1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dhjetëra mijëra vetë sërish në rrugë për në Evropë

Numri i refugjatëve, që hyjnë në BE përmes Greqisë, po ecën drejt një pike të re kulmore. Austria po mendon që t'i mbyllë kufijtë e saj. Qeveri evropianolindore kërkojnë reagim më të ashpër.

Megjithë dimrin, një numër i madh refugjatësh përpiqen që të vijnë përmes Detit Egje në Bashkimin Evropian. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM) beson se "numri i të ardhurve përmes detit në Greqi mund ta kalojë së tepërmi rekordin prej 853.650 vetë nga viti 2015".

Shkas për prognozën janë të dhëna aktuale, të cilat i ka publikuar tani IOM. Në bazë të kësaj, që prej fillimit të vitit, në ishujt grekë kanë mbërritur tashmë 31.244 refugjatë. Si krahasim: para një viti, në janar 2015, sipas të dhënave të IOM ishin vetëm 1472 vetë.

"Ky është një hop i madh në shtimin e refugjatëve", tha zëdhënësi i IOM, Itayi Viriri dhe shtoi se kjo nuk premton asgjë të mirë për vazhdimin e vitit. Rreth 90 përqind e refugjatëve që mbërrijnë tani vijnë nga shtete si Siria, Iraku dhe Afganistani. Dhe shumë vetë ende humbasin jetën e tyre në udhëtimin përmes detit. Në tri javët e para të vitit, IOM regjistroi gjithsej 77 raste vdekjeje.

Ministri i Jashtëm austriak Kunz: "efekt dominoje brenda BE"

Shumica e atyre që mbërrijnë në bregun shpëtimtar të BE në Egje nuk qendrojnë në Greqi. Thuajse të gjithë me sa duket vazhdojnë rrugën në itinerarin ballkanik në drejtim të Evropës Perëndimore. IOM u referohet shifrave të policisë greke. Në bazë të tyre, në janar kufirin verior për në vendin fqinj Maqedoninë e kaluan 31.000 vetë.

Për ta frenuar vërshimin e refugjatëve, me sa duket edhe qeveria e Austrisë po mendon që t'i mbyllë kufijtë e vendit. "Për ne në Austri është e qartë, që situata e vitit të kaluar nuk mund të përsëritet njësoj edhe në vitin 2016", tha Ministri i Jashtëm Sebastian Kurz i intervistuar nga ZDF. Po të nisin tani shtetet që t'i mbyllin kufijtë e tyre ose të caktojnë kufi maksimalë për pranimin e refugjatëve, kjo do të kishte si pasojë një lloj efekti domino brenda Bashkimit Evropian, tha politikani i Partisë konservatore Popullore Austriake (ÖVP). "Kjo ndoshta do të ishte një shtysë për një zgjidhje evropiane".

Përparime dhe kërkesa

Ministrat e brendshëm të të ashtuquajturave shtete të Vishegradit, pra të Polonisë, Çekisë, Hungarisë dhe Sllovakisë janë shprehur për një angazhim më të fortë në kufijtë e jashtëm të BE. Hotspot-et e planifikuara në Itali dhe në Greqi duhet të funksionojnë si "institucione internimi", kërkoi në Pragë ministri i Brendshëm çek, Milan Chovanec. "Pra si institucione, të cilat e kufizojnë lirinë e lëvizjes së refugjatëve, deri sa ata të jenë verifikuar," shtoi socialdemokrati. Ministri i Brendshëm sllovak, Robert Kalinak kërkoi në emër të grupit të të katërve një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE si dhe një "politikë të mirë, të shpejtë dhe efektive të kthimit. Së bashku, shtetet e Vishegradit e kundërshtojnë një mekanizëm të rishpërndarjes së refugjatëve në të gjitha shtetet e BE.