1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetë vjet Pakt Stabiliteti për Evropën Juglindore

11 Qershor 2009

Para dhjetë vitesh (30 korrik 1999) u themelua në Këln Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Pakti është zëvendësuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal në EJL, me seli në Sarajevë.

https://p.dw.com/p/I6tW
Hido Bishçeviq, Sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në EJL
Hido Bishçeviq, Sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në EJLFotografi: FENA

Pas përfundimit të luftës në Jugosllavi në vitet e 90-të si dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në ish-Republikën Federative të Jugosllavisë, bashkësia ndërkombëtare provoi të gjejë një instrument përmes së cilit do të forconte zhvillimin ekonomik dhe demokratik në tërë rajonin e Evropës Juglindore. Veç kësaj synohej thellimi i bashkëpunimit në rajon. Prej shkurtit 2008 Pakti i Stabilitetit është zëvendësuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal në EJL, me seli në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Orkestra Simfonike e Evropës Juglindore jep koncert në Sarajevë. maj 2009.
Orkestra Simfonike e Evropës Juglindore jep koncert në Sarajevë, maj 2009.Fotografi: DW / Ljiljana Pirolic

Në kohën e themelimit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, nuk ekzistonte ndonjë bashkëpunim i gjithanshëm institucional mes vendeve në rajon - as mes tyre dhe Bashkimit Evropian. Krijimi i kësaj strukture dhe zhvillimi i saj, ishte detyra e parë dhe më e rëndësishmja e Paktit. Kjo punë ishte e suksesshme, thotë Hido Bishçeviq, Sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në EJL: "Këmbëngulja e bashkësisë ndërkombëtare pati rezultat: U krijuan kushtet që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë për bashkëpunim. Në këtë mënyrë, para dy vitesh u themelua Këshilli për Bashkëpunim Rajonal".

Trashëgimia historike është edhe sot barrë për marrëdhëniet në mes të disa vendeve në rajon dhe shumë çështje kanë mbetur të hapura ende. Megjithatë vërehen edhe përparime, thekson Bishçeviq: "Rajoni po zhvillohet. Ai është përfshirë nga një lloj i ri i përgjegjësie dhe i pjekurie politike. Edhe për çështje të vështira si për shembull statusin e Kosovës, mund të diskutohej pa rrezikuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, jo siç ka ndodhur në vitet e 90-të".

Pakti i Stabilitetit ishte shumë i suksesshëm për thellimin e bashkëpunimit në këtë pjesë të Evropës, thotë Aida Beshiq nga zyra e Sarajevës e misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Detyrë e Këshillit aktual të Bashkëpunimit është vazhdimi i bashkëpunimit dhe mbështetja e këtyre vendeve në rrugë drejt afrimit me Bashkimin Evropian: "Si Këshilli për bashkëpunim ashtu dhe OSBE, do të mbështesin edhe më tej këtë bashkëpunim. Demokratizimi dhe forcimi i shtetit ligjor vazhdojnë të jenë si edhe më parë priroritet tona".

Takim i ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore
Takim i ministrave të Mbrojtjes të Evropës JuglindoreFotografi: MIA


Pakti i Stabilitetit ishte para dhjetë vitesh një përpjekje që problemet evropiane të zgjidhen me forcat evropiane. Themelues të Paktit ishin 28 shtete dhe 16 organizata ndërkombëtare. Hapat e parë janë hedhur në drejtimin e duhur. Tani Këshilli për Bashkëpunim Rajonal duhet të vazhdojë këtë proces dhe kjo është një detyrë e vështirë si për vendet e Evropës Juglindore ashtu dhe për Bashkimin Evropian.

Autor : Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama