1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhuna ngadalëson krijimin e qeverisë në Kajro

Një operacion ushtarak i përgjakshëm po e vështirëson formimin e një qeverie kalimtare në Egjipt. Partia salafiste Al-Nur u tërhoq nga negociatat. Pyetja mbetet: kush do të nxjerrë vendin nga kriza?

"Ne kemi vendosur të tërhiqemi menjëherë nga negociatat", njoftoi një zëdhënës i partisë me ndikim Al-Nur nëpërmjet rrjetit social në internet Twitter. Ky hap është një reagim ndaj "masakrës" para ndërtesës së Gardës Republikane në Kajro.

Në foto, Mohammed el-Baradei

Në foto, Mohammed el-Baradei

Vëllazëria myslimane islamike kishte njoftuar më herët se forcat e sigurisë egjiptiane kanë vrarë dhjetra njerëz gjatë shpërndarjes së një demonstrate të mbështetësve të ish presidentit Mohamed Mursi. Qarqet e sigurisë flasin për 42 të vdekur dhe më shumë se 300 njerëz të plagosur. Gjendja e tyre është shumë serioze, u tha më tej.

Sipas raporteve të mediave, islamistët janë përpjekur për të pushtuar një ndërtesë të ushtrisë në periferi të Kajros, kur u hap zjarr mbi ta. Më parë, ishin ndëgjuar zëra se është e mundur që Mursi po mbahej në atë objekt. Ushtria, sipas të dhënave të saj, ka arrestuar reth 200 burra të armatosur.

Situatë shumë e paqëndrueshme e sigurisë

Në fundjavë, partia Al-Nur kishte bllokuar edhe emërimin e fituesit të çmimit Nobel Mohamed El-Baradei për kryeministër të qeverisë kalimtare. Tani salafistët kanë ngritur shqetësimet e tyre edhe kundër teknokratit Siaad Bahaa El-Din, i cili ka punuar për institucione të ndryshme financiare dhe tani është propozuar për të drejtuar qeverinë kalimtare të vendit.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, partia Al-Nur kishte fituar një të katërtën e votave. Më parë ajo ishte aleate e Vëllazërisë Myslimane, nga rradhët e së cilës vjen edhe Mursi. Por kohët e fundit, partia Al-Nur i është bashkuar aleancës opozitare.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Egjipt, ministria e Jashtme në Berlin u tërheq vëmendjen edhe qytetarëve gjerman nga udhëtimet në këtë vend. Në faqen e internetit të ministrisë tani thuhet: "Për shkak të situatës shumë të paqëndrueshme të sigurisë rekomandohet që të mos udhëtohet për në Egjipt". Kjo vlen edhe për udhëtimet në deltën e Nilit. Nga paralajmërimi janë përjashtuar udhëtimet në zonat turistike në Detin e Kuq, si dhe në Luxor dhe Asuan. Gjithashtu i sigurt për udhëtime tranzit konsiderohet edhe aeroporti i Kajros.