1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhjetra-mijëra vetë demonstrojnë në Bangkok kundër qeverisë tajlandeze

Sipas të dhënave të policisë në protetstat e fundjavës morën pjesë deri në 30.000 kundërshtarë të qeverisë. Kjo ishte protesta më e madhe qysh prej demonstratave të dhunshme në fillim të prillit.

Demonstrues me këmisha të kuqe, simpatizantë të Taksinit të mbledhur në Bangkok

Këmishëkuqtë, simpatizantët e Taksinit, kërkojnë shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja

Ish-kryeministri Taksin Shinavatra, i cili u rrëzua me puç ushtarak në shtator 2006, iu drejtua me një mesazh telefonik demonstruesve me këmisha të kuqe, simpatizantë të tij të mbledhur në Bangkok, dhe u bëri thirrje që të vazhdojnë protestat kundër qeverisë. Biznesmeni miliarder i dënuar me dy vjet heqje lire për shpërdorim posti jeton qysh prej rrëzimit nga pushteti para gati tri vjetësh në emigracion, aktualisht mendohet se gjendet në Dubai. Demonstrata u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Mijëra policë dhe ushtarë ishin mobilizuar. Në kuartierin qeveritar, që është pushtuar vazhdimisht gjatë protetstave të mëparshme, ishte vendosur ndalim demonstrimi.

Këmishëkuqtë nuk e njohin legjitimitetin e kryeministrit Vezhaajiva

Simpatizantët e Taksinit kërkojnë shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja. Partia e zgjedhur prej tyre dhjetorin e vitit të kaluar është shpërndarë me vendim gjyqi. Pas kësaj kryetari i partisë demokratike u bë kryeministër, megjithatë këmishëkuqtë nuk e njohin legjitimitetin e kryeministrit Abhisit Vezhaajiva. Jatuporn Prompan, një ndër drejtuesit e këmishkuqve, deklaroi se javët e ardhëshme do të ketë një seri demonstratash: "Ne duam që qeveria të shpërndajë parlamentin, kjo është kërkesa kryesore e manifestimit tonë. Radhën tjetër ne do të përqëndrohemi tek dorëheqja e kryeministrit Abhisit Vezhajiva.“

Vezhaajiva: Në rast se shkelen ligjet, do të ndërhyjmë ashpër

Kryeministri i refuzon zgjedhjet e reja në këtë moment. Ai i bëri thirrje Taksin-it që të kthehet në Tajlandë dhe të vuajë dënimin e shqiptuar kundër tij. Nëse protestat kundër qeverisë do të përshkallëzojnë në dhunë, Abhisit deklaroi se do të ketë ndërhyje të ashpër. Për të ardhmen ai e përjashtoi mundësinë e pushtimi të aerportit prej simpatizantëve të qeverisë aktuale, si ndodhi nëntorin e vitit të kaluar. "Për aeroportin janë vënë në fuqi masa më të forta sigurie. Por më e rëndësishmja është, që ne do të përpiqemi t'i bindim të gjitha palët, që të ushtrojnë të drejtën e demonstrimit konform kushtetutës dhe brenda kuadrit ligjor. Në rast se shkelen ligjet, ashtu siç ndodhi në prill, atëherë do të ndërhyjmë ashpër. Sigurisht protesta do të ketë edhe më tej, por ne do të garantojmë, që të respektohet ligji dhe kushtetuta.“

Në prill në Bangkok pati protetsta të dhunshme të këmishëkuqve, ku si pasojë pati edhe të vdekur e të plagosur.

Autore: Bernd Musch Borowska/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 29.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IdGc
  • Data 29.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IdGc