1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë-Serbi: Bisedohet, por ende nuk ka ujdi konkrete

1 Dhjetor 2011

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit përfunduan bisedimet në Bruksel pa ndonjë rezultat konkret. Palët deklaruan se negociatat vazhdojnë edhe të enjten, ndonëse ishte parashikuar që ato të zgjasnin vetëm një ditë.

https://p.dw.com/p/13KJs
Edita Tahiri
Edita TahiriFotografi: picture alliance/dpa

Përfaqësuesit e delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit bën të ditur se pas 12 orë negociatash intensive në Bruksel, palët janë „pranë marrëveshjes“, për bashkëmenaxhimin e pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Palët poashtu janë „pranë një marrëveshjeje“ edhe për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale. Por për asnjërën prej këtyre çështjeve nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.


Tahiri: Nuk ka rezultate konkrete

Shefja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri deklaroi pas takimit se gjatë ditës është biseduar „për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë“. Janë paraqitur edhe disa ide konkrete, por rezultatet kanë munguar“.

Kosova insiston që problemi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet sipas modelit evropian të menaxhimit të integruar të kufijve. „Fakti që bisedimet duhet të vazhdojnë, tregon se nuk është arritur ndonjë marrëveshje“, tha Tahiri duke shtuar se nesër paradite do të bisedohet edhe për çështjen e telekomunikacionit, furnizimit me energji dhe përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Zëvendëskryeministrja e Kosovës edhe një herë akuzoi Beogradin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara më parë.

Borisllav Stevanoviq
Borisllav StevanoviqFotografi: picture alliance/dpa

Beogradi nuk do të pranojë simbole të shtetit në kufi


Udhëheqësi i delegacionit serb Borisllav Stefanoviq tha se „pala serbe ka paraqitur disa propozime konkrete për tejkalimin e dallimeve mes palëve, por pala kosovare është përgjigjur ndaj të gjitha këtyre propozimeve me kundërpropozime maksimaliste dhe të papranueshme.“ Sipas tij, Serbia kurrsesi nuk mund të pranojë që „pikëkalimet administrative mes Kosovës dhe Serbisë të shndërrohen në pikëkalime kufitare dhe të kenë ndonjë shenjë të kufirit shtetëror“.

Beogradi kërkon që pikëkalimet kufitare të mos paraqesin ndonjë problem për serbët e Kosovës për të kaluar në Serbi me tabelat e automjeteve dhe dokumente e lëshuara nga Serbia. Stefanoviq tha se nuk është e mundur që njëra palë të fitojë të gjitha ndërsa tjetra të humbë të gjitha. „Nëse dikush në Prishtinë ka menduar se dialogu do të përfundojë kështu, atëherë e ka shumë gabim dhe me këtë do të dëmtojnë shumë tërë rajonin dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë“, theksoi ai.

Peraqësuesi serb tha se lidhur me pikëkalimet kufitare, se kanë mbetur edhe dy çështje për t'u zgjidhur, por nuk shpjegoi se për cilat është fjala. „sidoqoftë Beogradi insiston që zgjidhjet të jenë në harmoni me kushtetutën e Serbisë dhe rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Barrikada serbe në Zupçe
Barrikada serbe në ZupçeFotografi: picture alliance/dpa

BE në pritje

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se nga rezultatet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit varet nëse Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Füle ka deklaruar se do të sugjerojë që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit, në qoftë se arrihen marrëveshje në dialogun me Prishtinën.

Të enjten në Bruksel do të mbahet edhe takimi i ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të cilët, do të japin mendimet dhe rekomandimet e tyre për samitin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së. Ata mblidhen në Bruksel me 8 dhe 9 dhjetor.


Autor: Bahri Cani

Redaktoi: