1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Diaspora me tre deputetë në parlamentin e Maqedonisë

Shumica parlamentare në Maqedoni është e vendosur të mbështesë ndryshimet dhe plotësimet në kodin zgjedhor. Një prej risivë thelbësore është e drejta e votës për diasporën.

default

Parlamenti i Maqedonisë.

Qeveria i ka dhënë dritën e gjelbër ndryshimit dhe plotësimit të kodit zgjedhor, në të cilën janë inkorporuar sugjerimet dhe vërejtjet e OSBE-ODHIR. Me këto ndryshime në Maqedoni për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare do të mund të votojë edhe diaspora. Në përbërjen e re të parlamentit janë të siguruara tre vende për deputetë nga diaspora.Të drejtë vote në diasporë do të kenë ata qytetarë të Maqedonisë, që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ndërsa për ta realizuar këtë të drejtë ata duhet të dorëzojnë fletëparaqitje për votim në ambasadë.

Përbërja e këshillave zgjedhore në diasporë do të jetë e ngjajshme si në Maqedoni, përkatësisht do të ketë tre përfaqësues nga administrata publike dhe dy nga partitë politike. Kandidatët e diasporës për deputetë, duhet të kenë përfaqësues të autorizuar në Maqedoni.

Opozita skeptike për votimin e diasporës

Partitë opozitare maqedonase thonë, se Maqedonia nuk ka kapacitet për të realizuar votimin e diasporës. Andrej Zhernovski nga partia Liberal Demokrate thotë se në Maqedoni askush nuk disponon më informacione të sakta, se sa është numri i diasporës, që ka të drejtë vote.

"A i ka pyteur dikush qytetarët e Maqedonisë nëse dëshirojnë apo mbështesin votimin e diasporës? Sa do të kushtojë ky projekt? Si do të organizohet fushata në diasporë? Në këto pyetje nuk ka përgjigje nga qeveria“, thotë Zhernovski.

Partia shqiptare në pushtet BDI, ka shtruar një sërë dilema se si do të organizohet votimi në diasporë. Kjo parti do të ndërhyjë me amendamente, me qëllim saktësimin e çështjeve ende të pasaktësuara me ligj, e që kanë të bëjnë me votimin e diasporës. BDI kërkon që ftesa për votim në diasporë përveç gjuhës së huaj dhe maqedonase, të jetë edhe në gjuhën shqipe.

"Është obligimi ynë, që shpalljet publike të jenë edhe në gjuhën shqipe, qoftë në Evropë, Azi apo në Amerikë. Do të vlejnë të njëjtat procedura për kandidim, si ato që vlejnë për ne deputetët ,që jetojmë dhe punojmë këtu në Maqedoni" - është shprehur deputeti i BDI-së Rafiz Haliti.

Numër simbolik i deputetëve nga diaspora

Deputetja opozitare Roza Topuzova-Karevska kërkon që kodi zgjedhor të mos shqyrtohet në parlament pa praninë e opozitës, e cila bojkoton punimet e parlamentit.

"Nuk është mirë, që në mungesë të partisë më të madhe opozitare të miratohet Kodi zgjedhor. Është më e logjikshme, që ndryshimet dhe plotësimet në Kodin zgjedhor të miratohen me konsensus“, është shprehur Karevska.

Edhe një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për të votuar diaspora. Sipas profesoreshës Tanja Karakamisheva, tre mandatet e diasporës nuk do të jenë në prioritetet e axhendave të partive politike.

"Nëse diaspora do të kishte pesë apo dhjetë deputetë ndikimi i tyre do të ishte më me efekt, ndërsa vetëm me tre deputetë, ata do të jenë dekor në parlament“, vlerëson profesoresha Karakamisheva.

Parlamenti i Maqedonisë pritet që me 15 mars të miratojë ndryshimet dhe plotësimet në kodin zgjedhor, meqë shumica parlamentare është shprehur pro këtyre ndryshimeve.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 14.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Yn3
  • Data 14.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Yn3