1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu Kosovë - Serbi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ministrja kosovare e Dialogut Edita Tahiri, flet në intervistë për DW, për fazën në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, formatin e dialogut në të ardhmen dhe takimin e radhës Mustafa-Vuçiq.

DW: Znj. ministre, në ç'fazë ndodhet dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë ndikuar zhvillimet politike në Kosovë në këtë dialog?

Edita Tahiri: Kjo fazë e dialogut mund të cilësohet më shumë fazë e zbatimit të marrëveshjeve. Çështja është sipas marrëveshjeve që janë arritur dhe sipas afateve janë në rrjedhë zbatimi, po ka edhe marrëveshje të cilat për nga cilësia nuk zbatohen si duhet si dhe kohë pas kohe ka edhe shkelje marrëveshjesh. Por, çështja e zbatimit që është temë që më shumë e merr fokusin është çështja e ndërlidhjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe për zhbërjen e të gjitha strukturave paralele serbe. Në kohën kur ne kemi biseduar për asociacionin, ne si palë në bisedime kemi kërkuar që procesi i hartimit të statutit, që ende nuk ka filluar dhe zhbërja e strukturave paralele të jenë procese sinkrone, në mënyrë që pasi të ndodhë zhbërja e verifikueshme e strukturave paralele serbe, atëherë, ne do ta themelojmë asociacionin. Kjo është çështja e këtij fillimviti dhe që do të marrë kohë derisa të dyja proceset të kryhen si duhet dhe më pas do të rumbullakosen me zbatim.

DW: Zonja Tahiri, kur ndalemi tek asociacioni, për këtë çështje tash në Kosovë ka rrethana të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se disa pika të marrëveshjes së 25 gushtit të vitit 2015 nuk janë në përputhsje me frymën e kushtetutës. Si do të vazhdohet me themelimin e asociacionit ashtu siç po thoni ju?

Edita Tahiri: Ne si qeveri e kemi bërë një analizë të hollësishme të udhëzimeve që kanë dalë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i kemi mirëpritur ato dhe të gjitha këto udhëzime me përpikmëri do të zbatohen në procesin e hartimit të statusit të këtij asociacioni. Gjykata Kushtetuese marrëveshjen e parimeve nuk e ka kthyer për rinegocim dhe as nuk ka pasur ndonjë vërejtje që ndonjë pikë eventuale të kthehet në rinegocim. Gjykata ka thënë që asociacioni të themelohet, por hartimi i statutit duhet të respektojë të gjitha ato udhëzime, me fjalë tjera të jetë i qartë në respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Tjetra, zakonisht marrëveshjet ndërkombëtare janë marrëveshje të një gjuhe që negociohet, mirëpo, preambula e marrëveshjes së parimeve thotë qartë që asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë bazohet në ligjet e Kosovës dhe praktikisht bazohet në ligjin e ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të të dyja shteteve. Pra, kjo është baza ligjore që e ka bërë këtë marrëveshje dhe ne vazhdimisht kemi thënë që është në pajtim me kushtetutën dhe po ashtu pika e dytë e marrëveshjes thotë se kjo marrëveshje por edhe statuti në faza të mëvonshme duhet të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra, ajo që kemi arritur është që asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe me këtë rast si i tillë nuk mund të jetë i dëmshëm.

DW: Znj. Tahiri, sa e bën të vështirë përputhshmërinë e asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës, nëse kemi parasysh faktin që marrëveshjet ndërkombëtare në këtë rast ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo domosdoshmërisht mund të jetë në përputhje me kushtetutat e vendeve negociuese?

Edita Tahiri: Marrëveshja për asociacionin është një marrëveshje e parimeve, nuk është një akt juridik. Akt juridik do të jetë statuti i asociacionit, i cili duhet të jetë në pajtueshmëri me kushtetutën dhe pikërisht këtë e kërkon Gjykata Kushtetuese.

DW: Le të kthehemi te zbatimi i marrëveshjeve. Vazhdimisht ju dhe qeveria e Kosovës e keni akuzuar Serbinë se nuk po i zbaton marrëveshjet. Më intereson të di se cilat janë ato marrëveshje që Serbia nuk po i zbaton?

Edita Tahiri: Në fakt kur unë jap vlerësime për këtë proces në emër të qeverisë së Kosovës kam thënë gjithmonë që Serbia nuk i zbaton sa duhet dhe si duhet marrëveshjet. Me këtë kam menduar që Serbia derisa në një anë zbaton marrëveshjet, në anën tjetër ende i mban strukturat paralele në Kosovë dhe ky standard i dyfishtë i Serbisë, e cila raporton në Bruksel që i ka zbatuar marrëveshjet dhe në anën tjetër mban strukturat paralele, kjo për neve nuk është zbatim cilësor i marrëveshjes. Shembull kemi komunat me shumicë serbe, që krahas atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet lokale të Kosovës, Serbia i fuqizon komunat paralele dhe i pengon strukturat komunale legjitime. Pra hiç më larg sesa më 6 janar të këtij viti, Serbia ka bërë riemërime të strukturave komunale në pjesë tjera të Kosovës. Bashkimi Evropian e ka kuptuar këtë qasje të Serbisë, prandaj i ka vendosur Serbisë kushtin e kapitullit të 35 në negociatat për anëtarësim, në të cilin kapitull janë të evidentuara të gjitha shkeljet apo shmangiet dhe dualizmat që Serbia i ka bërë në teren.

DW: Znj. ministre, i gjithë dialogu me Serbinë është zhvilluar në frymën e integrimit të të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë në strukturat e BE-së. Serbia tashmë ka nisur negociatat për anëtarësim, ndërsa, Kosova pos marrëveshjes së MSA-së nuk duket të ketë përfituar gjë tjetër. Madje Kosova nuk e mori as liberalizimin e vizave. Pyetja që e shtron opozita, madje me një gjuhë më të lehtë edhe strukturat qeveritare se a ia vlen të vazhdohet me dialogun?

Edita Tahiri: E para dua të them se derisa folëm për situatën reale të zbatimit të marrëveshjeve, më lejoni të bëj një analizë të shkurtër se si ka qenë gjendja ndërmjet dy shteteve para se të fillojë dialogu dhe sot pas pesë viteve të dialogut. Dua t'i përmend disa. Që nga paslufta kemi pasur polici paralele serbe, tash nuk kemi më. Pastaj kemi rastin e dy pikave kufitare në veri Jarinje dhe Bërnjak, të dyja këto pika janë nën kontrollin e plotë të institucioneve të Kosovës. Kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës edhe nëpër Serbi, kemi rastin e sigurimit të automjeteve. Në raport me integrimet evropiane, Kosova ka fituar marrëveshjen e MSA-së, pra ky është përparimi i Kosovës, ndërsa, liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me dialogun e Kosovës me Serbinë. Por gjithsesi e themi se për liberalizimin e vizave BE-ja ka qenë jo e drejtë me qytetarët e Kosovës. Pra proceset e integrimit të Kosovës dhe Serbisë janë të ndara.

DW: Kur do të jetë takimi i radhës i nivelit politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë?

Edita Tahiri: Në bazë të njoftimeve zyrtare të paralajmëruara edhe në media, është thënë 27 janari, por informacioni më i saktë është pas takimit që më 15 janar një delegacion i BE-së viziton Kosovën, që ka për qëllim përgatitjen e takimit të kryeministrave, Mustafa dhe Vuqic. Kryeministri i Kosovës e ka dhënë një deklaratë që thotë se jam i fokusuar në liberalizim dhe thotë se pa u bërë liberalizmi, as ai vet nuk dëshiron të udhëtojë, duke u solidarizuar me qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Sidoqoftë, pas vizitës së delegacionit të BE-së në Kosovë mund të prononcohemi rreth takimit të radhës ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.