1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dhjetëra mijëra vetë kërkojnë zgjedhje të reja në Serbi

Pakënaqësia e serbëve me qeverinë e tyre po shtohet. Dhjetëra mijëra vetë dolën për këtë arsye sërish në rrugë. Ata e akuzojnë qeverinë për korrupsion. Ekonomia është e dobët, papunësia në rritje.

default

Dhjetëra mijëra vetë në Beograd kërkojnë zgjedhje të reja në vend.

"Serbia nuk e duron më regjimin e hajdutëve, që vjedh të gjithë vendin“ - kjo ishte thirrja e Aleksandar Vucicit nga Partia Nacionaliste e Përparimit. Dhjetëra mijëra vetë nga i gjithë vendi kishin ardhur në Beograd të shtunën (16.04.2011), për të demonstruar kundër qeverisë. Në protestat në „ditën e ndryshimit“ vlerësohet se morën pjesë 70.000 vetë. Ata kërkojnë zgjedhje të reja më 18 dhjetor.

Por qeveria nën drejtimin e presidentit Boris Tadic deri tani nuk ka lëshuar pe. Zgjedhjet e rregullta duhet të zhvillohen në Serbi në vitin 2012. Tadic pranon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi BE të ketë vendosur për pranimin e Serbisë në Union, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë para fundit të vitit.

Serbien Belgrad Opposition Demonstration

Mbështetës të Partisë së Përparimit në opozitë protestojnë në demonstrimin e madh të opozitës në Beograd. 16.04.2011.

Opozita nuk dorëzohet

Ky nuk ishte demonstrimi i parë masiv me të cilin opozita synon të arrijë ndryshimin. Në muajin shkurt dhjetëra mijëra aktivistë dhe opozitarë dolën në rrugë për të protestuar. Ata kërkonin të shfrytëzonin për arritjen e objektivave të tyre atmosferën e revolucionit që krijuan ndryshimet politike në Tunizi dhe Egjipt, por deri tani pa sukses.

Lideri i opozitës serbe Tomislav Nikolic iu drejtua edhe mjeteve të tjera për të shtuar trysninë ndaj Tadicit dhe kabinetit të tij: ai ka hyrë në grevë urie. Nikolic ka thënë se do të ndërpresë grevën vetëm nëse merret vendimi për zgjedhje të reja. Duke iu drejtuar presidentit, politikani opozitar tha: „nëse mua më ndodh diçka e ekqe, ai duhet të shpallë zgjedhje të reja.“ Edhe protestat paqësore do të vazhdojnë.

Në sondazhe partia SNS ndodhet para Partisë Demokratike në pushtet të Boris Tadicit. Kjo e fundit demonstroi forcën e saj me një prani të madhe policësh dhe njësish antiterror gjatë demonstrimit. Por mbështetja në popullsi po ulet vazhdimisht. Përballë papunësisë në rritje, tashmë në nivelin 27%, dhe pagave në rënie, shumë serbë e akuzojnë qeverinë se nuk bën asgjë.

Zehntausende fordern Neuwahlen in Belgrad

Opozita ka mbështetje të fortë në popull.

Quo vadis Serbi?

Ashtu si shumë vende të Evropës edhe Serbia është goditur rëndë nga kriza ekonomike mbarëbotërore. Por ekspertët nuk i shohin problemet e vendit vetëm tek kriza ekonomike. Edhe ekonomia ilegale dhe korrupsioni lulëzojnë, para së gjithash në politikë. Organizata joqeveritare Transparency International e radhiti Serbinë në vendin e 78 nga 178 vende në indeksin ndërkombëtar të korrupsionit 2010. Ajo flet për korrupsion sistematik, pasi zyrtarët kanë hapësirë të madhe në interpretimin e ligjeve dhe rregullave. Kjo favorizon abuzimet.

Presidenti Tadic synon ta fusë Serbinë në BE. Qeveria serbe paraqiti një kërkesë për anëtarësim në dhjetor 2009. Por njohësit e BE-së mendojnë se rruga e Serbisë deri në anëtarësim do të jetë e gjatë, dhe jo vetëm për shkak të krizës ekonomike. Beogradi nuk e njeh ende Kosovën shtet. Edhe bashkëpunimi me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi nuk është optimal: përpjekjet për dorëzimin e ish-kriminelëve të luftës nga koha e luftës në vitet '90, si Ratko Mladic, duket se kanë ngecur në vend.

Autor: Nicole Scherschun (afp, dpa, dapd) / E.Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj