1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhuna trondit edhe më tej Kajron

Gjendja në Egjipt ka eskaluar përsëri. Ushtarë dhe demonstrues janë përleshur përsëri në mënyrë të dhunshme me njëri-tjetrin. Ushtarët i kanë shpërndarë protestuesit në sheshin Tahrir, duke i qëlluar me shkopinj gome.

Policia në sheshin Tahir në Kajro

Policia në sheshin Tahrir në Kajro

Kjo është një luftë, që ndodh në mes të kryeqytetit egjiptian Kajro. Edhe natën e së shtunës për të dielën (18.12.2011) pati përsëri trazira të dhunshme mes aktivistëve dhe forcave të ushtrisë. Këta të fundit kishin ngritur më parë një mur betoni mes parlamentit dhe sheshit Tahrir, për të bllokuar rrugën e pjesëmarësve të protestës. Nga frika e të sulmuarit me mjete të ndryshme të forta demonstruesit kishin vënë si mburojë në kokë helmeta, ose kova. Më parë ushtarëve ata u kishin hedhur gurë, mobilje, copa xhami dhe objekte të tjera. Rrugët ishin ndotur me mbeturinat e mbetura.

Të shtunën pasdite ushtria kishte ndërhyrë në sheshin Tahrir. Me ashpërsi të madhe ushtria kishte sulmuar njerëzit. Fotografitë dhe pamjet televizive tregonin se si ushtarë dhe policë qëllonin me shkopinj gome ndaj protestuesve dhe grave, që i kapnin prej flokësh. Të paktën dhjetë njerëz sipas të dhënave zyrtare kanë humbur jetën dhe më shumë se 440 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndër të vdekurit ishte dhe kleriku i lartë Emad Effat.

Sulme të përforcuara të ushtrisë ndaj grave

Ushtria vepron me dhunë kundër demonstruesve

Ushtria vepron me dhunë kundër demonstruesve

Pakënaqësitë e egjiptianëve drejtohen kundër Këshillit ushtarak dhe qeverisë së përkohshme. Në vend që të qetësojë popullin, Këshilli ushtarak sulmon kryengritësit. Para së gjithash përshkallëzohet hapur dhuna ndaj grave. Shumë fotografi dhe video në internet tregojnë se ushtarët i kapnin dhe ua grisnin shallat e kokës dhe bluzat e trupit. "Kjo është forca e meshkujve, është normale kjo?", pyet studentja 19 vjeçare Toqa Nossier, pjesëmarrëse në demonstrata. "Ku është dinjiteti? Askush nuk mund të tolerojë dhe të pranojë atë, që po ndodh këtu. Ushtarakët duan edhe më tej të bllokojnë me rrënjë çdo kritikë. Këshilli ushtarak dëshiron të qëndroje edhe më tej në pushtet", thotë Toqa.

Shumë demonstrues hedhin në erë gazetat, në të cilat informohet për dhunën ndaj grave. "Eshtë kjo ushtria, që do të na mbrojë ne", thërrasin ata në mënyrë retorike ndaj ushtarëve. Edhe Mohamed El-Baradei, ish shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe aktualisht kandidat për president, tha në rrjetin social të internetit Twitter se ushtrisë nuk i vjen turp për veprimet e saj ndaj demonstruesve.

Kryeministri Kamal al-Gansuri nga ana e tij mbrojti ushtarët. Ata nuk i kishin qëlluar demonstruesit. Aktivistë të tjerë kishin qëlluar dhe donin t'ua hidhnin fajin ushtrisë. Al-Gansuri i quajti protestat "kundër-revolucion".

Situatë e rëndë politike

Dhuna shpërthen sërish në Kajro

Dhuna shpërthen sërish në Kajro

Në Egjipt u zhvilluan zgjedhjet e para të lira parlamentare, ku do të bëhet kalimi i qeverisë së përkohshme në një qeveri civile. Votimi në disa raunde do duhet të përfundojë në janar. Për muajin qershor janë planifikuar zgjedhjet presidenciale.

Përleshjet aktuale ishin më të përgjakshmet qysh prej protestave në fund të nëntorit, ku pati 40 njerëz të vdekur. Gjendja në Egjipt është qysh prej rrezimit të ish-presidentit Hosni Mubarak jo stabile. Qysh atëherë Këshilli ushtarak ka frenat në dorë.

Autor: Mimoza Kelmendi( dpa, afp)

Redaktoi: Angjelina Verbica