bashkimit Europian për zhvillimin e Ballkanit Përendimor, duke kërkuar në mënyrë konstante një koordinim më të gjerë dhe më thelbësor në dimensionin rajonal të projekteve dhe programeve që aplikohen. Edmond Haxhinasto ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës, thotë se ky bashkëpunim me fqinjët është prioritet, sepse rrjetet e transportit brenda vendit janë pjesë dhe vazhdimësi e sistemeve të tyre. Shtetet tona kanë përpara një sërë sfidash që duhen përballuar së bashku, thotë ai për DW. “Këtu përfshihen modernizimi i sistemeve të transportit për secilin vend, përmirësimi i standardeve të infrastrukturës të rrugëve e hekurrudhave, cilësia e shërbimeve që ofrohen, heqja e atyre që konsiderohen si barriera jofizike në shërbimin e transportit, kryesisht në pikat e kalimit kufitar, që favorizojnë liberalizimin sa më të madh të tyre etj”.

Projekte kombëtare por me impakt rajonal

Edmond Haxhinasto Albanien Vize Premierminister Außenminister

Mnistri Edmond Haxhinasto

Për ministrin Haxhinasto bashkëpunimi është në disa nivele, ku një rëndësi të madhe merr planifikimi strategjik. “Territoret tona janë relativisht të vogla dhe çdo projektim i veprave të mëdha infrastrukturore krijon impakte rajonale dhe më gjerë. Përshembull po të marrim rastin e Portit të Shëngjinit në Lezhë: nga zgjerimi dhe modernizimi i tij përfitimet i kalojnë kufijtë e Shqipërisë, pasi do të përfitojë edhe Kosova e Maqedonia dhe pse jo dhe Serbia. Pra, një projekt kombëtar shndërrohet në projekt rajonal. Domosdoshmërisht secili vend informon të tjerët për projektet e veta kombëtare. Rruga që duhet të ndjekim është ajo e liberalizmit sa më të madh të shërbimeve, apo duke ju referuar aplikimit të modeleve të sukseshme që janë aktualisht në treg. I tillë është rasti në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ku praktikohet modeli i shërbimit ‘one stop shop', një gjë të cilën do ta kemi dhe në pjesën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këto modele nuk ndikojnë vetëm tek sektori i transportit, por në përgjithësi tek qytetarët dhe sipërmarrjet në fusha të ndryshme”.

Dr. Banush Xhabrahimi, ekspert i ekonomisë, shprehet se Shqipëria ka humbur shumë kohë me ndërtimin dhe modernizimin e infrastruktures rrugore, që ka pasur ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të rajoneve të ndryshme të vendit. Sipas tij, mungesa e infrastrukturës ka shkaktuar hezitim ose refuzim dhe për sipërmarrësit dhe investitorët e huaj. Nëse në transportin rrugor zhvillimi gjithësesi ka qenë i ngadalshëm, sa i takon transportit hekurudhuror ka një stopim shumëvjeçar absurd të projekteve, thotë dr. Xhabrahimi për DW.

Banush Xhabrahimi Albanien Wirtschaftsexperte

Banush Xhabrahimi -ekspert ekonomie

“Si mund të lihet në një gjendje kaq të mjeruar. Fonde të shumta akordohen për një sistem të degraduar, pa menduar dhe planifikuar strategji të qëndrueshme, Transporti hekurudhor njihet si shumë ndikues në ekonomi, por dhe si transport alternativ ai do të ishte ndihmë e madhe për qytetarët dhe për të zbutur trafikun problematik në përgjithësi. Për fat të keq vendi ynë është shumë prapa krahasur me vende të tjera të rajonit që e kanë konservuar dhe modernizuar transportin hekurudhor, duke e bërë pjesë të nyjeve ndërkombëtare. Duhet një reflektim i shpejtë i autoriteteve për të kthyer sytë dhe vëmendjen nga hekurudha, për ta lidhur atë me nyjet ndërkombëtare duke nisur nga lidhja me vendet fiqnje. Ky është një investim i prekshëm për qytetarët por dhe për biznesin në tërësi”.

Atmosferë më kooperative dhe të liberalizuar në ofrimin e shërbimeve

Gjatë një takimi rajonal që u mbajt në Tiranë para pak ditësh pjesë e diskutimeve ishte dhe i ashtuquajturi traktati për një Komunitet Transporti me Ballkanin Perëndimor, një akord që do të ndërtohet në bazë të sanksionimeve, parimeve dhe direktivave europiane të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Për ministrin Edmond Haxhinasto pritmëria është që me vullnet politik nga të gjithë palët, ky traktat ti shërbejë një atmosfere më kooperative dhe të liberalizuar në ofrimin e shërbimeve në rajon.

Flash-Galerie Albanien Flüchtling Deutsches Rotes Kreuz 1990

“Një vullnet politik nga qeveritë e të gjitha vendeve tona do të shoqërohet me impakte pozitive. Na duhet të përballemi dhe me sfida të ndryshme që janë dhe jashtë komunikimit mes shteteve të rajonit, por dhe me ato që janë anëtare të BE-se, siç mund të përmendim rastin e heqjes së taksës fikse të transportit me Italinë, që rëndon kostot. Me homologun italian që është sërish pjesë e kabinetit të ri të kryeministrit Renzi shumë shpejt do të diskutojmë mbi një paketë konkrete lehtësimi që lidhet me këtë taksë.”

Dy nga projektet kombëtare të Shqipërisë që kanë dhe impakt rajonal janë përfundimi i Rrugës së Arbërit që lidh Tiranën me Shkupin, si dhe Porti i Shëngjinit. Sipas burimeve nga ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për pjesen e papërfunduar të Rrugës së Arbërit ka interesim dhe po negociohet me investitorë kinezë për mundësinë e dhënies me koncesion, ndërkohë që për Portin e Shëngjinit, në fazën e paraqitjes së projektit ka interes nga grupe të ndryshme investitorësh.