1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Digat mbajnë akoma - Përgatitje për të përballuar fryrjen e lumit Oder

Në lindje të Gjermanisë këto ditë të gjithë shohin me frikë ujin në lumin Oder. Autoritetet paralajmërojnë nga rreziku i vërshimit të ujit, që të kujton gati përmbytjet shkatërrimtare të vitit 1997.

default

Lumi Oder në kufirin gjermano-polak

Në digën në Ratzdorf vazhdon puna. Punëtorët ngrenë mure mbrojtëse prej alumini.

Disa metër pas murit lumi Oder ngjit me ngadalë rrëpirën e digës të mbuluar me lëmashk. Pemë dhe shkurre nxjerrin kokën nga valët ngjyrë kafe të lumit.

Turistët grumbullohen mbi digë dhe vështrojnë me kureshtje sipërfaqen e madhe të ujit. Lumi Oder vjen këtu nga Polonia dhe hyn në tokë gjermane, ku bashkohet me lumin Neisse. Matthias Freude sheh me mosbesim ujin. 60 vjeçari është president i shoqatës ambjentaliste në landin e Brandenburgut

Hochwasser in Pegel der Oder

Shkalla katër e alarmit

"Niveli i ujit po rritet, por jo aq keq sa në vitin 1997. Ne do të mbetemi 30 cm nën nivelin e 97-ës. Kjo është lartësia e dytë për nga niveli, që ka parë Oderi në historinë e tij."

Situata e vitit 1997 nuk duhet të përsëritet.

Megjithë rritjen e nivelit Freude mbetet optimist.

"Po të mos e kishim ngritur digën, atëherë do të ishte dramatike. Kemi investuar 218 milionë, që janë shumë të holla për një land të vogël si Brandenburgu, edhe pse BE dhe federata na kanë ndihmuar. Por tani me digat shohim se deperton shumë më pak ujë se në vitin 1997. Edhe me nivelin aktual të ujit, që nuk është i parrezikshëm për digat, nuk kemi aspak problem."

Digat rezistojnë edhe me shkallën e alarmit 4.

Kështu që njërëzit prapa digave janë deri diku të qetë. Ratzdorfi pat qenë përmbytur. Kësaj rradhe askush nuk beson se një gjë e tillë mund të ndodhë. Siegfried Schrëder qëndron në hyrje të oborrit të shtëpisë së tij dhe vështron lart nga diga.

"Gjithçka është e siguruar, digën dhe gjithçka përreth e kanë bërë të re. Shpresojmë se uji nuk do të ngrihet mbi gjashtë metër dhe 6,80 meter. Do të thoja se nuk kemi frikë. Tri ditë dhe pastaj uji zbret përsëri."

Hochwasser in Ostdeutschland Matthias Freude

Matthias Freude, president i shoqatës ambjentaliste në landin e Brandenburgut

Schrëder hyn prapë në shtëpi. Niveli i lumit Oder rritet, por pas digës jeta vazhdon normale. Por jo të gjithë jetojnë prapa digës. Në Frankfurt/Oder dhe në Eisenhüttenstadt banorët dhe zjarrfikësit ngrenë mure me thasë me rërë. Aty dëgjohen kritika ndaj autoriteteve. Matthias Freude hedh vështrimin i menduar poshtë lumit.

"Mendoj se shumë më tepër nuk do të kishim bërë dot. Shumë gjëra kanë shkuar më mirë, nga ç'ma kishte marrë mendja. Po edhe një dëshirë do të kisha patur: Që ta kishim përfunduar pendën në ultësirën e Niederzellit. Ajo është më e madhja në të gjithë Evropën Qendrore. Do të bëhet, se nuk është akoma. 1.500 hektarë, një sipërfaqe shumë e madhe. Por ne nuk do të kemi nevojë kësaj rradhe për të. Ky është mendimi im në këtë moment, se nuk na duhet, por do të doja megjithatë ta kishim."

Matthias Freude e heq vështrimin nga uji. Ai duhet të shkojë të kontrollojë digat, të koordinojë ndihmësit. Kur ka përmbytje, thotë ai, nuk e di kurrë se çfarë të sjell ora.

Autor: Heiner Kiesel/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 28.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nat0
  • Data 28.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nat0