1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dilemat për zgjedhjet në Greqi

Pas vlerësimit pozitiv të mbledhjes së Eurogrupit, Greqisë i duhet tani të kalojë me sukses edhe sprovën e zgjedhjeve të parakohshme. Për grekët ato mund të jenë të paevitueshme, por jo edhe për troikën dhe kreditorët.

Parlamenti në Greqi - arenë lufte partiake

Parlamenti në Greqi - arenë lufte partiake

Greqia kishte vërtet kohë pa dëgjuar një fjalë të mirë. Pas vlerësimit të djeshëm pozitiv të Eurogrupit në Bruksel, se ka përmbushur të 100 hapat e nevojshme paraprake, hapet rruga për aprovimin definitiv të kreditimit të ri prej 130 miliardë eurosh më 9 mars dhe rikthimin e optimizmit tek helenët. Por ministri i Financave, Evangjellos Venizellos ka çdo arsye që të tregohet i përmbajtur, kur jo më larg se pas katër muajve vendit do t'i duhet të shtrëngojë më tepër rripin me një program të ri kursimesh prej 13 miliardë eurosh (7 miliardë brenda vitit 2013) deri në vitin 2015. «Natyrisht nuk kemi asnjë arsye për prehje apo rilaks, vazhdojmë dhe duhet të zbatojmë gjithçka që kemi marrë përsipër të zbatojmë” theksoi Venizellos, i cili po dje nënshkroi edhe memorandumin e bashkëpunimit me nënkryetarin e Komisionit Evropian Oli Rehn për zbatimin e programit të ri.

Dilemë munduese për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve

Kjo “fusnotë” në optimizmin e ministrit grek lidhet sigurisht me vështirësinë e implementimit të programit në një ekonomi të rrënuar dhe përballë tensioneve sociale dhe politike në rritje. Grevat dhe demonstratat nuk rreshtin, por edhe parlamenti po kthehet në arenë grindesh homerike midis forcave pro dhe kundër memorandumit. Politika po zhvleftësohet gjithnjë e më shumë në sytë e elektoratit të dëshpëruar prej masave, që socialistëve të Papandreut, të cilët më 18 mars do të zgjedhin kryetar të ri, sipas të gjitha gjasave ministrin aktual Venizellos, u jep vetëm 8%!. Në këto kushte, pyetja që shtrohet me forcë, siç ndodhi këto ditë,  është nëse duhet konsideruar i ezauruar cikli i qeverisë së bashkëpunimit të Papadhimos-it dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.  «Zgjedhjet janë të pashmangshme, ashtu siç po strukturohet skena politike falë presionit shumë të madh social, kur pjesë gjithnjë e më të mëdha të shoqërisë greke kërkojnë që të gjejë shprehje politike qëndrimi i tyre në lidhje me politikën që ndiqet dhe masat që zbatohen,” i thotë DW gazetari i mirënjohur grek Vasilis Lirixis.

Troika ka edhe nuk të drejtë që nuk i do zgjedhjet

Zgjedhjet nuk janë ndërkohë të dëshirueshme nga Brukseli dhe troika,  që nuk mund të injorojnë rrezikun për fatin e programit nga një afirmim eventual i forcave anti-troikë, por edhe mosqeverisje të zgjatur të vendit. “Kredituesit nga ana e tyre duan që ai që do të menaxhojë paratë të jetë dikush me të cilin do të kenë rënë dakord. Nga kjo pikëpamje është racionale dhe e natyrshme nga ana e tyre që të duan një siguri përsa i përket mjedisit politik,” thekson Lirixis, i cili ndërkohë përligj edhe reagimet e mëdha që ngjalli veçanërisht pozicionimi i kreut të Eurogrupit Jean-Claude Juncker se në “qoftë se do të ftohen të qeverisin forca që do të tërhiqen nga programi i ndihmës, atëherë do të tërhiqemi edhe ne”. “Një pjesë e madhe e popullsisë ka ndiesinë, ndoshta jo pa të drejtë, se duan t'i parapërcaktojnë votën e saj” thotë bashkëbiseduesi ynë që sheh në këtë rast “një ndërhyrje në punët e brendshme të vendit,” por rithekson me forcë se “nuk duhet harruar se kush krediton kërkon edhe siguri për paratë e tij”.

Me pikëpyetje qeverisja e vendit prej dy partive të mëdha

Analisti Tasos Papas flet për DW

Analisti Tasos Papas flet për DW

Zgjedhjet e tanishme, që mund të mbahen dhe javën e fundit të prillit apo javën e parë të majit do të sjellin padyshim ndryshime të mëdha në hartën politike të vendit. “Ka shumë mundësi që të kemi parti të parë Demokracinë e Re, por jo me përqindje të mëdha të kohës së sistemit dypartiak. PASOK-u do të jetë në një fazë të tërheqjes masive me një përqindje dyshifrore dhe jo 8%, siç thonë anketimet dhe do të forcohen shumë partitë e majta, që së bashku mund të marrin edhe 30%,” i thotë DW analisti Tasos Papas, që sheh si shumë të mundshëm një koalicion qeveritar midis së djathtës dhe socialistëve. Një zhvillim i tillë, që do të ishte i mirëpritur edhe nga troika, mund të vihet në pikëpyetje vetëm në qoftë se vazhdohet me fraksionim forcash dhe nga socialistët, siç ndodhi me të djathtën. “Ka vakum dhe shpresoj që ky vakum të gjejë shprehjen e tij” tha ish ministria socialiste Lluka Kaceli duke bërë fjalë për një skemë të re së shpejti, “që do t'i japë popullit përspektivë dhe do ta nxjerrë nga qorrsokaku”.

E majta e copëzuar nuk mund të përbëjë zgjidhje alternative

Megjithë të papriturat që mund të fshehë “fjalëkryqi” i zgjedhjeve, një qeverisje e majtë gati përjashtohet nga analistët. “Tridhjetë përqindëshi është thjesht një përmasë numerike, nuk është përmasë politike thjesht për faktin se midis partive të majta nuk ka konvergim pikëpamjesh” thotë Papasi, i cili gjithsesi zgjedhjet i  sheh si “zgjidhjen e demokracive parlamentare”. “Mos harroni se zgjedhjet sjellin çtensionim” përfundoi bashkëbiseduesi ynë për të shtuar se rezultati gjithsesi do të jetë i përkohshëm dhe se shumë shpejt do të ringrihen kutitë e votimit.  

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi