1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhunë dhe protesta në Siri megjithë misionin vëzhgues

Opozita në Siri shprehet se dhuna dhe gjakderdhja në Siri kanë vazhduar edhe pas ardhjes së misionit vëzhgues të Ligës Arabe. Këto ditë janë vrarë 100 vetë, njoftojnë aktivistë të të drejtave të njeriut.

Foto e një dritare të qëlluar

Vrasjet dhe dhuna vazhdojnë. Foto e një dritareje të qëlluar

Pas lutjes së ditës së premte, qindra mijëra besimtarë dolën në protesta kundër dhunës së regjimit të presidentit Assad. Ata i dëshmojnë me këtë vëzhguesve të Ligës Arabe se në këtë vend nuk ka pushuar dhuna e regjimit. Pritjet nga ky mision pas tre ditëve të para nuk janë realizuar, por aktivistët e pranojnë se ky mision vëzhgues është shpëtimi i vetëm i mundshëm.

Protestat s'kanë të ndalur...

Protestat s'kanë të ndalur...

Ekipet vëzhguese planifikojnë të vizitojnë qytetet tjera të rezistencës kundër dhunës së shtetit: Hama, ku babai i Assadit në vitin 1982 ka urdhëruar që forcat e sigurisë të qëllojnë kundër Vëllazërisë Myslimanë, ku si pasojë u vranë rreth 30.000 persona; Dera, në Jug të Sirisë, ku në pranverë ka filluar kryengritja kundër Assadit dhe Idlib, në kufi të Sirisë me Turqinë.

Jeta si refugjat

31 vjeçari Mustafa, i cili ka ikur nga ky qytet në Jordani para disa ditësh, shpjegon: „Këtu mund të marrë frymë lirisht, sepse jashtë nuk ndodh asgjë. Në Idlib pas orës 15.30 nuk guxon të dalësh në derë. Të gjithë kanë frikë, mbeten brenda dhe shpresojnë rrëzimin e Assadit.“

Katër shokë të tij janë vrarë, shton Mustafa. Vdekjet në Siri vazhdojnë, megjithë misionin e vëzhguesve të Ligës Arabe. Vetëm të enjten janë vrarë 25 persona, thonë opozitarët. Këto të dhëna nuk mund të konfirmohen, por fakt është që forcat e sigurisë kanë qëlluar ndaj protestuesve dhe dezertorëve. Ndonëse komandanti i të ashtuquajturës "Armata Siriane e Lirisë" pohon se prej vendosjes së misionit të vëzhguesve kanë pushuar edhe sulmet e forcave të sigurisë.

Vrasjet e paskrupullta

„Gjatë sulmeve armata po i shkatërron dyqanet e mbyllura. Ajo i detyron pronarët t'i hapin ato. Në qoftë se refuzojnë, ata i vrasin", thotë ai. Udhëheqësi i misionit të vëzhguesve thotë se lëvizja e protestave nuk shpreson në ndryshime. Banorë e atjeshëm nuk guxojnë të flasin me vëzhguesit, sepse tërë kohën ata përcillen proj forcave të sigurisë.

...në Homs gjendja shkallëzohet shpesh

...në Homs gjendja shkallëzohet shpesh

Misioni, i cili ende nuk ka arritur shifrën e parashikuar prej 150 vëzhguesish, është tepër i vogël. Brenda vetëm një muaji, ai duhet të shikojë gjendjen në një vend prej 23 milionë banorësh. Madhësia e Sirisë është sa gjysma e Gjermanisë, ndërkohë që disa rajone janë të zhytura në luftë qytetare. Ata duhet të analizojnë gjendjen në këto kushte, të mundësojnë ndaljen e dhunës dhe të mbikqyrin lirimin e të burgosurve politikë. Por askush nuk beson se ata me të vërtetë mund të mbrojnë njerëzit në Siri.

Duam paqë dhe liri

Për refugjatët si Mustafa, apo e si e veja Umm Wisam nga Homsi, një gjë është shumë e qartë: në këto kushte ata nuk do të kthehen në Siri. „Ne duam siguri dhe paqe, një jetë pa frikë. Ne nuk e duam këtë regjim. Po flas në emër të grave në Siri dhe 1.500 familjeve refugjate këtu në Jordani. Ne i themi jo këtij regjimi, edhe po të na garantonte siguri. Ne i themi jo!", pohon ajo.

Autor: Ulrich Leidholdt/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi