1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dilema e të rinjve me prejardhje të huaj - të marrin nënshtetësinë gjermane apo jo?!

Shumë të rinj që kanë lindur në Gjermani dhe janë me prejardhje të huaj, pas një moshe të caktuar përballen me dilemën: të marrin nënshtetësinë gjermane apo atë të prindërve të tyre?

Pasaporta gjermane dhe turke

Prindërit e Erdisit kanë ardhur nga Turqia në Gjermani, ndërsa ai vetë ka lindur në Nyremberg. Pak pa i mbushur 18 vjet, pra pak pa arritur moshën madhore, atij i ka ardhur me postë një letër nga autoritetet e shtetit gjerman ku thuhet se duhet të vendosë cilën nënshtetësi do të marrë - gjermane apo turke. Ernisi u gjet para një dileme të madhe, sepse me shumë dëshirë do të mbante të dy pasaportat - edhe gjermane dhe turke.

"Duke u nisur nga fakti që unë jam rritur në një gërshetim të njëkohësishëm të dy kulturave - turke dhe gjermane - e kam shumë të vështirë të vendos që të heq dorë nga gjysma e identitetit tim. Këtë nuk mund ta bëjë", thotë Ernisi.

Vendimi maksimumi me 23 vjeç

Angela Merkel dhe Recep Tayyip Erdogan.

Angela Merkel dhe Recep Tayyip Erdogan

Ai tani ka mundësinë që të mos vendosë, por vendimin përfundimtar duhet ta marrë maksimumi kur të mbushë 23 vjeç. Është kjo një dilemë e cila ngarkon shumë të rinj me prejardhje turke, apo me prejardhje nga rajonet e tjera. Qeveria gjermane ka refuzuar deri tani mundësinë e nënshtetësisë së dyfishtë. Kancelarja gjermane Angela Merkel, kundërshtoi këtë mundësi edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan në Berlin, me rastin e 50 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes për ardhjen e punëtorëve nga Turqia në Gjermani.

Opozita kërkon dynënshtetësi

Partia socialdemokrate gjermane (SPD) në opozitë ka kërkuar këto ditë në Bundestag që ky rregull të ndryshojë dhe të futet e drejta e dyshtetësisë, sikur në disa vende të tjera: në Britani të Madhe, Francë apo SHBA. "Ne duhet të përballemi me realitetin, sepse njerëzit po përballen me problemin e identitetit. Nuk ka kurfarë shkaku që atyre t'u pamundësojnë të drejtën e dyshtetësisë", pohon Frank-Walter Steinmeier.

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

Socialdemokratët dhe ekologjistët duan që të korrigjojnë një ligj të miratuar në kohën kur ata ishin në pushtet. Por dështuan, sepse partitë e tanishme në pushtet, partitë e unionit kristiandemokrat dhe kristiansocial si dhe liberalët, ishin kundër propozimeve më të reja.

Qeveria refuzon

"Ne besojmë se është e drejtë që të vazhdojmë të mbetemi në qëndrimin që të mos lejohet dyshtetësia dhe që qytearët tanë të kenë vetëm një nënshtetësi. Kjo ka të bëjë edhe me lojalitetin e qytetarëve ndaj vendit ku jetojnë", deklaroi Ole Schröder.

Erdisi dhe shumë qytetarë gjermanë me prejardhje nga Turqia kanë pranuar ndërkohë që të heqin dorë nga nënshtetësia e prindërve të tyre dhe të marrin pasaportën gjermane. Por ata shpresojnë se një ditë edhe në Gjermani do të lejohet mundësia e nënshtetësisë së dyfishtë.

Autor: Doris Krannich/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama