1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dilema Osetia Jugore - Një konflikt pa fitues

Para një viti presidenti i Gjeorgjisë u përpoq të rimarrë me dhunë krahinën separatiste të Osetisë Jugore. Rusia e ndaloi këtë aventurë ushtarake, megjithatë një fitues të vërtetë nuk ka.

Separatistë oseto-jugorë me kallashnikov dhe flamuj te kuq, te verdhe, te bardhe

Separatistë oseto-jugorë

Me ofensivën e tij kundër rajonit separatist të Osetisë Jugore presidenti gjeorgjian Mihail Shakashvili dështoi jo vetëm ushtarakisht. Por shumë më e rëndë është për Shakashvilin që pas këtij dështimi ai humbi mbështetjen politike.

Dobësohet pushteti i Shakashvilit

Prej këtij dështimi dhe prej pasojave të luftës opozita, që ekzistonte edhe më parë kundër presidentit, ka shtuar radhët. Vetëm me shumë mundime, e pjesërisht edhe përmes metodave të dyshimta, Shakashvili ia del që ta mbajë pushtetin në Tbilis.

Edhe në politikën e jashtme Shakashvili nuk duket t' i ketë punët mirë: Në Evropë ai konsiderohet si politikan, që s' mund t' i kesh besë madje si një aventurier. Kjo përshtypje nuk pritet të ndryshojë as nga raporti hetimor për luftën pesë ditore i porositur nga BE-ja. Edhe pse qeveria e re e SHBA-së nën Barack Obamën vazhdon ta mbështesë Gjeorgjinë në rrugën e saj drejt Perëndimit, gjatë vizitës së fundi zëvendëspresidenti i SHBA-së Biden tërhoqi vëmendjen, që zgjidhja e konflikteve separatiste në Gjeorgji të mos bëhet sërish me dhunë. Një anëtarësim i Gjeorgjisë në NATO ende nuk përjashtohet, megjithatë një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë së afërmi.

Jo vërtetë fitore për Rusinë

Por një vit pas luftës as udhëheqja ruse nën drejtimin e presidentit Dimitri Medvjedev nuk mund të vlerësohet si fituese politike e konfliktit. Vërtetë Rusia e mbrojti me sukses status quo-në e favorshme për vete.

Por aksionet e përmasave të zgjeruara usharake nuk çuan në rrëzimin e presidentit të Gjeorgjisë Shakashvili - edhe pse pikërisht ky ishte obvjektivi i reagimit të ashpër të Moskës. Në të kundërt çmimi, që pagoi Rusia për angazhimin masiv ushtarak ishte i lartë: një përforcim i mosbesimit të evropianëve kundrejt një Rusie që demonstron epërsinë ushtarake.

Përveç kësaj Kremlinit do t' i krijojë vështirësi njohja e njëanshme shtetërore e Osetisë Jugore dhe e rajonit tjetër separatist të Abkazisë. Ky hap jo vetëm tregoi se sa e izoluar është Rusia ndërkombëtarisht, sepse shtetetet e aleancës së Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (GUS) nuk e ka ndjekur shembullin e Moskës. Por për më tepër njohja ishte e panevojshme dhe e pakuptimtë. Rusia prej kësaj s' ka fituar konkretisht asgjë dhe madje më shumë ka humbur mundësitë e veprimit politik për të ardhmen. Çdo ndryshim i ardhshëm i njohjes diplomatike të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë nga Moska mund të interpretohej si një humbje e prestigjit të Rusisë.

Me këtë ka ndryshuar edhe roli i Moskës: Ndërsa përpara konfliktit ajo mund të merrte, të paktën vetëm teorikisht, funksionin e një ndërmjetësuesi, tani Rusia ka marrë anën e regjimeve separatiste dhe përgjegjësinë për gjendjen në këto territore. Kësisoj pushtetmbajtësit në Osetinë Jugore dhe në Abkazi, mund të ushtrojnë në një farë mënyre presion ndaj Rusisë, dhe mund të kërkojnë tani më intensivisht ndihmë financiare prej Moskës.

Dilema e Evropës

Lufta ruso-gjeorgjiane së fundi i ka vendosur edhe evropianët në një situatë të vështirë. Edhe pse shumë në Evropë ende nuk e kanë kuptuar, Osetia Jugore është prova më e fortë për një politikë të përbashkët evropiane për marrëdhëniet me jashtë dhe sigurinë. Kjo sepse në këtë konflikt bashkohen në mënyrë mikroskopike të gjitha ato çka përbëjnë vështirësitë e një politike evropiane të jashtme dhe të sigurisë: së pari, marrëdhëniet me Rusinë, por së dyti edhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe rëndësia e NATO-s. Dhe së treti, roli i Brukselit si një aktor i mëvetsishëm jashtë Bashkimit Evropian. Nëse për këtë mjafton misioni i vëzhguesve të BE-së i përbërë nga mbi 200 anëtarë, kjo është e dyshimtë.

Autor: Ingo Mannteufel
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 07.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J5P0
  • Data 07.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J5P0