1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu i Vuçiqit ka për synim njohjen e Kosovës

Aleksandar Vuçiqi ka bërë të ditur se në Serbi do të fillojë një dialog të brendshëm për Kosovën. Analistët thonë për DW, se Vuçiqi do të ndajë përgjegjësinë për "gjysmënjohjen" e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar të "ngrohë" temën e "dialogut të brendshëm në Serbi për Kosovën". Në një tekst autorial për gazetën "Blic" ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci.

Ulja e toneve dhe tensioneve

Dialogu për Kosovën në Serbi duhet të fillojë në shtator, por shkrimi i tij në Blic dhe një intervistë (që i ngjante më shumë monologut) në TV Pink ka lënë edhe shumë çështje të hapura. Vuçiqi në vend të platformës për dialog të brendshëm ka ofruar shumë fraza, ku nuk shihet se kush do ta organizojë apo do të përkujdeset për këtë dialog, sa do të zgjasë ai dhe në çfarë formati do të mbahet.

Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: "Vuçiqi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu." Janjiq mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos "unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t'i ndajmë të gjithë".

Nëse Vuçiqi vërtet do një dialog të mirëfilltë, atëherë duhet t'i qetësojë mediat që ka nën kontroll, ndërsa BIA (shërbimi sekret në Serbi) duhet të ndërpresë diskualifikimet e njerëzve që mund të japin kontribut në dialog. „Asgjë nuk mund të arrihet në një atmosferë ku qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë po bëjnë politikanët e tyre. Ne nuk e dimë se çfarë kanë bërë ata deri më tani, deri ku kanë mbërritur dhe çfarë është tani në tavolinë. Si mund të zhvillohet një dialog nëse mediat e Vuçiqit, si gazeta Informer, ju turren dhe sulmojnë (siç më ka ndodhur edhe mua vet) se jeni bashkëpunëtor i terroristit dhe bosit të drogës Ramush Haradinaj", pohon Janjiq.

Njohja e Kosovës nuk është formula magjike

Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim. "Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara - ndoshta vitin e ardhshëm", mendon ai. Prorokoviq pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit.

"Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy Gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni."

Dushan Prorokoviq thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: "Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti". „Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim", thotë bashkëbiseduesi i DW, por kjo sipas tij, „nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze".

„Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s", pohon Prorokoviq. „Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t'i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar", pohon ai.

Mjegulla e Vuçiqit

Dushan Janjiq mendon se Vuçiqi ka për qëllim të arrijë një konsensus, por vetëm për ndarjen e përgjegjësive. "Ai po kërkon mbështetje në negociata, me qëllim që të marrë vendime për të ardhmen e Serbisë. Por dialogu nuk mund të shërbejë si manipulim për hedhjen e përgjegjësisë atyre që mbase e kanë mbajtur kokën si struci në rërë."  Analistët në Serbi mendojnë se Vuçiq po hedh mjegull në të gjithë procesin. Prorokoviq pohon se "nuk dihet as korniza institucionale e dialogut të paralajmëruar. Nuk dihet nëse do të zhvillohet në parlament apo në kuadër të ndonjë institucioni tjetër".

Parë nga perspektiva e sotme, opozita nuk do të marrë pjesë në këtë dialog: "Mendoj se edhe partitë që në dy dekadat e fundit thonë se Kosova është e pavarur, do të tërhiqen nga ky dialog dhe do t'ia lenë përgjegjësinë Vuçiqit për këto vendime."

 

Ivica Petroviç, Beograd