1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu politik përtej bindjeve politike, eksperienca gjermane në Tiranë

Një grup deputetësh të Bundstag-ut me orientime të ndryshme politike kanë diskutuar në një auditor me shqiptarë mbi sfidat e dialogut dhe konsensusit në demokraci.

Delegacioni nga parlamenti gjerman kishte përbërje plurale: Peter Weiß, (CDU/CSU), Josip Juratovic (SPD), Andreas Lämmel, (CDU/CSU), Peter Beyer, (CDU/CSU) dhe Dirk Vöpel (SPD) janë në një agjendë rajonale, nga Kosova ata ndodhen në Shqipëri dhe më pas do të qëndrojnë dhe në Malin e Zi. Peter Weiß, që është dhe kryetar i grupit parlamentar të miqësisë mes dy vendeve thotë se vizita ka në fokus integrimin e BE-së. "E shikojmë këtë çështje dhe me sy kritik për veten, kur kemi parasysh se klima e zgjerimit brenda BE-së nuk është në ditë të mira. Nga ana tjetër edhe për të mësuar se si vendet aspirante po hedhin hapat në drejtim të integrimit. Kemi interes dhe për t'u informuar mbi projektet e përbashkëta të vendeve të rajonit, në kuadër të nismave të Ballkanit Perëndimor."

Qëndrimin në Tiranë deputetët e kanë shfrytëzuar jo vetëm për kontakte intensive me autoritetet dhe përfaqësues të grupimeve të ndryshme parlamentare, por dhe duke organizuar një tryezë të rrumbullakët diskutimi me temë: "Dialogu politik përtej bindjeve politike – qëllimet e përbashkëta kanë nevojë për zgjidhje të përbashkëta". Përfaqësitë e dy fondacioneve gjermane në Shqipëri, "Konrad Adenauer" dhe "Fridriech Ebert", si organizatore të këtij formati të veçantë ishin kujdesur që pjesmarrës të ishin politikanë e të zgjedhur nga forca të ndryshme, si një stimulim për atë që është pikë e dobët e realitetit shqiptar: mungesa e dialogut dhe kompromisit.

Arti i politikës në demokraci, gjetja e një kompromisi

Frank Hantke, drejtor i "Friedrich Ebert" në Shqipëri në rolin e bashkëmoderatorit të tryezës theksoi domosdoshmërinë e dialogut, sidomos aty ku ka mendime të ndryshme. Vendimarrja e përbashkët është baza themelore për të ecur përpara, tha Hantke. "Deputetët, politikanët duhet të marrin vendime në dobi të qytetarëve. Ne si qytetarë nuk duhet t'i lejojmë ata që vendimmarrjen ta zëvendësojmë me grindjen. Të gjitha palët duhet të jenë në të njëjtën anë për - të tërhequr litarin."

Ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, duke iu refreuar kontekstit të zhvillimeve në Shqipëri u shpreh, se "besoj se për vendin do të caktohet një datë për hapjen e negociatave dhe deputët e Bundestag-ut kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi "pikëpamjet e tyre ata i shfaqin para qeverisë federale, në faktin se në çfarë mase Shqipëria i ka përmbushur 'detyrat e shtëpisë', veçanërisht për plotësimin e 5 prioriteteve. Sikundër doli dhe në takimet zyrtare që kanë pasur parlamentarët gjermanë në Tiranë është konsideruar si prioritar realizimi i reformës në drejtësi. Ndaj dhe fokusi duhet të jetë pikërisht kjo reformë, ku palët duhet të bisedojnë, të dialogojnë dhe të gjejnë gjuhën e kompromisit".

Parlamentarët gjermanë iu treguan të pranishmëve mbi përvojat e tyre në institucionalizimin e dialogut dhe afrimin e qëndrimeve të ndryshme. Për Peter Beyer, që është i përfshirë në komisionin e jashtëm dhe atë të mbrojtjes në Bundestag, e rëndësishme është që të flitet, të diskutohet hapur me njeri-tjetrin, pavarësisht pozicioneve me synimin e përfarimit të qëndrimeve." Ky është dhe arti i politikës në kuadër të demokracisë, për të gjetur një kompromis. Politikë do të thotë që të arrihet në një qëllim të përbashkët.

Vijmë te zgjidhjet e pranueshme për qytetarët

Deputeti Dirk Vöpel prezantoi frymën bashkëpunuese në komisionin e mbrojtjes ku aderon. "Në përgjithësi ka konsesus për vetë specifikat e kësaj fushe. Ka detaje, apo elementë ku diskutohet nga këndvështrime të ndryshme. Sidomos kur vjen fjala te problemi se ku do të kuntribuojnë forcat tona jashtë vendit. Në fund të diskutimeve, sado të larmishme që të jenë ne vijmë te zgjidhjet e pranueshme për qytetarët, duke bërë transparencë dhe sqarim tek ata. Për t'i dhënë atyre informacion të plotë se përse ne kemi arritur në këtë apo atë zgjidhje".

Duke e shtyrë më tej këtë argument Peter Beyer tha se në Bundetsag ne shikojmë dhe raportin e interesave që kanë qytetarët, sepse ata janë më shumë të interesuar p.sh. më shumë për një çështje lokale që lidhet me arsimin a shëndetësinë, se sa projekte ka për kopshte, për autostrada etj. Ndërkohë që janë më të distancuar për tema ndërkombëtare".

Duke folur në auditor parlamentarët gjermanë përsëritën disa herë faktin se në demokraci përafrimi i qëndrimeve mes palëve është një proces i mundimshëm, që kërkon energji, kohë dhe vëmendje, por me përgjegjësi për rolin dhe misionin e një të zgjedhuri nga qytetarët vështirësitë kapërcehen, duke mbërritur te zgjidhjet më të pranueshme. Të tilla kanë qenë së fundmi qëndrimet e Gjermanisë ndaj refugjatëve, për mënyrën e trajtimit të tyre dhe koordinimin me vendet e tjera.

Diferencë e thellë midis standardeve

Prof. asoc. dr Afrim Krasniqi, lektor i shkencave politike ishte pjesmarrës në tryezë. Ai shprehet për Deutsche Welle-n se modeli i debatit mes deputetëve të partive të ndryshme gjermane, si dhe të fondacioneve politike me fokus të larmishëm politik, janë diçka e re, domethënese dhe një kulturë politike sjellje e veprimi e munguar në Shqipëri.

"Mesazhet e tyre mbi rëndësinë e bashkëpunimit politik në zgjidhjen e problematikave kryesore, për dialog të vazhdueshëm, për demokraci të brendshme funksionale partiake, për parti të modelit horizontal jo autoritarist, për dhënie llogarie përpara qytetarëve dhe sens përgjegjësie në punën e tyre - janë aktuale për partitë shqiptare dhe përbëjnë një sfidë për vitet e ardhshme. Dallimi mes modelit qytetar - parlamentar gjerman dhe modelit thellësisht partiak dhe të personalizuar shqiptar, u konstatua në takim edhe si diferencë e thellë midis standardeve që aspirojmë dhe standardeve që kemi".

DW.COM