1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Diçka normale"- Korrja e kanabisit në Lazarat

5 Gusht 2009

Shqipëria është në hartën e vendeve kultivuese të bimës narkotike canabis-sativa. Ajo mbillet kryesisht në jug e për policinë shqiptare kjo periudhë është një sfidë për ta larguar vendin nga harta e prodhuesve të drogës

https://p.dw.com/p/J3uc
Fshati LazaratFotografi: DW

Lazarati është komuna prej gati 5 mijë banorësh, 4 km larg qytetit të Gjirokastrës, që prej shumë vitesh kultivon bimën narkotike Canabis – Sativa. Tashmë ky është fenomen i njohur, dhe për banorët e saj është diçka normale.

Banorë të fshatit thonë: "Unë dua të jetoj, këtë mënyrë jetese kam. Cfarë të bëj? E mbjell me kubik, e punoj, lakmoj, sa e korr pastaj e shes që të jetoj".

Ndërsa jo pa ironi, një tjetër banor thotë se kjo zgjedhje është e detyruar.

"I detyruar…shumë i detyruar, sakrifikoj, lakmoj, çdo gjë e bëj nga e keqja. Ore do punoj, jam i papunë, i kam të gjithë pa punë. Me sakrifica të mëdhaja, çfarë të bëj, siç bëjnë të gjithë, bëj dhe unë". Ndonëse nuk e shprehin, banorët e komunës ndihen të sigurtë, pasi e kanë garanci për shitjen e produktit të tyre. Vetë kryetari i Komunës Dasho Aliko gjatë një takimi të Komitetit shtetëror antitrafik në Gjirokastër u shpreh se:

"Nuk shtyhet që në Lazarat ne të bëjmë, sikur gënjejmë shtetin e shteti të bëjë, sikur beson te ne."

Duke njohur mjaft mirë situatën, policia shqiptare ka nisur një varg operacionesh në terren, në të gjithë rajonin, kryesisht në zona të tjera të identifikurara të mbjella me bimët narkotike. Në këto operacione janë sekuestruar e djegur mijëra rrënjë si dhe janë ndaluar disa persona. Por të gjithë operacionet nuk do të mjaftonin, nëse nuk do të sigurohet edhe një mbështetje e gjerë e komunitetit. Për këtë qëllim policia shqiptare dhe disa OJF kanë bashkuar forcat për një fushatë të gjerë sensibilizmi antikanabis.

Vernichtung von Cannabis Pflanzen in Lazarat
Policia duke sekuestruar lëndët narkotikeFotografi: DW

"Policia e vetme nuk mund të kryejë plotësisht këtë mision"

Zëdhënësi i drejtorisë së policisë Gjirokastër Genti Mullai pohon se fushata sensibilizuese është shtrirë në të gjithë teritorin e qarkut, pasi siç thotö ai:"Policia e vetme nuk mund të kryejë plotësisht këtë mision, prandaj ajo kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin e komunitetitit të qarkut Gjirokastër, të prindërve, të rinisë, të intelektualëve, të fermerëve, organeve të pushtetit vendor e institucioeneve të tjera shtetërore, OJF-ve, mediave vizive e të shkruara për të parandaluar këtë fenomen, që kërkon të depersonalizojë të rinjtë e fëmijët tanë."

Bashkëpunim ndërkufitar në luftën kundër trafikut të drogës

Një Komitet shtetëror antitrafik është ngritur në Gjirokastër, ndërkohë që dy ministritë e brendshme respketive të Shqipërisë e Greqisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërkufitar në luftën kundër trafikut të drogës.

Drejtori rajonal i kufirit dhe emigracionit Vasil Valera pohon se për luftën kundër trafikut të drogës drejt vendit fqinj kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e homologëve grekë të Drejtorisë së Janinës me qöllim qö: "Të shkëmbejmë informacione nga të dy palët për të realizuar qëllimet për garantimin e kufirit kryesisht për kalimet e drogës e çdo lloj trafiku tjetër." Të njëjtën gjë pohon dhe Drejtori rajonal i kufirit dhe emigracionit të rajonit të Janinës, Thanas Paleopanos: "Fushat e bashkëpunimit janë mjaft të gjera dhe rezultatet nuk kanë munguar. Edhe për këtë periudhë ne po bashkëpunojmë intensisvisht dhe rezultatet do të jenë të dukshme.", thotö ai. Por beteja antidrogë edhe për pak kohë do të mbetet një nga sfidat e vështira të policisë shqiptare për faktin se rrjetet ndërkombëtare janë fuqizuar, sofistikuar dhe kanë ngritur bazat e tyre edhe në Shqipëri.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: Angjelina Verbica