1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhuna në Afganistan vazhdon

Mijëra njerëz vazhdojnë të protestojnë për të shprehur zemërimin e tyre për djegien e librave të kuranit. Qeveria amerikane është përpjekur të çtensionojë situatën, por pa sukses.

Trazira në Afganistan pas lutjes të së premtes

Trazira në Afganistan pas lutjes të së premtes

Dhuna e protestat në Afganistan vazhdojnë. Shtatë trajnues ushtarakë janë plagosur të dielën. NATO konfirmoi një shpërthim të ndodhur në bazat e saj në Veri të vendit. Qeveria amerikane ka kërkuar pas vrasjes së dy oficerëve amerikanë në Ministrinë e Brendshme Afgane, mbrojtje më të mirë të trupave të NATO-s. Incidenti është i papranueshëm, deklaroi Pentagoni. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta kërkoi në një telefonatë me kolegun e tij afgan Abdul Rahim Wardak marrjen e masave përkatëse. Zyra e presidentit në Uashington deklaroi se presidenti Barack Obama përshëndet thirrjen e presidentit Hamid Karzai për qetësi dhe dialog. Komandanti i NATO-s dhe trupave amerikane në Afganistan tërhoqi pas ngjarjes të gjithë këshilltarët e vet, që ndodheshin në ministrinë afgane. Vrasjet i morën përsipër talibanët radikalë islamikë. Ato kanë qenë një aksion hakmarrës për përdhosjen e kuranit nga ushtarët amerikanë.

Mijëra njerëz kanë vazhduar të protestojnë në mbarë vendin, të indinjuar për incidentin e fillimit të javës në bazën ushtarake Bagram. Qeveria amerikane është përpjekur që të çtensionojë situatën shpërthyese të krijuar nga djegja e shkrimit të kuranit, duke kërkuar falje. Këto përpjekje megjithatë deri tani nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Thirrje për hakmarrje

Edhe në xhamitë shkarkohet zemërimi i besimtarëve, si në Kabul. Mullahu Aiyaz Niasi akuzon ushtarët e NATO-s: "Ajo, që ju keni bërë, nuk riparohet me të kërkuar falje. Ju nuk keni tradhtuar vetëm një komb. Ju keni tradhtuar miliona myslimanë në mbarë botën. Turp për ju."

Për dijetarin fetar, i cili jep mësim edhe në universitetin e Kabulit, është më se e qartë, se çfarë duhet të ndodhë tani. „Ata, që përdhosin kuranin, duhen identifikuar", kërkoi mullahu dhe ata duhen të marrin me dënimin me të rreptë, që ekziston.“ Ai e ka fjalën për dënimin me vdekje.

Atmosferë shpërthyese

Policë afganë janë të vendosur në pikat kritike

Policë afganë janë të vendosur në pikat kritike

Në Kabul pas namazit të së premtes u krijuan disa kordonë me protestues. Burra të zemëruar u drejtuan nga pallati presidencial, kuartieri qëndror i ISAF-it dhe ambasada amerikane. Atmosfera ishte shpërthyese dhe forcat e sigurisë ishin në gjendje të lartë gatishmërie. Në të gjitha pikat kritike të qytetit ishin vendosur policë afganë, që përpiqeshin të shpërndanin turmën me të shtëna paralajmëruese. Por demonstruesve kjo nuk u bënte shumë pështypje dhe pas një tërheqjeje të shkurtër ato u mblodhën përsëri.

"Të pafetë kanë djegur kuranin tonë, librin në të cilin besojmë. Ne kemi ardhur këtu në pallatin presidencial, për t'i thënë Karsait, se Afganistani është një vend islamik dhe asnjë i pafe nuk ka të drejtë të fyejë islamin. Përse të huajt duan të shkatërrojnë islamin, në vend që të forcojnë demokracinë afgane? Nuk nuk tolerojmë, që ata të na fyejnë ne dhe kuranin.“

Gurët fluturonin, flakët bubulonin, të shtënat çanin ajrin. Pati shumë viktima të reja këtë të premte të shenjtë. Nga Kabuli në qendër, Baghami në veri dhe Herati në perëndim njoftohen të vdekur dhe të plagosur. Edhe në pjesë të tjera të vendit ka akte dhune. Numri i përgjithshëm i të vdekurve edhe në ditën e pestë të protestave është i madh. Ushtria gjermane Bundeswehr-i ishte kujdesur të marrë masat që para namazit të së premtes dhe ishte larguar nga një postë e vogël në Taloqan, në provincën afganoveriore Takhar. Baza ndodhet në qytet dhe mund të sulmohej. Personeli ushtarak dhe civil u tërhoq që andej në kampin më të sigurtë në Kundusin fqinj.

Në Afganistan përplasen me njëra-tjetrën botë paralele

Këtë e tregon edhe përshkrimi i punëtorëve të rinj afganë të kampit, të cilët ndërhynë të hënën e kaluar në bazën amerikane Bagram kundër djegjes së kuranit. „Ne u kemi thënë ushtarëve amerikanë, se do ta nxjerrim kuranin nga zjarri. Pa marrë parasysh se sa të fuqishëm janë ata, ne do të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut për kuranin dhe Zotin. Ne u kemi thënë, se për ne nuk ka problem të vdesim si martirë. Biles do të na bënte krenarë."

Për myslimanët besimtarë çdo përdhosje e kuranit është mëkat mortor. Ka rregulla strikte, si duhet të veprohet me librin e shenjtë. Afganistani është një vend thellësisht fetar dhe shumë konservator. Më shumë se 30 vjet luftë dhe dhunë e kanë forcuar madje besimin e shumë njerëzve, sepse së paku feja jep mbështetje në kaosin e varfërisë, dhunës dhe shtypjes. Incidenti në Bagram ka sjellë një çarje të thellë ndërmjet popullsisë afgane dhe perëndimit. Këtu nuk mund të ndryshojë dot gjë as të kërkuarit ndjesë nga presidenti amerikan Barack Obama.

Autor: Sandra Petersmann/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama