1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dhurimet dhe sponsorizimet për partitë - forma të reja të lobiizmit politik?

Ministri i Jashtëm gjerman qëndroi këto ditë në Amerikën e Jugut. Atë e shoqëronte një delegacion ekonomik i nivelit të lartë. "Der Spiegel" konstaton se janë preferuar sipërmarrës, që i kanë dhënë donacione FDP-së.

Kryeministri i landit Nordrhein-Westfallen, Jürgen Rüttgers.

Kryeministri i landit Nordrhein-Westfallen Ministerpräsident Jürgen Rüttgers nën trysni pas skandalit për sponsorizimet.

220 euro kushtonte një metër katror sipërfaqe ekspozimi në kongresin e FDP-së në Hanover vitin e kaluar. Një ofertë, të cilën e shfrytëzuan shumë sipërmarrje. Gati 70 sponsorë janë radhitur në listën e internetit të FDP-së, që nga Shoqata e Farmacistëve deri te një numër i madh furnizuesish të energjisë, Forumi Gjerman i Energjisë Atomike dhe Institute Private të Sigurimit të Shëndetit deri te prodhues automobilësh si VW dhe Audi.

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

Liberalët e ministrit të Jashtëm Westerwelle kanë pranuar edhe donacione anonime.

Këta të fundit shpenzuan për spektaklin më shumë se 20 mijë Euro, llogarit Heidi Klein e iniciativës Lobby Control: "Audi kishte një stendë prej mbi 100 metrash katrorë në Kongresin e Partisë, këtu kanë rrjedhur shuma të mëdha parash. Por duhet parë se një stendë e tillë nuk është një shpërblim i përshtatshëm për një shumë kaq të madhe parash. Ekziston një çmim i caktuar që paguan partia për sallën, që merr me qira. Kjo është vlera ekonomike e kësaj stende. Pjesa tjetër është një financim i fshehur partish."

Një financim, i cili në fakt askund nuk është dëshmuar në një mënyrë të tillë. "Unë kam parë raporte llogaridhënieje, në to është shënuar rubrika të ardhura të tjera dhe shpenzime dhe të dhëna për këtë nuk gjen askund. Por për qytetarin dhe qytetaren nuk është askund e dukshme se cilat para rrjedhin për sponsorizim në këtë fushë", - thotë Heidi Klein.

Dhe mbi këto shuma parash ushtrohet ndikim. Kështu, në landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë dhe në Saksoni, CDU-ja u krijoi mundësi sponsorëve të fuqishëm që të flisnin personalisht me kryeministrin. Përballë një pagese përkatëse, kuptohet. Për deputetin e Partisë së Majtë, Ulrih Maurer ky është një skandal, sepse është e qartë se sponsorët prisnin përfitime nga takimi.

Deputeti i partisë E Majta Ulrich Maurer.

Partia e 'E Majta' kundër sponsorizimeve për partitë.

"Kur në Gjermani mund ta prenotosh një kryeministër - qoftë edhe për disa orë - sepse pret përfitime nga kjo, atëherë kjo e minon besimin e popullit- dhe për fat të keq të duhet të thuash - besimin që ka ngelur te demokracia."

Më shumë se 80 përqind e qytetarëve besojnë tani se nëpërmjet donacioneve dhe parave të sponsorëve mund të ushtrohet ndikim te politika. Megjithatë, partitë, me përjashtim të të Majtëve nuk duan të heqin dorë nga pagesat. Parti të financuara thjesht nga shteti nuk preferohen nga kushtetuta, thotë deputeti unionist, Ingo Wellenreuther: "Ju e dini, që në bazë të kushtetutës, partitë kanë për detyrë, madje edhe pretendimin, për të kontribuar në krijimin e vullnetit politik të popullit. Për të qenë në gjendje ta bëjnë këtë ato kanë një nevojë të justifikueshme për financim. Në Gjermani ne kemi vendosur në mënyrë shumë të ndërgjegjshme kundër një furnizimi krejtësisht shtetëror të partive dhe e kemi përkufizuar lidhjen me shoqërinë si element të qenësishëm të partive politike."

Por çfarë do të thotë në këtë rast lidhje me shoqërinë? A do të thotë se më shumë politikën mund ta ndikojnë ata që paguajnë më shumë? Nga taksat, partitë marrin çdo vit më e shumta 130 milionë euro. Por kjo me sa duket nuk mjafton. Prandaj partitë pranojnë donacione dhe kuotizacione të anëtarëve, për të cilat megjithatë, në bazë të ligjit për partitë ato duhet të japin llogari me hollësi. Sponsorizimi, i cili është diçka e zakonshme në sport dhe në fushën e kulturës, nuk mbulohet nga ligji për partitë. Prandaj, në kohët e uljes së numrit të anëtarëve dhe të rritjes së shpenzimeve, për partitë është një mundësi atraktive përmirësimi i arkës së partisë.

Edhe për sipërmarrjet sponsorizimi është interesant, sepse nga njëra anë dalja në një kongres partie ka efekt publicitar dhe nga ana tjetër, pagesat mund të zbriten nga taksat si shpenzime operative. Veç kësaj, për paratë e marra nga sponsorët nuk ekziston kufi tavan. Por pikërisht kjo duhet të ndryshojë, thotë Heidi Klein, nga Lobby Control: "Sponsorizimi duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me donacionet, përsa i përket transparencës. Veprime financiare prej 10.000 euro duhet të deklarohen menjëherë, veprime financiare prej 2.000 euro duhet të përmenden në raportin për llogaridhënie të partisë."

Autor: Sabine Kinkartz / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 13.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRxq
  • Data 13.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRxq