1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu në qorrsokak

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është futur në fazën vendimtare. Palët janë në pozicione të kundërta sa i përket organizimit të komunave me shumicë serbe, por a është futur me të vërtetë dialogu në qorrsokak?!

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Catherin Ashton, ka intensifikuar përpjekjet për gjetjen e një marrëveshjeje mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Takimet bilaterale të ditës së hënë (05.03.2013) zgjatën shumë më të tepër nga sa ishte parashikuar. Në veçanti shumë ka zgjatur takimi me kryeministrin serb Daçiq, për shkak të kërkesave të palës serbe që komunat me shumicë serbe në Kosovë të kenë përgjegjësi dhe kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Pala kosovare i ka hedhur kategorikisht poshtë këto kërkesa, por edhe bashkësia ndërkombëtare është e prerë: në Kosovë nuk do të ketë ndonjë krijesë të ngjashme me Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Dështimi i takimeve të fundit

Takimet e fundit në nivel të ekspertëve dhe takimi i kryeministrave nuk kanë sjellë rezultate konkrete lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe lidhur me shpëbërjen e strukturave paralele serbe të sigurisë. Deri tani ekziston marrëveshje verbale për shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë, për krijimin e asociacionit të komunave serbe dhe për organet që duhet të ketë ai. Por bisedimet janë futur në qorrsokak, sa i përket kompetencave dhe përgjegjësive të asociacionit, sepse ekziston frika e krijimit të ndonjë organizmi, i cili do të bllokonte marrjen e vendimeve në nivelin e Kosovës.

Megjithatë faktin që kryeministri i Serbisë, Daçiq tha në Bruksel shprehimisht se "ne nuk do të cënojmë interesat kombëtare për mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", burime të afërta me krerët e delegacionit serb, thonë se ende nuk janë shterruar të gjitha mundësitë për marrëveshje. Ditët e ardhshme, deri më 20 mars, kur do të zhvillohet takimi i ardhshëm do të jenë vendimtare. Diplomatët në BE pohojnë se ka mbetur edhe shumë pak kohë deri në raportin e baroneshës Ashton për ecurinë e dialogut, më 16 prill. Komisioni Evropian do të vendosë mbi bazat e këtij raporti nëse Serbisë do t'i jepet drita jeshile për datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE apo jo.

Dialogu në interesin e të dy palëve

"Vazhdimi i dialogut dhe marrëveshjet janë në interesin e të dyja palëve. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur një marrëveshje", pohon Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Ashton. Kocijançiq shpjegon se në takimet e ardhshme, para raportit për ecurinë e dialogut, duhet të arrihet marrëveshje për veriun e Kosovës dhe për organizimin e brendshëm të asociacionit të komunave serbe. Por as kjo nuk mjafton, sepse një sinjal pozitiv për Beogradin dhe për Prishtinën mund të vijë vetëm në qoftë se fillon edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

"Dialogu është në fazën vendimtare. Nga të dyja palët priten kompromise dhe ato janë në interesin e të dyja palëve", pohon ajo.

Marrëveshja për komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë është më e rëndësishmja, për faktin se me këtë do të organizohej funksionimi i brendshëm në Kosovë, ndërkohë që Serbia do ta njihte përfundimisht (ndonëse joyzrtarisht) tërësinë territoriale të Kosovës. Burime të informuara mirë pohojnë se një rol shumë të fuqishëm në këtë dialog dhe në këtë proces është duke luajtur SHBA-ja, edhe pse ajo nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në dialog.

Profesori serb i shkencave politike, Predrag Simiq thotë se "nga Uashingtoni varet nëse Prishtina do të bëjë lëshime të tjera". Për momentin të dyja palët, si Prishtina ashtu edhe Beogradi, po përpiqen të fitojnë mbështetjen amerikane dhe gjermane. Berlini zyrtar i ka intensifikuar sërish aktivitetet lidhur me Kosovën dhe Serbinë. Në Beograd së shpejti pritet edhe një delegacion gjerman, i cili do të njihet nga afër me gjendjen.

Ndërsa analisti tjetër Ognjen Pribiçeviq mendon se "bisedimet e 20 marsit do të jenë shumë të vështira dhe nuk dihet fare se cili do të jetë epilogu." Sipas tij, BE-ja duhet të vendosë nëse Serbia duhet të mbetet jashtë procesit të integrimit apo do të jetë pjesë e strategjisë dhe e interesave të pëbashkëta.

Mundësia e marrëveshjes

Pavarësisht nga fakti se pozicionet e të dyja palëve aktualisht duken të papajtueshme, analistët në Bruksel janë të mendimit se palët megjithatë mund të arrijnë një marrëveshje para mesit të prillit. Shansi i parë do të jetë më 20 mars. Në rast dështimi të këtij takimi, një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe seanca e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ku do të marrin pjesë të dy kryeministrat Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi. Ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia e një takimi në Bruksel, në pjesën e parë të prillit, ku kryeministrat do të thonin fjalën e tyre përfundimtare.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi