1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhunë e re pas marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës

Vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të shpallur nga Izraeli, të dielën pati sërish shpërthime dhune në Rripin e Gazës. Grupe militante palestineze dhe Hamasët, ranë dakord për një armëpushim njëjavor.

Ushtar izraelit afër kufirit Izrael-Gaza, 19 janar 2009.

Ushtar izraelit afër kufirit Izrael-Gaza, 19 janar 2009.

Njësi të armatosura tankiste izraelite nisën të dielën pasdite tërheqjen: nga pozicionet e tyre në veri pranë Beit Lahjas, si dhe në jug të qytetit të Gazës, pranë ish-kolonisë hebreje Necarim, bënë të ditur dëshmitarë palestinezë. Njëkohësisht me fillimin në Sharm el Sheih të Egjiptit, të takimit të nivelit të lartë për Gazën, nën drejtimin e presidentit egjiptian Hosni Mubarak, numri dy i byrosë politike të Hamasve, Musa Abu Marsuk, lexoi në Damask një deklaratë të përbashkët të grupimeve palestineze: "Ne, fraksionet e rezistencës palestineze, deklarojmë një armëpushim në Gazë. Ne e ripërtërijmë kërkesën tonë dhe kërkojmë një tërheqje të plotë brenda një jave të armikut nga Rripi."


Gaza 15 janar 2009

Gaza 15 janar 2009

Një numër i madh njerëzish u nisën pasdite drejt shtëpive të shkatërruara në Rripin e Gazës, për të kërkuar atje objekte që ende mund të hyjnë në punë.

Armëpushimi është i brishtë

Izraeli ka dorë të lirë për të reaguar ndaj "terrorit" nga Gaza. Këtë e deklaroi kryeministri Ehud Olmert, të dielën paradite, në çelje të mbledhjes së kabinetit në Jeruzalem. Nëse Hamasët e ndërpresin plotësisht goditjen me raketa, atëherë Izraeli mund të mendojë për një tërheqje të ushtarëve nga Rripi i Gazës. Në rast sulmesh të grupeve ekstremiste palestineze, forcat e armatosura kanë "lirinë operative për të reaguar."


"Ne shpresojmë se zjarri do të pushojë, pasi ne ta kemi pushuar zjarrin tonë. Por ai mund të vazhdojë, atëherë ushtria do të reagojë."


Tzipi Livni dhe ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice, në Uashington 16 janar, 2009.

Ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni dhe ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice, në Uashington 16 janar, 2009.

Beteja të ashpra me Hamasët e armatosur

Të dielën në mëngjes, në veri, në afërsi të Beit Lahjas u zhvilluan betejat e para të ashpra me Hamasët e armatosur. Rreth orës 9, gjashtë raketa Kasam ranë në afërsi të qytetit izraelit Sderot, pa shkaktuar dëme, bënë të ditur mediat izraelite. Njëri nga këshilltarët kryesorë të ish- kryeministrit të Hamasve, Ismail Hanija, Ahmed Jusef, i tha programit në gjuhën angleze të televizionit arab, El Xhazira, se Izraeli nuk dëshiron të flasë për propozimet egjiptiane për një armëpushim të dyanshëm dhe se mashtron botën me deklaratën për armëpushimin e njëanshëm: "Ata (izraelitët) e dinë: për aq kohë sa të jenë në Gaza, neve na duhet të mbrohemi dhe të qëllojmë me raketa, edhe për t'i treguar botës se ka akoma palestinezë, që vuajnë nën pushtim dhe sanksione."


Tym i dalë nga bombardimet izarelite në Rripin e Gazës, 15 janar 2009.

Tym i dalë nga bombardimet izarelite në Rripin e Gazës, 15 janar 2009.

Pasoja të rënda shpirtërore në popullatën civile

Programi i Ndihmës për Zhvillim të OKB-së për palestinezët, UNDP, paralajmëroi në një deklaratë të shpërndarë paradite, për pasoja afatgjata shpirtërore të operacionit ushtarak në popullatën civile të Rripit të Gazës. Dhjetëra mijëra palestinezëve u janë shkatërruar sistematikisht në tri javët e shkuara bazat për të jetuar, shtëpitë, pajisjet shtëpiake dhe pasuri të tjera. Dëmet e tejkalojnë shkatërrimin psiqik: vuajtja e drejtpërdrejtë e fëmijëve, e grave dhe burrave, për shkak të ekspozimit ndaj dhunës do të ketë pasoja për vite të tëra. Zëdhënësi i Organizatës për Ndihmën ndaj Refugjatëve, UNWRA, Adnan Abu Hasna tha në radion izraelite: "Besoj se çelësi është ekonomia. Jam i bindur, se nëse në Gazë do të ketë cilësi jete dhe të ardhme, atëherë askush nuk do të qëllojë me raketa të çfarëdolloji jugun e Izraelit. Por, shoqëria është krejtësisht e shkatërruar, nuk ka të ardhme, vdekja dhe jeta janë krejtësisht të barabarta - kur nuk ke të ardhme, atëherë kërkon probleme, në familje, ose përtej kufirit."


Që prej fillimit të operacionit ushtarak më 27 dhjetor, sipas të dhënave të OKB-së, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 1.200 palestinezë dhe mbi 5000 janë plagosur.


AUD/ca

DW.COM

  • Data 19.01.2009
  • Autor Klemens Verrenkote
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GbKk
  • Data 19.01.2009
  • Autor Klemens Verrenkote
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GbKk