1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilema e Kinës në krizën e Krimesë

Jeanette Seiffert/Eliana Xhani19 Mars 2014

Pekini nuk pranon të heqë dorë nga raportet e mira me Rusinë, por as nga politika e mosndërhyrjes - një manovër e vështirë diplomatike. Kina mund të përfitonte nga sanksionet kundër Moskës, por edhe kjo ka çmimin e vet.

https://p.dw.com/p/1BSDH
Xi Jiping dhe Vladimir PutinFotografi: picture-alliance/dpa

Asnjë ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera - kjo është prej dekadash parimi themelor i politikës së jashtme kineze. Kjo do të thotë: Kina qendron jashtë konflikteve, por pret edhe nga të tjerë ta bëjnë këtë, p.sh. nga Rusia. Në rastin e Ukrainës ky parim po kthehet në probem, pasi bie ndesh me një interes qendror politik të Kinës: marrëdhëniet e mira me Rusinë.

Kina dhe Rusia si partnerë strategjikë

"Raportet ruso-kineze janë aktualisht në fazën më të mirë të historisë së të dy vendeve", theksoi ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi, në një konferencë për shtyp në kuadër të Kongresit popullor në mars. Dy vendet respektojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin dhe mes dy kryetarëve të shteteve ekziston një miqësi e thellë. Kina ka nevojë për Rusinë, si aleate kundër Perëndimit.

Edhe në lidhje më krizën e Krimesë ka zëra nga Republika Popullore që duan ta shohin Perëndimin si agresor: "Perëndimi i drejtuar nga SHBA nuk dëshëron paqe në botë dhe ndërhyn kudo. Kjo shkakton trazira", tha p.sh. ekperti për Evropën Lindore në Universitetin Popullor të Pekinit, Chen Xinming në televizionin gjerman. "Kina dhe Rusia kanë nevojë për njëra tjetrën në plan strategjik për t'iu kundërvënë dominancës perëndimore."

Ndjenja se Perëndimi e para së gjithash SHBA e kanë rrethuar në mënyrë të plotë Kinën, është me rëndësi të madhe për politikën e jashtme të Pekinit, mendon edhe eksperti për Kinën Sven Gareis, politolog në Universitetin e Mynsterit: "Tek Rusia Kina sheh një partnere të rëndësishme tek e cila mund të mbështetet dhe këtë partner natyrisht nuk duan ta kritikojnë publikisht", tha ai në intervistë me DW.

Po distancohet Kina nga Putini?

Por Pekini nuk dëshëron as të braktisë parimin e tij të mosndërhyrjes. Pra nuk është për t'u habitur që Kina nuk pranon të pozicionohet qartë në çështjen e legjitimitetit të referendumit në Krime: dy herë zv/ministri i jashtëm Li Baodong në një konferencë shtypi në Pekin, iu shmang pyetjes nëse Kina njeh si të ligjshëm referendumin dhe rezultatin e tij: "Ne shpresojmë që të gjitha palët të ruajnë gjakftohtësinë dhe të kërkojnë një zgjidhje politike". Një shkallëzim i mëtejshëm duhet të shmanget, më shumë se kaq Li Baodong nuk tha.

Politikprofessor Sven Bernhard Gareis
Eksperti për Kinën, Sven Bernhard GareisFotografi: picture-alliance/dpa

Mbështetja e Pekinit për mikun strategjik në Moskë ndeshi në kufijtë e vet që gjatë mbledhjes së KS të OKB-së: kur atje u votua për një rezolutë për Ukrainën pak para referendumit të Krimesë dhe Rusia vendosi veton e saj, Kina abstenoi. Diplomatët perëndimorë folën nën zë për një "shuplakë" për Rusinë pasi Kina si rregull i bashkohet votës së Rusisë. Ministri i jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, i cili aktualisht mban kryesinë e KS, lëvdoi shprehimisht refuzimin në parim nga Kina të çdo hapi të njëanshëm për ndryshimin e territoreve shtetërore dhe që ajo kërkon një grup koordinimi ndërkombëtar.

Pikërisht ky shembull tregon se sa ngushtë është zënë Kina, mendon eksperti për Kinën Sven Gareis. Nga njëra anë ajo nuk donte t'i jepte Rusisë një leje pa kufizim për Krimenë dhe nga ana tjetër nuk donte të mbështeste as rezolutën e Perëndimit.

Problemet e Kinës me pakicat e saj

Pekini ka edhe arsye të forta të politikës së brendshme për të mos mbrojtur në mënyrë ofensive planet e Putinit për aneksim: "Kina nuk mund ta mbështesë referendumin pasi ne kemi problemet tona", tha eksperti për Evropën Lindore në Pekin, Chen Xinming. Këto probleme janë Tibeti, Xinjiang, Hongkongu dhe Taivani: nëse Kina do të pranonte referendumin popullor në Krime, përse të mos vlenin të njëjtat rregulla edhe për këto rajone në territorin shtetëror të Republikës Popullore, të cilat gjithashtu synojnë pavarësinë? "Parë nga ky këndvështrim do të ishte natyrisht një skenar i tmerrshëm për Kinën, që dikush nga jashtë të mbështesë me trysni ushtarake një referendum dhe të çojë në ndarje të një pjese të vendit", mendon eksperti për Kinën Sven Gareis.

Exiltibeter Free Tibet Proteste
Protestë në TibetFotografi: AP

Sanksionet e Perëndimit në favor të Pekinit?

Ndërkohë që në plan politik Pekini ndeshet me kundërthënie, sanksionet e mundshme ekonomike të Perëndimit ndaj Rusisë mund të ishin të dobishme për Kinën: "Rusia do të largohej gjithnjë e më shumë nga Evropa, përfituesi i krizës do të ishte Kina", tha kryetari i Komisionit të Lindjes të ekonomisë gjermane, Eckhard Cordes, për revistën informative "Focus".

Republika Popullore, e cila që tani është blerësja më e madhe e naftës ruse, mund ta shohë këtë me kënaqësi dhe mund të kthehet në përfituese të krizës së Ukrainës. "Por unë nuk mendoj se Kina orientohet nga interesa afatshkurtra dhe shpreson të përfitojë nga situata", mendon politologu Sven Gareis. Pekini ka më shumë gjasa të shqetësohet për stabilitetin afatgjatë në rajon.

Symbolbild Export China
Foto simbolike - Eksporti në KinëFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe ekonomia e Kinës ka nevojë për marrëdhënie të mira me qeveritë e tjera perëndimore. Për këtë arsye javët e ardhshëm qendrimi i Kinës në krizën e Ukrainës do të bëhet edhe më i lëkundur: në fund të marsit Presidenti i Kinës Xi Jinping do të zhvillojë vizita zyrtare tek shumë qeveri perëndimore. Ka shumë mundësi që atëherë t'i duhet të tregojë qartë qendrimin e vendit të tij.