1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dilma Rouseff - pikë me qëndrime pragmatike

Në udhëtimin e saj të parë si presidente në SHBA, presidentja e Brazilit kërkon të pozicionohet si partnere objektive bisedimesh. Në qendër të bisedimeve me Barak Obaman është politika e arsimit dhe e energjisë.

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff do të shkojë të hënën (09.04.) për herë të parë që kur është në post për vizitë në SHBA. Kur të zbresë nga avioni në Uashington ajo do të marrë rolin e vizitores së sjellshme dhe nuk do të merret me tema, të cilat ngjallin debate.

As reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, as subvencionet agrare të SHBA nuk janë në axhendën zyrtare të takimeve të Roussefit. Në bisedimet midis Rousseffit dhe Barak Obamas do të bëhet fjalë për arsim, teknologji dhe çështje energjitike, bëri të ditur ministria e Jashtme braziliane.

Bashkëpunim ekonomik

Dilma Rousseff e sheh veten si politikane pragmatike, e cila përpiqet që të shfrytëzojë shanse ekonomike. Kjo e dallon atë nga paraardhësi Lula da Silva, i cili mbante një qëndrim disi më kritik ndaj SHBA.

Rousseffi ka synime të qarta:" Qeveria e SHBA duhet ta njohë Brazilin si partner strategjik", analizon Rafael Duarte Villa, ekspert për politikën e jashtme në Universitetin e Sao Paolos në bisedë me DW. "Deri tani, nga të gjitha vendet në zhvillim SHBA pranojnë vetëm Kinën dhe Indinë si partnerë strategjikë."

Brazili ka nevojë për bashkëpunim në fushën e teknologjisë

Brazili sot është më i pasur dhe më pak i varur nga tregu amerikanoverior. Brazili nuk ka më nevojë për ndihma financiare, as nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, as nga SHBA. Por një gjë ka mbetur e pandryshuar: Brazili nuk është në gjendje të përparojë me forcat e veta në fushën e teknologjisë.

Në këtë fushë kanë ekzistuar partneritete të mira, kujtohet Eiiti Sato nga universiteti Brasilia. "Kështu për shembull kishim një program të gjerë bashkëpunimi midis Massachusetts Institute of Technology (MIT), Cornell University dhe forcave ajrore braziliane në vitet '70. Ky bashkëpunim vuri bazat për industrinë ajrore braziliane." Partneritete të tilla janë të nevojshme edhe më tej, për shembull në fushën e bioteknologjisë, mendon Sato.

Brazili ka rezerva gjigande nafte

Brazili ka rezerva gjigande nafte

Edhe një bashkëpunim në fushën ushtarake është i dëshirueshëm, thotë Marcus Vinicius de Freitas, profesor për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Fondacionin Alvares Armandi Penteado. Edhe nëse këtu kemi të bëjmë me një temë të ndieshme. "Bashkëpunimi ushtarak për mbrojtjen e burimeve të natyrës është me rëndësi esenciale - veçanërisht në fushën detare, meqenëse Brazili ka burime të mëdha me naftë." Forcat e armatosura të Brazilit kanë nevojë për një modernizim të armatimit të vjetëruar që kanë, thotë Freitas.

Brazili ka rezerva gjigante nafte

Deri në vitin 2009, SHBA kanë qenë partneri më i rëndësishëm tregtar i Brazilit. Tani këtë vend e ka zënë Kina. Por SHBA vazhdojnë të jenë edhe më tej një treg i rëndësishëm për produktet braziliane. Dhe Brazili mund të jetë burimi, që mund të shuajë "etjen për naftë" të SHBA.

"Brazili dëshiron të bëhet një furnizues i garantuar me naftë për SHBA. Sepse SHBA kanë gjithmonë probleme me furnizues nga Arabia Saudite dhe Venezuela", deklaron Freitas. Brazili ka rezerva gjigante nafte në bregdet.

Një pikë e rëndësishme, për të cilën Brazili dëshiron të negociojë me SHBA është sektori i arsimit. Arsimi shihet si faktor i rëndësishëm në Brazil, i cili e ndikon mirëqenien e vendit. Deri në vitin 2015, Brazili dëshiron të dërgojë 100.000 studentë me bursa në botën e jashtme, për të eleminuar mungesën që ka në forca të specializuara. Shumë prej universiteteve kryesore ndodhen në SHBA. Prandaj, në udhëtimin e saj, presidentja Dilma Rousseff do të takohet me përfaqësues të botës akademike dhe do të vizitojë universitetin e Harvardit. Qëndrimi më pragmatik i Roussefit mund t'i shtojë shanset për një bashkëpunim më të mirë me SHBA.

Autor: Nadia Pontes/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti