1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dimër kanadez" në koalicionin e Berlinit

Bernd Gräßler/Angelina Verbica17 Shkurt 2014

"Llafe", dorëheqja e një ministri dhe dëshira për hakmarrje. Afera Edathy e rëndon klimën e koalicionit. SPD duhet të ketë kujdes, sidomos kryetari i grupit parlamentar Oppermann.

https://p.dw.com/p/1BANB
Fotografi: picture-alliance/dpa

Politikanët e koalicionit të gjerë në takimin e tyre të radhës këtë të martë kanë mjaft probleme të tjera për të diskutuar. Por afera e ish-deputetit socialdemokrat Sebastian Edathy, i cili kishte kërkuar fotografi me djem të zhveshur nga Kanadaja e largët, do t'u marrë atyre me siguri shumë nga koha e çmuar.

Kryetari i CSU (Unionit Kristiansocial) Horst Seehofer do ta hapë përsëri këtë temë. Për shkak se partia e tij ndihet e mashtruar nga SPD (Partia Socialdemokrate). Me "llafe", thotë Seehofer, SPD ka shkaktuar qëllimisht dorëheqjen e ministrit Hans-Peter Friedrich (CSU), për ta larguar vëmendjen nga vetvetja.

Fjala është kryesisht për kreun e grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag, Thomas Oppermann, i cili ka bërë publike, që ish-ministri i Brendshëm Friedrich (CSU) në tetor të vitit të kaluar ka qenë në dijeni të hetimeve kundër Edathy-t dhe këtë ia ka rrëfyer kryetarit të socialdemokratëve Gabriel. Që mund të jetë shkelje e sekretit profesional. Gjithsesi Friedrich të premten e kaluar tregoi aq burrëri, sa të tërhiqej pa u ankuar.

Hans-Peter Friedrich gibt seinen Rücktritt bekannt
Hans-Peter FriedrichFotografi: Reuters/Tobias Schwarz

"Kjo nuk është e mundur"

Të gjithë zemërimin e CSU pas dorëheqjes së Friedrich për shkak të aferës Edathy e shprehu politikani i saj për çështjet e brendshme Hans-Peter Uhl në fjalinë: "Nuk ka mundësi, që një deputet i SPD blen pornografi me fëmijë dhe e vetmja konsekuendë është, që të japë dorëheqjen një ministër i CSU.”

Uhl dihet se thotë atë, që mendojnë të tjerët në krye të partisë së tij. Sidomos në kongresin e vogël të partisë të CSU në Bamberg në fundjavë zienin emocionet. Ministri Friedrich, i cili dha dorëheqjen, u mirëprit nga të gjitha anët. Fundja ai ishte sjellë korrekt me partnerin e koalicionit (SPD) dhe kishte patur parasysh të mirën e koalicionit të madh, që po krijohej. Dhe cila ishte mirënjohja për këtë? "Llafe" dhe thyerje e besimit.

Në CSU dëshirat për të marrë hak kundër SPD janë të dukshme. Përveç vetë ish deputetit të SPD Sebastian Edathy tashmë të shkatërruar politikisht, për këtë çështje duhet të paguajë të paktën edhe politikani socialdemokrat Thomas Oppermann. Por në mënyrë të hapur deri tani dorëheqjen e tij e kërkojnë vetëm gjaknxehtët e Unionit të të Rinjve në Bavari. Nga ana tjetër kryetari i CSU Seehofer kërkon më vetëkënaqësi, që SPD të sqarojë "kontradiktat e saj".

Sebastian Edathy
Sebastian EdathyFotografi: picture-alliance/dpa

Dyshime të rënda

Këtu socialdemokratët kanë shumë për të bërë. Sepse ekziston dyshimi, që Edathy mund të jetë paralajmëruar nga partia e tij. Gjithsesi për listën, ku ndodhej numri IP i kompjuterit të Edathyt, përveç Oppermannit kanë qenë në dijeni edhe kryetari i partisë Sigmar Gabriel, i cili e ka marrë informacionin direkt nga Friedrich dhe ministri aktual i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, i cili në atë kohë ishte kreu i grupit parlamentar SPD në Bundestag.

Edhe ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme Boris Pistorius ka qenë i informuar. Se sa të tjerë kanë qenë në dijeni, nuk dihet. Edhe pse ish-deputeti Edathy mohon çdo informacion paraprak dhe pretendon se ka marrë vesh çdo gjë vetëm nga mediat. Por fakti se harddisqet ishin shkatërruar, para se hetuesit të konfiskonin kompjuterat në shtëpinë dhe zyrat e tij, është më tepër një argument për paralajmërimin e hershëm. Prandaj nga Unioni shtohen kërkesat, që politikanët e SPD, që kanë qenë në dijeni, të bëtohen, që ato “nuk e kanë paralajmëruar të dyshuarin."

Një fakt i dytë i pakëndshëm për SPD është se politikani i saj Oppermann i telefonoi shefit të Zyrës federale të Kriminalistikës (BKA), Joerg Zierke, për të konfirmuar hetimet kundër Edathy-t. Në lidhje me përmbajtjen e bisedës, Oppermann dhe Zierke kujtohen në mënyra të ndryshme. Kryetari i Partisë e Majta, Katja Kipping, akuzon Oppermannin, se ka nxitur presidentin BKA për nxjerrjen e sekretit. Edhe kryetari i Komisionit të Brendshëm të Bundestagut gjerman, Wolfgang Bosbach, do të thërrasë krahas Ziercke edhe Oppermannin të mërkurën e kësaj jave në Komisionin e Punëve të Brendshme të Bundestagut.

Thomas Oppermann Debatte zur Regierungserklärung 29.01.2014
Thomas OppermannFotografi: picture-alliance/dpa

Opozita kënaqet

Kryetari i SPD Gabriel duket në pamje i qetë dhe përjashton momentalisht pasojat për partinë e tij. Ai konsideron se marrëdhenia e besimit me kancelaren Angela Merkel nuk është dëmtuar dhe është i sigurt, se do të "kthehen shpejt në mjedisin e mëparshëm të punës". Por sa shpejt do të arrihet kjo, nuk varet vetëm nga kancelarja e CDU (Unionit Kristiandemokrat).

Edhe një fjalë e fortë e Merkelit për të qetësuar partinë e zemëruar simotër bavareze CSU do ta irritonte më shumë bazën e saj. Nga ana tjetër SPD nuk mund të heqë dorë nga Oppermanni me përvojë si kryetar i grupit parlamentar dhe nuk do t'i bëjë presion që të japë dorëheqjen. Për shumë më e mira mund të ishte që SPD, për hir të paqes së koalicionit, të kërkojë një lloj faljeje.

Për më tepër për të mos i dhënë opozitës mundësi për ta sulmuar. Ngjarja spektakolare, e shoqëruar me të gjitha llojet e makinacioneve dhe intrigave, është një mundësi e mirë për opozitën (ekologjistë dhe të majtët) për të goditur koalicionin e madh. E Majta foli për një komision parlamentar, kryetari i grupit parlamentar të Partisë e Majta, Gregor Gysi, flet gjithë kënaqësi që para fillimit të fushatës për zgjedhjet evropiane, Unioni dhe SPD janë të preokupuara me "tradhti dhe denoncim".