1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dhuna kundër gruas në Shqipëri - shqetësim

Fenomeni i dhunës ndaj grave vijon të jetë prezent në Shqipëri. Por ndërkohë është rritur numri i denoncimeve të dhunës nga ana e grave. Shqetësim mbi këtë fenomen shprehin edhe ambasadorët e huaj.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Duke shprehur shqetësimin për një problem të mprehtë të shoqërisë shqiptare, një grup ambasadorësh të huaj që punojnë në Tiranë kanë adresuar ditët e fundit në opinionin publik një letër të hapur ku kërkojnë vëmendje më të madhe nga autoritetet dhe nga shoqëria në parandalimin dhe penalizimin e këtij fenomeni.

Mbrëmja e së enjtes (03.02) ka qenë fatale për dy gra në Tiranë, të cilat kanë humbur jetën nga armët e zjarrit. Eleni B., 34 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, me profesion laburante dentale, u qëllua disa herë për vdekje nga një person i paidentifikuar ende nga policia, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj. Ndërkohë që 25 vjeçarja Megi J. nuk i rezistoi dot plagëve të rënda në spital, pas plumbave që mori rastësisht gjatë përleshjes së grupeve rivale në njërën nga lagjet e kryeqytetit.

Denoncim dhe heshtje

Autoritetet policore dhe gjyqësore pritet që të zbardhin rrethanat e këtyre dy akteve të rënda, por ajo që është e dukshme është përsëritja e krimit me vrasje ku në shënjestër janë gratë. Dorën dhe armën ndaj tyre e ngrenë dhe pjesëtarë të familjes, më së shumti bashkëshortët. Po t'i referohemi statistikave zyrtare që ofron policia vetëm gjatë vitit 2011 janë regjistruar 17 raste të grave që janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, në një kohë që në sportelet e komisariateve të policisë dhe në mjediset e gjykatave është shtuar numri i denoncimeve që bëhen nga femrat për ushtrim dhune nga burrat e tyre ose anëtarë të tjerë të familjes.

Tirana

Tirana

Për aktivistët e shoqërisë civile problem është dhe numri i lartë i atyre rasteve që nuk arrihet të denoncohen në organet kompetente duke e mbajtur në mënyrë permanente aktin e ushtrimit të dhunës ndaj femrave brenda familjes dhe jashtë saj. Megjithëse ka patur disa herë ndryshime të legjislacionit në favor të barazisë gjinore, në favor të parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës ndaj grave, sërish fenomeni gëlon në shoqërinë shqiptare.

Letra e diplomatëve perëndimorë

Ditët e fundit një grup diplomatësh përendimorë, ambasadorë, nëpunës dhe drejtues të misioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri, kanë drejtuar një letër publike ku kanë shprehur shumë shqetësim për prezencën e fenomenit të ushtrimit të dhunës ndaj grave. “Për të konsoliduar më tej të drejtat e grave, ne nxisim autoritetet kombëtare që të garantojnë që legjislacioni penal t'i sigurojë mbrojtjen dhe mekanizmat e përshtatshëm ligjorë të mbijetuarave të dhunës në familje. Ne vazhdojmë të jemi mjaft të shqetësuar nga statistikat zyrtare që tregojnë se 17 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre gjatë vitit të kaluar. Më e rëndësishme është nevoja për të penalizuar si dhunën me bazë gjinore ashtu edhe dhunën në familje.“ - thuhet mes të tjerave në këtë letër.

Duke mos qënë vetëm në pozitat e konstatimit të gjendjes, grupi i diplomatëve ka nxitur parlamentin shqiptar, por dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë drejtim që shfrytëzojnë ndryshimet e pritshme për të garantuar “standardet ndërkombëtare të vendosura nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas, së bashku me harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor te BE-së për të siguruar de facto të drejta të barabarta si për burrat edhe për gratë.

Njëra nga nënshkrueset e letrës publike është dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper. Ajo shprehet për DW-në se përballë prezencës së këtij fenomeni, iniciativa e grave ambasadore ka patur mundësi që t'i japë zë këtij shqetësimi.

Ambasadorja gjermane në Tiranë , Carola Müller-Holtkemper

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper

“Një efekt i parë pozitiv i një vetëdijeje të re më duket, se është fakti që gjithnjë e më shumë gra po denoncojnë dhunën kundër tyre, dhe nuk po heshtin më. Dhunë kundër grave, për fat të keq, ka kudo - edhe në Gjermani. Por këtu duhet punuar me pozicionimin ndaj këtij fenomeni. Dhuna kundër grave - qoftë kjo edhe brenda një raporti martesor - duhet të gjejë përbuzjen e shoqërisë. E për këtë qëllim është e nevojshme nga njëra anë të ketë sanksione rigoroze, por para së gjithash duhet të ekzistojë veprimi dhe ndërhyrja e organeve kompetente të policisë apo gjykatave përkatëse”.

Ndërkohë që për problemin e angazhimit më të madh të vajzave dhe grave në politikë, në zbatim të kërkesave që ka Kodi Zgjedhor, kryediplomatja gjermane në Shqipëri shprehet për Dë-në: “Me kënaqësi konstatohet se angazhimi politik  i shqiptareve është gjithashtu në rritje; e rëndësishme është në fund të fundit, që ato të mund të fitojnë besimin e zgjedhësve. E megjithatë mbetet ende shumë për të bërë, pasi partitë politike jo vetëm që nuk e kanë ruajtur kuotën e përcaktuar të kandidateve femra, por as edhe u dënuan për këtë”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM