1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dialogu filloi por zgjidhja e krizës politike ende larg

Takimi dy palësh në nivel të lartë përfaqësimi PS dhe PD ditën e mërkurë (03.05. 2017) i mbajti palët në qëndrimet e mëparshme, por ka më shumë dëshirë për dialog.

Në prani të Presidentit të Republikës në detyrë, Bujar Nishani, drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike shpenzuan rreth 170 minuta  bisedime larg vëmendjes mediatike. Edi Rama dhe Lulzim Basha, të shoqëruar nga sekretarët e përgjithshëm Ruçi dhe Paloka iu përgjigjën një ftese të kreut të shtetit si përpjekje për zgjidhjen e krizës. Një takim i mirëpritur që u zhvillua në një sfond të tensionit politik mes mazhorancës dhe opozitës, kur kanë mbetur dhe disa javë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare.

Burime të besuara të DW-së e përshkruan sjelljen e dy liderëve kryesore si të përmbajtur, kur herë pas here nuk kanë munguar dhe batuta dhe shpoti, duke e mbajtur komunikimin në një pjesë të mirë të kohës të relaksuar. Kjo dhe për vetë taktikën e dukshme të një takimi të parë, me kujdesin e mosndryshimit të menjëhershëm të qëndrimeve. Teksa zhvillohej me dyer të mbyllura dhe pa asnjë informacion, kjo negociatë monitorohej në distancë nga disa diplomatë rëndësishëm perëndimorë të akredituar në Tiranë. Duke mos dashur përshkallëzim të krizës, si dhe duke evituar zgjidhjet përmes rrugës diplomatët kanë preferuar edhe këtë herë të ndjekin hap pas pas vendimarrjen e dy partive të mëdha në vend, PS dhe PD, me gatishmëri maksimale për të ndërhyrë si trup i vetëm me mesazhe dhe thirrje në gjetje e konsesusit.

Në ndihmë të krijimit të një klime mirëbesimi Rama dhe Basha kanë dalë pa deklarata nga takimi i tyre, jo se kanë pasur ndonjë gjë të rëndësishme për të treguar, por se kanë lënë të hapur përsëritjen e kontakteve, qoftë në nivel teknicienësh, qoftë në nivel zyrtarësh të lartë. I pari që njoftoi mbi takimin Rama – Basha ishte mikpritësi i tryezës, Nishani. Në një deklaratë të thatë dhe të kujdesshme, Presidenti i Republikës theksonte se "gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj. Presidentii Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi."

Monitorimi i procesit zgjedhor nga përfaqësues të opozitës

Pavarësisht se afatet për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore janë tejkaluar dhe PD e partitë aleate të djathta nuk janë regjistruar në zgjedhje kryeministri ka lënë të nënkuptohet se mund të ketë zgjidhje për përfshirjen e saj në votimet e 18 qershorit. Por dhe duke shkuar deri tek ngritja e infrastrukturës vëzhguese ku do të ketë përfaqësim dhe opozita, sipas kryeministrit "një monitorim si asnjëherë më parë të të gjithë strukturave të shtetit, të Policisë së Shtetit, të drejtorive rajonale të arsimit dhe të gjithë sistemit arsimor, të burgjeve ku janë edhe pikat që kanë qenë vazhdimisht pikat e adresuara si problematike në raportet e ODIHR-it."

E gjithë struktura do të monitorohet nga një zëvendëskryeministër që do jetë përfaqësues i opozitës. Mazhoranca ka shprehur gatishmëri dhe për hartimin e vënien në zbatim të një rreguloreje që eviton dhe demaskon përdorimin gjatë fushatës zgjedhore të fondeve publike dhe burimeve njerëzore nga administrata në gjitha nivelet. Disa zëvendësministra të propozuar nga opozita mund të jenë pjesë e administratës qeveritare.

Basha: Nuk do të rrimë duarkryq teksa bëhen zgjedhjet farsë

Por nga dy përfaqësuesit e opozitës në takim ky propozim i PS është hedhur poshtë. Ata kanë mbetur besnikë të daljes në zgjedhje vetëm pasi të formohet një kabinet teknokratësh, pa Edi Ramën si kryeministër. Ashtu siç ka vepruar në rreth 2 muaj e gjysmë, kryetari i PD-së i ndau opinionet e takimit me Edi Ramën me protestues në çadrën përpara kryeministrisë. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë bojkot, pasi ne, sipas tij, nuk do të rrimë duarkryq teksa bëhen zgjedhjet farsë.
"Shanset për një kompromis po zëvendësohen dita ditës nga shanset e një republike të re që do të vijë për të gjithë shqiptarët" tha Basha duke orientuar mbështetësit e opozitës, që afër mesditës së të djelës të jenë në qytetin e Kavajës, ku do të zhvillohen zgjedhje pjesore  për pushtetin vendor dhe ku sipas shefit të opozitës "për të çliruar Kavajën nga krimi, droga, pasiguria e poshtërimi."

Për opcionin  e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, Rama ishte kategorik, duke theksuar se këmbënguljen se votimet do të zhvillohen më 18 qershor, sipas dekretit te Presidentit Bujar Nishani.