1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Diaspora jo vetëm burim të ardhurash, por partnere në zhvillimet ekonomike në Kosovë

Ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati në intervistë me Deutsche Wellen thekson rolin e ri e rëndësinë që po i jepet diasporës në Kosovë. Urat lidhëse tani duhen institucionalizuar, thekson ai.

Düsseldorf Valon Murati, Minister für Diaspora der Republik Kosovo

Ministri i Diasporës, Valon Murati

Deutsche Welle: Zoti Murati ishit ftuar të merrnit pjesë në aktivitetet e "Nëntorit Shqiptar", të organizuara nga shoqata "Ideal" e parnerë të tjerë - sa prezente është Kosova brenda "Nëntorit shqiptar" në Düsseldorf?

Valon Murati: Kemi qenë dhe jemi prezentë në aktivitete të tilla kulturore me artistë nga Kosova, si Dren Abazi pjesëmarrës në koncertin e Düsseldorfit, po ashtu Ministria e Diasporës organizon rregullisht aktivitete të ndryshme kulturore në bashkëpunim me diasporën.

A ju shërbeu kjo vizitë për ta nxitur diasporën të mos e harrojë Kosovën, në fakt shumë të rinj sot në Kosovë, në fakt ëndërrojnë të jenë në diasporë, një temë që u diskutua edhe në aktivitetet e "Nëntorit Shqiptar...

Realisht marrja e përvojave, përpjekja për të vendosur bashkëpunim me institucionet gjermane me përvojën e tyre, bashkë edhe me përpjekjet t'i mobilizojmë potencialet që ka diaspora jonë që të vijë të investojë në Kosovë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në kulturën e punës e dijet, të gjitha këto bashkë përbëjnë një mekanizëm, mendoj unë, që mund të ndihmojë në të ardhmen që të pushojë së funksionuari ideja se zgjidhja e vetme është largimi nga vendi. Ky është një proces kompleks, me shumë komponentë, por ne si Ministri e Diasporës bëjmë përpjekje të jemi në urë lidhëse mes njerëzve tanë të suksesshëm në diasporë, mes diasporës dhe vendit, në mënyrë që njerëzit të duan të vazhdojnë të rrinë në vendin e tyre, por duke marrë përvojat më të mira, në këtë rast nga Gjermania.

Ju thatë se Ministria e Diasporës synon të jetë një urë lidhëse mes njerëzve që jetojnë në diasporë dhe vendlindjes, Kosovës - sa të forta janë këto ura lidhëse?

Urat lidhëse ekzistojnë në mënyra të ndryshme, fillimisht në planin personal, në kuptimin që njerëzit janë të lidhur me vendlindjen. Ne si Ministri bëjmë përpjekje përmes mekanizmave të ndryshëm -si rrjeti i të rinjve dhe stundetëve shqiptarë në Gjermani, rrjeti i biznesve të diasporës në Gjermani dhe vende të tjera, pra të shfrytëzohen këto mekanizma që do ta fuqizonin këtë urë, e cila ekziston në planin familjar, dhe t'i kthejmë ato edhe në ura ndërlidhëse institucionale. Njerëzit që jetojnë këtu sjellin përvojën e tyre në vend, por ata janë edhe ura lidhëse me shoqërinë gjermane.

Diaspora luan një rol jo pak të vogël në vendet e varfra, ajo zbut dhimbjen sociale përmes mbështetjes së familjeve në vendlindje, tani në festat e fundvitit kjo ndjehet më shumë. Sa të larta janë ndihmat në remitanca, realisht një dorë ndihme, le të themi, madje për vetë shtetin e Kosovës?

Ndihmat vazhdojnë dhe shifrat nuk kanë shënuar rënie, ato përbëjnë në vit rreth 700 milionë euro në vit, që vijnë në forma të ndryshme remitancash në Kosovë. Sigurisht këto ndihma që ofron diaspora në Kosovë janë një element i rëndësishëm në mbajtjen e një paqeje sociale, ndoshta ato ruajnë edhe një balancë makrofinanciare stabël. Ne po bëjmë përpjekje që të kthejmë një pjesë të remitancave në investime, pra ato të mos jenë vetëm ndihma për mirëqenien sociale, mbijetesën ekonomike por këto remitanca dhe potenciale të tjera të diasporës të vijnë në formë të investimeve.

Po sa janë tërhequr deri më tani rastet e biznesit të suksesshëm të diasporës në Gjermani për të ndikuar edhe në zhvillimet ekonomike në Kosovë?

Ne kemi një numër biznesesh që kanë ardhur nga Gjermania të investojnë në Kosovë, tani po përpiqemi me Bankën Qendrore të Kosovës që shifrën e investimeve të huaja, të cilat përmenden aty si një zë, ta identifikojmë se kush nga këto investime vjen nga jashtë, e sa janë në realitet investime nga diaspora. Nëse do më pyesni nëse jemi të kënaqur me sa është investuar dhe sa janë potencialet, përgjigja do të ishte jo, sepse potencialet janë shumë më të mëdha se ato që kemi shfrytëzuar deri më tani, që diaspora të vijë dhe të investojë. Ne duam si ministri bashkë me ministri të tjera të punojmë që të krijohet një ambient më i mirë ku sundon ligji, ku ka stabilitet, ku punohet më mirë në drejtim të arsimit profesional, që është një nga vërejtjet e investitorëve të huaj, por edhe të diasporës.

Në një konferencë të fundit ju jeni shprehur se diasporën nuk duhet të shohim si një komunitet me përfitim të njëanshëm, por duhet të shndërrojmë në partner të zhvillimit të Kosovës, si do ta bëni këtë?

Ministria e Diasporës është bërë për herë të parë anëtare në Këshillin Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, aty ne udhëheqim njërin prej katër grupeve të punës, grupi për tërheqjen e investimeve nga diaspora, dhe ia kemi dalë për herë të parë të bëjmë pjesë të këtij grupi edhe përfaqësues të rrjeteve të biznesit të diasporës. Unë mendoj se që ta kemi diasporën si partnere do të thotë që t'i integrojmë njerëzit e biznesit edhe në këto mekanizma, që ata të kenë informatat e duhura, të jenë në rrjedha, të japin ide, të bëjnë propozime, por gjithmonë duke qenë pjesë e mekanizmave. Ne si Ministri e Diasporës po bëjmë përpjekje për këtë ambient të ri, ta realizojmë këtë partneritet, duke i bërë ata pjesë të mekanizmave.