1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dilema e Maqedonisë me refugjatët

Për shkak të emigrantëve që vijnë nga Greqia në Maqedoni për të vazhduar në Evropën Perëndimore Maqedonia mund të mbyllë kufirin.

Maqedonia ka qenë që nga fillimi i vitit 2015 pika kryesore e tranzitit për gati 700.000 emigrantë që shkojnë nga Greqia për në Evropën Perëndimore dhe Veriore nëpër të ashtuquajturën rruga ballkanike. Autoritetet maqedonase janë duke përfunduar tani ndërtimin e një gardhi të ri me tela me gjemba në kufirin me Greqinë.

Nuk është e qartë se kur saktësisht Maqedonia mund ta mbyllë kufirin për refugjatët, por sapo të jetë ngritur gardhi dhe të vijë një sinjal nga BE-ja, kjo mund të ndodhë në çdo kohë, tha një zyrtar maqedonas për DW-në. Kryeministri sllovak Robert Fico tha se pret që vendet e Vishegradit - Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia - të miratojnë në takimin e tyre në Pragë më 15 shkurt planin për mbrojtjen e përforcuar të kufirit në Maqedoni. "Pas kësaj nuk do të ketë rëndësi nëse Greqia do apo nuk do të jetë pjesë e Shengenit, sepse ne do të jemi në gjendje që të ndalojmë emigrantët," tha Fico.

Dy koncepte konkurruese evropiane

Sipas Gerald Knaus, drejtues i OJQ-së European Stability Initiative, nocioni i përdorimit "të shtetit më të dobët në rajon" për të ndërtuar një mur kundër një shteti anëtar të Shengenit është "çmenduri". Ai thotë se në Evropë ka një garë mes dy koncepteve të kundërta në krizën e refugjatëve. Koncepti i vendeve të Vishegradit - të cilin Knaus e quan "pjellë të trurit të kryeministrit hungarez Viktor Orban", - propozon bllokimin e refugjatëve duke ndërtuar një mur të ri në të gjithë Ballkanin Jugor përgjatë kufijve të gjelbër mes Greqisë dhe të gjithë fqinjëve të saj veriorë - Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Koncepti tjetër, që mbështetet nga kancelarja gjermane Angela Merkel, synon rivendosjen e qindra-mijëra refugjatëve nga Turqia në një grup shtetesh anëtare të BE duke i dhënë kështu fund "itinerarit ballkanik" përmes kontrollit të Detit Egje nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Greqisë dhe Turqisë.

Megjithatë, ideja e kthimit të Maqedonisë, e cila nuk është shtet anëtar i BE-së, në një mur kundër refugjatëve, ka gjetur po ashtu mbështetje nga Brukseli. Në fund të janarit, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Evropian, i shkroi kryeministrit të Sllovenisë, Miro Cerar, një letër ku e siguronte që Komisioni mbështet planin e tij për të gjitha vendet e BE-së që t'i "ofrojnë ndihmë Maqedonisë për të mbështetur kontrollet e kufirit me Greqinë nëpërmjet delegimit të oficerëve të policisë dhe dërgimit të pajisjeve."

Vetëm një çështje kohe?

E përditshmja gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", shkruante këtë javë se "kufiri mes Maqedonisë dhe Greqisë do të mbyllet plotësisht javët e ardhshme" - duke prekur refugjatët e ikur nga vendet e shkatërruara nga lufta.

Zyrtarët maqedonas thanë për DW se nuk kishte plane për të mbyllur kufirin në ditët ose javët e ardhshme. "Maqedonia është një vend tranzit dhe do të veprojë në përputhje me BE-në dhe vendet anëtare të BE-së", tha Ivica Bocevski, këshilltar special për punët e Jashtme i Presidentit maqedonas.

Një tjetër zyrtar i lartë i qeverisë maqedonase, që nuk donte të idetifikohej, tha për DW-në se çdo vendim për mbylljen e kufirit do të merret në Bruksel apo Berlin, jo në Shkup. "Nuk ka asnjë afat më 15 shkurt apo ndonjë datë tjetër," shtoi ai, "por kur të merret vendimi, ne do ta respektojmë atë."

Kriza e thellë politike në Maqedoni e komplikon edhe më tepër gjendjen. Por edhe pse kryeministri Nikolla Grujevski dha në mes të janarit dorëheqjen, partia e tij nacionaliste VMRO-DPMNE kontrollon ende qeverinë dhe mbështet aktivisht idenë e ndërtimit të një muri në kufirin jugor.