1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dhuna në stadiumin e Beogradit - rast për reflektim

Incidenti zbuloi realitetin e marrdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë, si marrëdhënie ku ka dominuar konflikti.

DW: Në Tiranë vazhdon të jetë çështje e nxehtë incidenti në stadiumin e Beogradit , më 13 tetor, të martën e kësaj jave, kur ndeshja e atjeshme e futbollit mes ekipeve kombëtare të dy vendeve përfundoi në dhunë. Shqipëria u drejtoi mbrëmë një notë proteste udhëheqësve të lartë të Serbisë, për ato që i cilëson "veprime antishqiptare" si djegia e flamurit kombëtar, thirrjet për vrasjen e shqiptarëve dhe dhuna fizike mbi futbollistët shqiptarë. Si erdhi, ku e ka burimin s ky incident i rëndë në historinë e re të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë që ka hapur procesi i integrimit europian dhe paqja në rajon?

Albert Rakipi: Incidenti zbuloi realitetin e marrdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë, si marrëdhënie ku ka dominuar konflikti. Incidenti demostroi që për fat të keq ka një armiqësi kolektive ndaj shqiptarëve. Incidenti është krejt i papranueshëm dhe administrimi që po i bën Serbia politike është për të ardhur keq, pasi tregon që si ajo ashtu edheshumica e shoqërisë serbe nuk janë shkëputur dot ende nga e shkuara. Thirrjet „Vrisni shqiptarët të sjellin reminishencën e „Vrisni çifutët“!!. Që Serbia nuk është shkëputur nga e kaluara, duket qartë tek djegja e flamurit të NATO-s në stadiumin e Beogradit. Ky është një veprim që tregon një urrejtje kolektive ndaj NATOs. Për fat të keq, elita politike dhe shumica e shoqërisë në Beograd, identifikojnë Serbinë me regjimin kriminal të Millosheviçit. NATO sulmoi atë regjim dhe jo Serbinë.

DW: A ka sot probleme të pazgjidhura mes Shqipëris ëdhe Serbisë?

Albert Rakipi

Albert Rakipi

Albert Rakipi: Jo , nuk ka. Qëndrimi ndaj NATOs, politikave të BE dhe Kosovës, si shtet i pavarur, janë të vetmet çështje që ndajnë Shqipërinë nga Serbia. Shqipëria mbështet politikat europiane të BE dhe është shprehur qartë për politikën europiane dhe të ardhmen europiane të rajonit. Shqipëria mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndërsa Serbia nuk përkrah sanksionet e BE kundër Rusisë duke treguar dilemën e saj për orientimin dhe të ardhmen në BE. Për më tepër Serbia dhe Rusia kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake në kufi me Kroacinë, një vend anëtar i NATO-s, kanë marrëveshje ne fushen e ekonomisë por edhe në fusha për cështje të sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria është pro- perëndimore, ndërsa Serbia ka mbetur peng i të shkuarës së saj.

DW: Dr. Rakipi ka një akuzë publike ndaj autoriteteve drejtuese politike të Tiranës për përfshirje në incidentin e flamurit kombëtar të Shqipërisë, me hartën e të ashtuquajturës „Shqipëri Etnike. A është e ashtuaquajtura“Shqipëri e Madhe“apo „Shqipëri Etnike“ në axhendën politike të Tiranës?

Albert Rakipi: Le të filloj me akuzën publike që përmendni: është për të ardhur keq për menaxhimi që po i bën Serbia politike incidentit, akuza e Beogradit është krejt e stisur dhe e pabazë. Për veprimin e një individi nuk mund të fajësohet shteti. Ndërkohë që është e faktuar që policët serbë dështuan të ruajnë rendin dhe sigurinë në stadium, që policët, pra shteti, goditi dhe ushtroi dhunë ndaj futbollistëve shqiptarë. Çfarë po ndodh me autoritetet politike të Beogradit? Kryeministri, Presidenti në fakt i janë futur garës kush e kush të jetë më antishqiptar. Mendoj që kjo është pasojë e problemeve të brendshme për pushtet në Beograd në një mjedis armiqësor. Sa për Shqipërine e madhe apo Etnike asnjë qeveri, asnjë parti politike, organizatë apo individë me ndikim nuk e kanë mbështetur dhe as e mbështesin të ashququajturin projekt të Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mbështet NATO-n, si vend anëtar i NATO-s nuk mund të ketë pretendime territoriale ndaj vendeve fqinjë. Shqipëria mbështet BE, të ardhmen europiane. Duhet vënë në dukje gjithashtu që Pavarësia e Kosovës bëri që projekte të tilla të jenë vertet krejt të paqëna.

DW: Kryeministri Rama konfirmoi së fundmi se do të realizojë vizitën e tij, të mërkurën e ardhshme, më 22 tetor, në Beograd dhe “nuk do të lejojë që incidenti ta prishë atë.” Cili është opinioni juaj për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd?

Albert Rakipi: Diplomacia europiane i referohet vizitës së kryeministrit Rama në Beograd si e para e një kryeministri shqiptar pas 68 vitesh, duke neglizhuar kështu zhvillimet pozitive në marrdhëniet mes dy vendeve pas rënies së regjimit të Millosheviçit, duke filluar me vizitën e e ish zv. kryeministrit dhe ish Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në 2003 në Beograd, madje para shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Sjell këtu në vëmendje edhe vizitat e ndërsjellta Beograd- Tiranë dhe Tiranë -Beograd në nivel ministrash të jashtëm. Mendoj që kjo përqasje e diplomacisë europiane ndaj vizitës së Ramës më 22 Tetor në Beograd neglizhon në fakt një realitet: problemet nuk janë mes Shqipërisë dhe Serbisë por mes Serbisë dhe Kosovës. Vizita e Ramës në Beograd është një rast i mire për një artikulim më të qartë të përpjekjeve që ai vetë , si kryeministër po bën për modernizimin e politikës së jashtme në Ballkan, për thyerjen e klisheve të së kaluarës. Vizita e Ramës pritet të ketë një impakt pozitiv, por theksoj që marrdheniet mes Shqiperisë dhe Serbise varen nga marrdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Serbia e ka njohur “de facto” Kosovën, pritet ta njohë”de jure”.

DW: A ka vend për të reflektuar, nxjerrë mësime nga incidenti në stadiumin e Beogradit, e kam fjalën për të gjitha palët?.

Albert Rakipi: Lidershipi i ri i BE duhet të kuptojë që nuk mund të ketë tolerancë pa kufi - fakti që një vend si Serbia dëshëron të anëtarësohet në BE dhe refuzon të mbështesë politikën e BE lidhur me Rusinë pasqyron një realitet që BE e ka injoruar dhe që po thellohet në çështje që lidhen me BE. BE duhet të reflektojë në nevojën që popujt e Ballkanit të ballafaqohen me të shkuarën, duhet të reflektojë faktin që pajtimi duhet bërë në rradhë të parë mes Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria është shquar për politikën e saj konstruktive dhe bashkëpunuese në rajon por i duhet të riformulojë interesin kombëtar, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të angazhohet më shumë në modernizimin e politikës së jashtme në Ballkani. Kembëngul që Serbia duhe të ndahet nga e shkuara dhe të shikojë përpara.

Intervistoi: Ani Ruci