1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhunë dhe zjarr në Myanmar

Qeverisë së Myanmarit i jep tonin një nobeliste e paqes, por në veriun e vendit ka shpërthyer dhuna. Pas sulmit ndaj një posti ushtarak, forcat e ushtrisë po kundërpërgjigjen ashpër. 2600 fshatra janë djegur.

Për qeverinë e Myanmarit dhe nobelisten e Paqes, Aung San Suu Kyi situata është e qartë: Militantë myslimanë të etnisë Rohingyas po djegin fshatrat në landin verior, Rakhine pas sulmeve ndaj pikave ushtarake. Por pjesëtarët e pakicës myslimane në Myanmarin budist rrëfejnë një tjetër histori, njofton agjencia e lajmeve, dpa. Sipas tyre ushtarët, rojet e kufirit dhe banorët budistë të Rakhines po u vënë zjarrin shtëpive dhe qëllojnë ndaj Rohingyave. Brenda një jave kanë humbur jetën 400 vetë, bëri të ditur ushtria. Që nga 25 gushti kanë marrë arratinë 58.600 pjesëtarë të pakicës myslimane, Rohingya në Bangladeshin fqinj, bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara. 2600 shtëpi janë djegur.

Dhuna aktuale është më e rënda nga trazirat e vitit 2012. "Nuk e dimë se kur do të vdesim", thotë Hla Tun, një banor mysliman në telefon. Ai endet nga fshati në fshat. "Mendoj se është një katastrofë absolute", thotë Chris Lewa nga organizata humanitare, Arakan, që vëzhgon prej kohësh situatën në këtë vend dhe e di diskriminimin që iu bëhet Rohingyave. "Besoj se ata do t'i djegin të gjithë fshatrat, njëri pas tjetrit"-

Sipas qeverisë për vënien e zjarrit bëhet përgjegjëse organizata Arsa, që sulmoi në tetor 2016 një qendër policie. Arsa kërkon "Shtet Islamik" në veriun ku banon pakica Rohingya, tha këshilltari i sigurisë kombëtare para diplomatëve,Thauung Tun. Por Arsa argumenton, se ajo kërkon rivendosjen e të drejtave të myslimanëve dhe i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë. Gjendja në vend është e paqartë.

Rohingyat janë parë prej kohësh në Birmaninë e dikurshme si imigrantë ilegalë nga Bangladeshi dhe jo si vendas, edhe kur ata jetojnë prej disa gjeneratash në këtë vend. Rreth 1 milionë prej tyre jetojnë në Rakhine, por nuk mund të lëvizin të lirë dhe nuk kanë të drejtë shkollimi.

 

 

la/(dpa, rtr)