1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu Kosovë-Serbi

Robert Kuper nuk arriti t’i bindë Beogradin dhe Prishtinën për vazhdimin e shpejtë të dialogut.

Akoma është e paqartë e ardhmja e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Bashkimi Evropian vazhdon të këmbëngulë për vazhdimin e ketij dialogu të cilin e cilëson të domosdoshëm për përmirësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper, javën që shkoi ishte në Beograd dhe Prishtinë, por, ai nuk arriti t'i bindë palët për vazhdimin e shpejtë të dialogut. Qeveria e Kosovës vazhdon të mbajë qendrimin se pa zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë të arritura deri tash, nuk do të ketë dialog me autoritet e Beogradit. Por, në mediat kosovare ka kohë që përmendet një takim i mundshëm ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq. Mirëpo, analistët politikë, thonë se nëse realizohet kjo, ky takim është i ngutur dhe mund të prodhojë efekte negative.

Nikoliq, personalitet me shumë pikëpyetje

Analisti politik Behlul Beqaj mendon se presidenti i Serbisë “Nikoliq, paraqet një personalitet me shumë pikëpyetje për komunitetin ndërkombëtar, sidomos te vendet e botës demokratike dhe mike të Kosovës. Realizimi i një takimi të shpejtë me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, konsideroj se do t'i nevojitej vetëm presidentit Nikoliq për të përmirësuar imazhin e tij para bashkësisë ndërkombëtare.” Analisti Beqaj, thotë se takimi i mundshëm i presidentes Jahjaga me atë të Serbisë, Nikoliq, do të promovonte vetëm presidentin serb edhe pse politika dhe qasja e Beogradit në raport me Kosovën tashmë dihet. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar kohë më parë se ajo është e gatshme të takohet me këdo për interesin e Kosovës.

Ms Edita TAHIRI, Deputy Prime Minister of Kosovo - M. Robert COOPER, Director General for External and Political and Military Affairs (centre) - M. Borko STEFANOVIC, Political Director of the Serbian Ministry (middle right)

Robert Kuper ishte javën që shkoi në Beograd dhe Prishtinë

Ndërkohë, Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar për mediet lokale serbe se presidenti dhe kryeministri i ri i Serbisë nuk do të jenë pjesë e ekipit negociator serb në vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Ai thotë se kjo do të nënkuptonte njohje direkte, ose indirekte të pavarësisë së Kosovës.

Nuk duhet të ketë takim ndërmjet Jahjagës dhe Nikoliqit

“Mendoj se presidenti, por edhe kryeministri i ardhshëm duhet të ruhen që të mos bien në këtë kurth, që të takohen në takime bilaterale me dikë që nuk e pranojnë”, thotë Oliver Ivanoviq. Ai thotë se në ciklin e ardhshëm të dialogut Kosovë Serbi do të hapen edhe tema politike, për të cilat sipas tij duhet të formohen ekipe negociatore politike. Kundër takimeve nga niveli politik kosovar me autoritetet e tashme të Serbisë, shprehet nënkryetarja e komisionit për ndryshimet kushtetuese në parlamentin e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo i tha DW, se presidentja Jahjaga nuk duhet të takohet me Nikoliqin.

Nuk duhet të ketë dialog politik për veriun e Kosovës

”Nuk duhet të ketë dialog politik as për veriun e Kosovës dhe as për ndonjë çështje tjetër me Serbinë. Ne jemi të shqetësuar shumë nga opinionet e shumta në media se presidentja Jahaga do të ulet në një tavolinë me presidentin e ri serb Tomisllav Nikoliq. Nikoliq, është një president i cili i mohon krimet e bera në Kosovë dhe Srebrenicë. Pra presidentja Jahjaga nuk duhet të bisedojë me këtë njeri as për të adhmen e vendit e as për çështjen e veriut të Kosovës”, thotë Vjosa Osmani.

Megjithatë, analistët politikë mendojnë se takime të nivelit politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndodhin në të ardhmen, por para kësaj duhet të përgatitet në atë mënyrë që mos të ketë dilema dhe pikëpyetje të shumta ashtu si po ndodh nga rezultatet e dialogut teknik të zhvilluar deri tash. “Mendoj se duhet analizuar mirë situata, të pritet derisa të formohet qeveria e re në Serbi dhe pastaj të ndërmerren hapa konkret dhe veprime konkrete”, thotë analisti politik, Behlul Beqaj.

Sidoqoftë, bisedimet teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë, të lehtësuara nga Brukseli, u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi. Deri tash, nuk është caktuar ndonjë agjendë për rifillimin e tyre edhe pse vazhdimisht qeveria e Kosovës thotë se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët, nuk do ketë rinisje të dialogut me Serbinë. Bisedimet teknike Kosovë-Serbi, nisën në mars të vitit 2011. Nga këto biseda u arritën shtatë marrëveshje, por zbatimi i disa prej tyre ka ngecur.

  • Data 28.06.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15NQR
  • Data 28.06.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15NQR