1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dhurata të rrezikshme

Qysh nga e hëna ish biznesmeni Karlheinz Schreiber ndodhet në bankën e të akuzuarve në Augsburg. Në vitet 80 dhe 90-të ai pat shërbyer si ndërlidhës për tregtinë e armëve mes prodhuesve gjermanë dhe shteteve të tjera.

Karlheinz Schreiber

Karlheinz Schreiber

46 milionë marka pat marrë Schreiber si shpërblim për ndërmjetësimin e shitjes së disa helikopterëve dhe aeroplanëve të tipit Airbus në Kanada dhe Tajlandë si edhe 36 tankeve zbulues në Arabinë Saudite. Akuza e prokurorisë federale është se ai nuk i ka deklaruar këto të ardhura duke shkaktuar një evazion fiskal prej 20 milionë markash (10,2 milionë euro).

"Ky gjyq nuk merret me përgjegjësitë politike për këto biznese, por me faktin, që zoti Schreiber ka marrë para, të cilat nuk i ka deklaruar tek zyra tatimore", thotë zëdhënësi i Gjykatës së Augsburgut, Karl-Heinz Häusler, në një prononcim për mediet.

Por ky krim fiskal nuk është ai që ka mbledhur qindra gazetarë në gjykatën e qytetit të vogël bavarez. "Ne po presim se çfarë do të thotë ai (Schreiberi). A mos vallë do të duhet të dridhen partitë prej tij?", thotë në një intervistë televizive gazetari Klaus Wiendl, i cili e ndjek dosjen Karlheinz Schreiber qysh nga viti 1995, kur gjykata e Augsburgut pat bërë kontrollin e parë në banesat e multimilionerit bavarez.

Schreiber atëherë u arratis në Zvicër e më vonë në Kanada, ku qëndroi deri në gusht të vitit 2009. Me shumë vështirësi drejtësia gjermane arriti t'i bindte autoritetet kanadeze që ta dërgonin 75-vjeçarin në Gjermani.

Makth për CDU-në

Schreiberi pat thënë dikur: Po fola unë, priten kokat. Dhe ç'është e vërteta, disa koka, si ish-arkëtari i CDU-së, një - sekretari shteti si dhe dy menaxherë të koncernit Thyssen, i kanë kaluar disa vjet burg për shkak të parave që kishin marrë prej tij. Por këta nuk ishin të vetmit që kishin përfituar nga zemërgjerësia e multimilonerit.

Wolfgang Schäuble, i cili në vitin 1999 kur u bë publik skandali në fjalë, ishte kryetar i CDU-së, në fillim thoshte se as që i kujtohej të kishte takuar ndonjëherë një njeri me emrin Karlheinz Schreiber. Derisa doli vetë ish-kancelari Helmut Kohl: "Në periudhën 1993-1998 kam marrë donacione në një shumë prej 1,5 deri 2 milionë marka, pra nga 300 mijë marka në vit," thotë ai në një intervistë televizive por pa i kallëzuar donatorët. Argumenti i tij ishte paksa i çuditshëm për një shtet ligjor: "Kam dhënë fjalën e nderit". Nga kjo aferë Kohli jo vetëm që e humbi postin e kryetarit të nderit të CDU-së, por figura e tij - deri atëherë shumë e respektuar për rolin në bashkimin e Gjermanisë, pësoi një plasaritje të pandreqshme.

Pas kësaj edhe Schäuble u detyrua të pranonte që kishte marrë para nga lobisti i armëve: "M'i dha paratë, të cilat ia dorëzova arkëtares, por tani që bëmë sërish kontrollin, vumë re se ky donacion nuk ishte deklaruar," - pat thënë atëherë ministri aktual i financave. Nuk zgjati shumë dhe ai u detyrua të largohej nga posti i kryetarit të CDU-së për t'ia lërë vendin Angela Merkelit, e cila përfaqësonte brezin e ri e të panjollosur me afera donacionesh.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbUd
  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbUd