1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Diktator apo luftëtar i lirisë - Robert Mugabe mbush 90 vjeç

Nga Perëndimi presidenti Mugabe konsiderohet si diktator, kurse në Afrikë popullariteti i Mugabes vazhdon.

Robert Mugabe - diktator? Për Baffour Ankomah që e njeh personalisht presidentin e Zimbabves kjo tingëllon absurde. "Në qoftë se lexoni median perëndimore, ke përshtypjen ky njeri ha popullin e tij për mëngjes, drekë dhe darkë. Por nëse e takon atë personalisht, përjeton një njeri krejt tjetër", thotë kryeredaktori i revistës "New African" që botohet në Londër. "Veçanërisht mbresëlënës është humanizmi i tij i madh," thotë Ankomah. Gazetari nga Gana dhe revista e tij janë tifozë të Mugabes në skenën e medias ndërkombëtare. Për ta diktatori ndaj të cilit BE-ja ka vënë sanksione për shkelje të rënda të drejtave të njeriut, është ende si luftëtar i lirisë.

Revista "New African" nuk është e vetme në admirimin e saj për Mugaben. Në vitin 2004 kjo revistë organizoi një sondazh me lexuesit e vet, se cilët janë 100 afrikanët më të rëndësishëm. Robert Mugabe zuri vendin e tretë, pas Nelson Mandelës dhe themeluesit të shtetit të Ganës, Kwame Nkrumah.

Më 21 shkurt Mugabe festoi 90-vjetorin dhe urimet nga vendet perëndimore nuk ishin të shumta. Në vitet 80-të dhe 90-të ishte krejt ndryshe, sepse Mugabe, i cili është në pushtet që nga shpallja e pavarësisë së Zimbabves në vitin 1980, nderohej nga Perëndimi, mbretëresha britanike Elisabeth II e shpalli kalorës dhe atij iu dhanë tituj si doktor nderi. Në atë kohë askujt dukej se nuk i interesonte që me udhër të Mugabes ushtarët e tij kishin masakruar në vitet 80-të pasuesit e rivalit të tij për kokë Josuah Nkomo. Vetëm pas vitit 2000 kur milicët filluan të pushtonin tokat e latifondistëve të bardhë që deri atëherë kontrollonin buqësinë e Zimbabves, presidenti Mugabe konsiderohet si diktator.

Solidaritet i pushtetarëve afrikanë

Ndër viktimat e qeverisë së Mugabes nuk bëjnë pjesë vetëm të bardhët e pasur, por edhe të varfërit që banojnë në lagjet periferike të kryeqytetit Harare, e që mendohet se janë përkrahës të opozitës. Shtëpitë e tyre u prishën, rreth 30.000 vetë u arrestuan dhe rreth një milionë mbetën pa strehë. Po ashtu janë arrestuar edhe shumë sindikalistë dhe politikanë të opozitës. Zimbabveja ka sot përqindjen më të lartë të inflacionit në botë, varfëria është tejet e mprehtë dhe një epidemi kolere në vitin 2008 u kushtoi jetën mbi 3000 vetëve.

Megjithatë në Afrikë popullariteti i Mugabes vazhdon dhe kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Afrikës e zgjodhën atë në fillim të vitit si zëvendëspresident të Bashkimit Afrikan. Mesazhi: në rast se Robert Mugabe nuk do të ftohet në takimin e nivelit të lartë BE-Afrikë në Bruksel, atëherë askush nuk do të shkojë.

Retorika anti-perëndimore

Popullariti i Mugabes lidhet me lidhjet e tij të mira nga e kaluara dhe manovrat e tij mjeshtërore politike. Si luftëtar kundër apartejdit në Rodezi, sikurse quhej dikur vendi, ai kishte kontakte me shumë lëvizje të tjera çlirimtare në Afrikë. Shumë presidentë dhe politikanë të sotëm të vendeve afrikane, ai i njeh nga kjo kohë.

Në një pjesë të popullsisë së disa vendeve afrikane pritet mjaft mirë retorika e Mugabes kundër Perëndimit. Duke kritikuar dominimin e Perëndimit dhe duke kërkuar që afrikanët të vendosin vetë për pasuritë e vendeve të tyre, ai prek zemrat e shumë afrikanëve, pasi edhe dekada pas përfundimit të kolonializimit në shumë vende mbretëron varfëria dhe një shpërndarje e pabarabartë e pasurive. Shumë e admirojnë Mugaben edhe sepse u ka kthyer tokat pronarëve të dikurshëm, të cilat ua kishin marrë kolonialistët, thotë Baffour Ankomah i "New African". Reforma agrare e Mugabes dhe politika e tij u duken pra shumë njerëzve tërheqëse dhe me sa duket kjo do të vazhdojnë kështu edhe për një kohë.