1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Digjitalizimi në Maqedoni - Rritje e cilësisë së ofertës mediatike

Fatos Musliu12 Prill 2013

Nga 1 qershori media audiovizive do të transmetojë në sinjali digjital në Maqedoni. Me vendimin e qeverisë, afati i fundit për ndërprejen e sinjalit televiziv analog është caktuar më 31 maj 2013.

https://p.dw.com/p/18F4j
Fotografi: picture-alliance/dpa

Procesi i digjitalizimit në Maqedoni, zyrtarisht ka filluar para një viti kur Këshilli i Radiodifuzionit përmes një plan-aksioni bëri ndarjen e kapaciteteve të shpërndarjes së rrjeteve digjitale dhe tokësore, thotë Selajdin Xhezairi, anëtar i Këshillit të radiodifuzionit. Digjitalizimi i televizionit nënkupton prodhimin, transmetimin dhe pranimin e programeve televizive në formë digjitale me shfrytëzimin e metodave digjitale të modulimit dhe përpunimit të sinjalit. Maqedonia ishte e detyruar të hyjë në procesin e digjitalizimit, sepse në të kundërtën do të përballej me ngecje në aspektin teknologjik në raport me vendet e tjera. Televizioni analog më shumë u nënshtrohej intereferencave dhe humbjes së sinjalit ose dyfishimit të tij, që karakterizohej me të ashtuquajturat “hije dhe dëborë” në fotografinë e TV-marrësve.

”Mënyra digjitale e transmetimit të sinjalit ofron fotografi dhe zë shumë më cilësor dhe shërbime të tjera të reja, ndërsa digjitalizimi njëherësh mundëson edhe zbatimin e gjeneratës së katërt të rrjeteve mobile që munëson shpejtësi të madhe në qasje të internetit”, shprehet Selajdin Xhezairi.

Gjithnjë sipas tij, përfitimet nga digjitalizimi janë të shumta, me këtë teknologji rritet numri i programeve dhe mundësitë për të ofruar informacin përmes shumë kanaleve.

Digjitalizimi barrë financiare për televizionet lokale

Në Maqedoni, leje për veprimtari radiodifuzive kanë 66 televizione, prej të cilave 4 në nivel kombëtar, 6 satelitor, 9 rajonal dhe 47 në nivel lokal. Transmetimi i detyrueshëm i sinjalit digjital nuk është miëpritur nga pronarët e televizioneve lokale dhe rajonale. Sipas tyre rrezatimi i sinjalit digjital për ata do të thotë barrë shtesë financiare.

“Digjitalizimi i një televizioni lokal për një vit do t'i kushtojë rreth 20 mijë euro. Në këtë periudhë krize, ku për çdo ditë shteren burimet financiare nga reklamimi, vështirë është të sigurohen mjete financiare për procesin e digjitalizimit,” thotë Simeon Marjanov, pronar i një televizioni lokal.

Krahas procesit të digjitalizimit, televizionet lokale kanë detyrim të shëndrohen në televizione rajonale, gjë që është edhe një barë shtesë për pronarët, thotë Marjanov.

Procesi i digjitalizimit do të jetë një standard jo lehtë i kapshëm për shumë pronarë, i cili do t'i detyrojë ata ti mbyllin televizionet, thotë Llazo Dimitrov, pronar i televizionit lokal në Koçani. “Qeveria duhet të na ndihmojë me subvencione , në pajisje teknike. Nga të ardhurat e reklamave nuk kemi mundësi t'i plotësojmë standardet profesionale”, thotë Dimitrov.

Edhe pronarët e televizioneve që emetojnë program në nivel kombëtar dhe përmes satelitit janë të indinjuar nga, siç thonë ata, periudha e shkurtër kohore për adaptimin e punës së kalimit të emetimit nga sinjali analog në atë digjital. Televizionet ,”Sitel, Kanal 5, Alsat-M,”Alfa” për çdo vit duhet të venë së paku rreth 150 mijë euro në dispozicion për procesin e digjitalizimit. Mungesa e mjeteve financiare apo dedikimi i tyre për digjitalizim mund të reflektohet në cilësinë e përmbajtjeve nga programet të cila emetohen në këto televizione, thonë pronarët.

Paisje të reja për pranimin e sinjalit digjital

Transmetimi praktik i sinjalit digjital në territorin e Maqedonisë përballet edhe me një sfidë reale, rreth 44% e familjeve në Maqedoni posedojnë aparate televizive nga gjenerata më e vjetër, e cila nuk ka mundësi teknike për ta pranuar sinjalin digjital. Atyre do t'u nevojiten aparatura shtesë për pranimin e sinjalit digjital, aktualisht t tilla pajisje i posedojnë vetëm 35% e familjeve. Ndërsa qytetarët, që shohin televizor përmes operatorëve të rrjetit me kabllo nuk do të jenë të prekur nga nxjerrja jashtë përdorimit e sinjalit analog televiziv, thotë Selajdin Xhezairi nga KRD.

Është paralajmëruar që operatori që ka fituar të drejtën e transemtimit të sinjalit digjital "ONE” dhe Radio televizioni i Maqedonisë do të shpërndajnë falas pajisjet speciale për pranimin e sinjalit digjital për familjet që janë ,raste sociale'.

Megjithatë, duhet pasur parasysh, se operatori që do t'i transmetojë programet e televizoneve digjitale vendase mund të ofrojë shërbime shtesë, p.sh. mundësinë për të parë kanale të huaja, por kjo do të ofrohet me pagesë.