1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dhuna në Bullgari ishte paralajmëruar

Demonstruesit në Bullgari duan të fshijnë të gjithë sistemin, por nuk kanë ndonjë alternativë tjetër. Për këtë arsye dhuna shkallëzohet, komenton Alexander Andreev.

Protesters clash with Bulgarian riot police during an anti-government protest in front of the parliament building in Sofia Tuesday, July 23, 2013. Police in riot gear pushed away the protesters and formed a corridor to allow those trapped since Tuesday out of the building. Anti-government protests in Bulgaria's capital have been going on for 40 days, and escalated on Tuesday evening as several hundred demonstrators trapped 109 people including three ministers, some 30 lawmakers and their staff inside Parliament. (AP Photo/Georgi Kozhuharov)

Proteste in Bulgarien

Vetëm 10 javë pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari gjendja është shkallëzuar në mënyrë dramatike. Në natën duke u gdhirë e mërkura (24. korrik 2013) qindra demonstrues bllokuan ndërtesën e parlamentit. Në përleshjet me policinë u plagosën së paku 18 vetë, ndër ta edhe mjaft policë. Kjo dhunë i jep një përmasë të re protestave në Sofje.

Duhet thënë se shkallëzimi i protestave ishte paralajmëruar shumë kohë më parë: një grupim militant i demonstruesve dhe shumë diskutantë të ndezur të forumeve online kishin bërë thirrje prej kohësh për veprime të dhunshme: "Duhet fillimisht të derdhet gjak, të thyen disa xhama dhe të bien disa koka, që të ndryshojë diçka - ky ishte tenori cinik i postimeve online."

Por çfarë duhet të ndryshojë saktësisht? Një pyetje për të cilën demonstruesit nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete. Pikërisht kjo e ka futur gjendjen politike në një rreth vicioz. Sepse demonstruesit bullgarë që protestojnë prej më shumë se 40 ditësh kanë një kërkesë të thjeshtë dhe njëkohësisht shumë të përgjithshme: I gjithë sistemi i korruptuar dhe nepotist duhet të largohet. Për shumicën e qytetarëve një gjë e kuptueshme.

Qe nga rrëzimi i komunizmit në vitet 1989-1990, Bullgaria qeveristet nga rrjete oligarkike dhe klienteliste. Praktikisht të gjitha partitë dhe koalicionet që ngjiten në pushtet, u shërbejnë interesave të aktorëve më të mëdhenj të ekonomisë - apo më keq interesave të grupimeve në hije, - organizata kriminale këto që e filluan karrierën e tyre me presione parash, e më pas zunë pjesë të fuqishme të tregut. Tek ky sistem i ndotur, të cilin demonstruesit duan të largojnë bëjnë pjesë edhe rrjetet e ish-sigurimit të shtetit, të cilët kanë dorë jo vetëm sistemin e shërbimit informativ, por edhe kanalet e kontrabandës - të vjetrat e të rejat që kalojnë përmes Bullgarisë. Kësaj gjendjeje i shtohet një sistem drejtësie i korruptuar, ku avokatët dhe gjyqtarët zbatojnë direkt detyrat partiake dhe mbushin xhepat. Apo shpërndarja e tenderave shtetërorë dhe fondeve të BE-së, që shpesh jepen tek miqtë e partisë kundrejt dorovitjeve në para. Imazhi negativ i qytetarëve për politikën nuk bazohet në fjalë tavolinash, një gjendje e tillë është dokumentuar shpesh nga protokollë përgjimi ilegalë.

Asnjë rrugëdalje në horizont

Nuk kanë bullgarët arsye të mjaftueshme për të larguar këtë sistem? Po, shumë arsye! Problematika qëndron tek mungesa e alternativës tek vetë demonstruesit. Ata nuk kanë themeluar ndonjë parti politike, nuk mbështesin asnjërën nga partitë e njohura, por vetëm mbrohen me forcë kundër të gjitha përpjekjeve për t'u instrumentalizuar politikisht.

Veç disa objektivave të përgjithshme, ata nuk kanë ndonjë katalog të qartë masash të nevojshme që duhen zbatuar në sistemin arsimor në krizë, në sistemin shëndetësor, furnizimin me energji, apo në ekonominë në stanjacion. Politikanët dhe ekspërtët që i mbështesin protestat përpiqen që të krijojnë një koalicion politik dhe të bëjnë një punë përgatitore programatike, por ende pa sukses. Kjo edhe për shkak se vetë protestave iu mungon kompaktësia, nga ana politike aty përzihen si qëndrimet e majta ashtu edhe ato të djathta.

Episod i vogël i një historie të trishtë

Përpara këtij sfondi kërkesat e demonstruesve drejtuar qeverisë së Plamen Orescharskit për dorëheqje janë të nxituara dhe tingëllojnë më shumë të dëshpëruara. Sepse kabineti shumë i dobët i socialistëve dhe partisë së turqve bullgarë, që nuk ka mazhorancën e vet dhe vetëm durohet nga partia nacionalekstremiste, Ataka, -  nuk është gjë tjetër veçse një episod i vogël i historisë së trishtë të post-anëtarësimit të Bullgarisë në BE. Edhe sikur qeveria të japë dorëheqjen, nuk do të ndryshojë gjë në zgjedhjet e dyta të parakohshme në vend këtë vit. Demonstruesit nuk kanë kohë të organizohen politikisht dhe teknikisht për zgjedhje.

Lenini i tallur në të gjithë Europën Lindore shkroi dikur se kemi të bëjmë me "një "situatë revolucionare" kur "ata lart nuk munden më dhe ata poshtë nuk durojnë dot më". Pikërisht kështu e përjetojnë gjendjen shumë bullgaë. Për shkak se ethshëm kërkohet një zgjidhje nga ky rreth vicioz i gjendjes politike në vend, shkallëzimi i protestave dhe heqja e bllokadës së parlamentit nga policia duken si të vetmet pasoja logjike. Por një revolucion i vërtetë në Bullgari nuk ka për të ndodhur.