1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu anullohet paraprakisht

28 Shtator 2011

Fillimi i raundit të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës u anullua mbrëmë (27.09) për shkak të insistimit të delegacionit të Beogradit që të arrihet një herë zgjidhja e krizës aktuale në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/12iCg
Raundi i ri anullohet
Raundi i ri anullohetFotografi: DW

Pala serbe e kushtëzon vazhdimin e dialogut me një zgjidhje të pranueshme për të dy palët në kalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak, BE shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e EULEKS-it dhe KFOR-it që të qetësojnë situatën dhe të heqin barrikadat.

"Për delegacionin e Beogradit në këtë moment nuk ekziston asnjë çështje tjetër përveç zgjidhjes së problemeve në kalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak dhe zgjidhjes së krizës akute,“ tha shefi i ekipit të Beogradit, Borislav Stefanovic, menjëherë pas anulimit të fillimit të raundit të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Është absolutisht e pamundur që delegacioni i Beogradit të bisedojë tani me Prishtinën për energjinë eletrike, telefonat dhe iniciativat rajonale, kur ekziston dhunë në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe kur kemi një situatë, ku qëllohet mbi qytetarët e paarmatosur“, tha Stefanovic mbrëmë në Bruksel.

Borislav Stefanovic
Borislav StefanovicFotografi: DW

Kështu delegacioni i Beogradit dhe i Prishtinës në vend që të takoheshin në tryezën e përbashkët në Këshillin e BE, u ndodhën në takime të vecanta me përfaqësuesin e BE, Robert Kuper, dhe zyrtarin e departamentit të shtetit, Filip Riker.

 Zgjidhja e krizës në veri të Kosovës kusht për vazhdimin e dialogut

Qëllimi kryesor i Beogradit në këtë moment është që në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të gjejnë një mënyrë të përshtatshme për funksionimin e kalimeve kufitare Jarinje dhe Brnjak. Dhe ndërsa kryetari i ekipit të Beogradit, Borislav Stefanovic, konsideron se kriza aktuale në veri të Kosovës është rezultat i lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, dhe që ka ardhur deri në përdorimin e panevojshëm të dhunës, kryetarja e delegacionit të prishtinës, Edita Tahiri, ka një këndvështrim të ndryshëm të gjërave:

 „Tensionet janë rezultat i krijimit të pengesave në procesin e implementimit të planit, që ka për qëllim rendin, paqen dhe heqjen e barrikadave, që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të mallarve. Bëhet fjalë për vlera evropiane dhe qëllimi ynë, si qeveri dhe shtet i ri, është që të përmbushim standartet evropiane dhe për këtë kemi mbështetjen e plotë të faktorit relevant ndërkombëtar“, tha Tahiri dje në Bruksel. Në të njëjtën kohë nga zyra e përfaqësueses së lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Ketrin Eshton, erdhi deklarata, që dënonte dhunën, që ndodhi në veri të Kosovës ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Duke bërë thirrje për përmbajtje dhe sjellje me përgjegjësi BE shprehu edhe mbështetjen e plotë për përpjekjet e KFOR-it dhe EULEX-it për të qetësuar situatën dhe për të larguar barrikadat, të cilat edhe sipas vlerësimit të Brukselit kufizojnë lirinë e lëvizjes në Kosovë.

Edita Tahiri
Edita TahiriFotografi: DW

Nëse do të ketë rezultat pozitiv të takimit bilateral të delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës me përfaqësuesit e BE dhe SHBA me rastin e zgjidhjes së krizës në kalimet kufitare Jarinje dhe Brnjak, raundi i shtatë i dialogut duhet të mbahet sot  (28.09) në Këshillin e BE. Në Bruksel dëgjohet edhe se zyrtarët evropianë janë më optimistët në lidhje me përfaqësuesit e delegacionit serb, kur bie fjala për shancet për vazhdimin e shpejtë të dialogut.

Autor: Marina Maksimovic/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama

 

Autor: Marina Maksimovic