Dhuna në familje dhe martesa me detyrim | Gjermania | DW | 20.04.2012
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dhuna në familje dhe martesa me detyrim

Temë qendrore në konferencën islame ishte sivjet dhuna në familje. Ndryshe nga viti i kaluar kësaj rradhe ishte harmoni mes ministrit të Brendshëm dhe shoqatave muslimane. Por mosbesimi nuk është zhdukur krejtësisht.

Edhe pse konferenca gjermane për fenë islame këtë vit u zhvillua nën hijen e shpërndarjes së kuranit nga salafistët radikalë islamikë, ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, nuk e ndryshoi programin e takimit. Për herë të parë muslimanët në Gjermani me një deklaratë të përbashkët kanë dhënë një mesazh të qartë kundër dhunës në familje dhe martesës me detyrim. Kjo temë ishte ndër kryesoret në konferencën e shtatë për fenë islame, të enjten (19.4.) në Berlin.

Konferenca dënon dhunën në familje dhe martesën me detyrim

Ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich

Ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich

Dhuna në familje dhe martesa e detyruar janë shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Në Gjermani ato përbëjnë vepra penale. Anëtarët e konferencës gjermane për fenë islame theksuan se dhuna në familje dhe detyrimi për të lidhur martesë janë ndërhyrje të rënda në personalitetin dhe të drejtën e personit për të vetëvendosur, si dhe përbëjnë cënim fizik, prandaj janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Diskutimi për "barazinë gjinore" në konferencën gjermane për fenë islame përfundoi me një deklaratë konkrete. E ngarkuara federale për Integrimin, ministrja e Shtetit, Maria Bëhmer, e vlerësoi kështu vendimin: "Kjo tregon: se ne nuk duam asnjë dhunë në familje, ne nuk duam të ketë martesa të detyruara dhe nëse kjo thuhet në mënyrë kaq të qartë nga shoqatat muslimane, atëherë unë e shoh si një hap të madh përpara dhe si një shans të madh për gratë muslimane në vendin tonë."

Ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, theksoi para shtypit, se qëllimi i kësaj deklarate është të bëhet e qartë: "Se dhuna në familje dhe martesa e detyruar nuk janë rezultat i pikëpamjeve fetare, por e kanë bazën në strukturat tradicionaliste patriarkale nga vendet përkatëse të origjinës dhe nuk kanë të bëjnë aspak me fenë dhe islamin. Megjithëse ka mendime të ndryshme për çështjen: Çfarë roli luan feja?"

Paralajmërim nga propaganda salafiste

Ministri i Brendshëm Friedrich dhe pjesëmarrës në konferencën për fenë islame

Ministri i Brendshëm Friedrich dhe pjesëmarrës në konferencën për fenë islame

Në konferencë u fol edhe për shpërndarjen e kuranit nga salafistët në Gjermani. Kjo nuk është një temë e re, as për pjesëmarrësit e konferencës për fenë islame, as për organet e sigurisë, tha ministri i Brendshëm Friedrich: "Konferenca për fenë islame në grupin e saj të punës, "prevencioni", është ballafaquar që nga fillimi me tendenca ekstreme dhe fundamentaliste, edhe me ekstremizmin tek salafistët. Qysh në një raport të marsit të vitit të kaluar grupi përkatës i punës "prevencioni" ka vënë në dukje se pretendimi i salafizmit për absolutizëm, me anë të të cilit duhet të veprohet edhe në shoqëri, nuk është në përputhje me kushtetutën tonë".

Kjo gjeti shprehje disa herë edhe gjatë konferencës, tha e ngarkuara federale për Integrimin, Maria Bëhmer: "Unë isha shumë mirënjohëse, që shoqatat muslimane u pozicionuan aq qartë kundër salafizmit. Dhe ajo, që unë mora me vete nga kjo konferencë, është që shoqatat muslimane e shohin se duhet të bëjnë punë me të rinjtë për arritur tek të rinjtë muslimanë, me qëllim që ata të mos i shkojnë pas pastaj njerëzve të tillë, si salafistët, që kanë synim vetëm të radikalizojnë."

Shoqatat muslimane distancohen nga salafistët

Sa i përket diskutimit për salafistët, Kenan Kolat, kryetari i bashkësisë turke në Gjermani, tha se nuk duhet të ekzagjerohet kjo çështje. Kështu shoqatat islame që në vitin 2009 kanë bërë një deklaratë të përbashkët në lidhje me grupimet islamike, e jo vetëm për salafistët: "Unë e them fare qartë: Nëse këto grupime ngrenë lart dhunën, nëse këto grupime janë kundër rendit të lirë e demokratik, atëherë ata duhet të ndalohen. Botëkuptimi i këtyre grupimeve nuk është botëkuptimi ynë."

Kenan Kolat, kryetar i bashkësisë turke në Gjermani

Kenan Kolat, kryetar i bashkësisë turke në Gjermani

Në 12 muajt e ardhshëm sipas ministrit të brendshëm Friedrich duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë temës së "prevencionit", si në çështjen e islamizmit, edhe salafizmi do të luajë një rol këtu, por edhe në çështjen e "islamofobisë", që është gjithashtu një temë, që duhet të na shqetësojë, si dhe në atë të anti-semitizmit në mesin e muslimanëve. Me siguri pikërëndesa do të bjerë tek 'islamofobia."

Suksesin e konferencës së sivjetshme për fenë islame e ngarkuara federale për Integrimin, Maria Bëhmer, e përshkruan me këto fjalë: "Ky takim tregon se ne afrohemi. Dhe ky është një rezultat shumë i rëndësishëm. Natyrisht që në pika të ndryshme mund të kemi mendime të ndryshme, por këto mendime të ndryshme duhet edhe t'i shkëmbejmë e pastaj të kemi një bazë të përbashkët."

Kenan Kolat, i komunitetit turk në Gjermani, e sheh suksesin e konferencës për fenë islame në faktin se është kuptuar, që islami është i shumëllojshëm dhe kompleks dhe mësohet të bëhen diferencime.

Në konferencën e sivjetshme morën pjesë 17 përfaqësues nga federata, landet dhe komunat, duke përfshirë përveç Unionit turk-islam, Institutin për Besimin (DITIB), edhe Shoqatën e qendrave Kulturore Islame (VIKZ). Të ftuar ishin edhe dhjetë muslimanë të pavarur.

Autor: Sabine Ripperger/Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti