1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Deutsche Bank nën akuzë për evazion fiskal

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Frankfurt tha se po hetohet për evazion të rëndë fiskal, pastrim parash dhe tentativë për të fshehur gjurmët dhe për të penguar organet e drejtësisë.

Për shkak të dyshimeve për mashtrim me taksat hetuesia gjermane kontrolloi të mërkurën (12.12)  zyrat e Deutsche Bank në Frankfurt. Sipas njoftimeve të Deutsche Bank hetime po zhvillohen gjithashtu ndaj Jürgen Fitschen dhe Stefan Krause, anëtarë të bordit të kryesisë së kësaj banke.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm në kontrollin dhe bastisjet e zyrave të bankës në Frankfurt, si edhe shtëpitë e disa punonjësve dhe zyrat e kësaj banke në Berlin dhe Düsseldorf qenë angazhuar rreth 500 policë dhe hetues. Hetimet drejtohen ndaj 25 punonjësve të Deutsche Bank.

Dyshohet se stafi i bankës ka fshehur provat dhe nuk ka bërë padi për dyshime për pastrim parash, tha Prokurori i Përgjithshëm. Kundër pesë punonjësve është lëshuar urdhër arresti me akuzën për pastrim parash ose tentativë për të fshehur gjurmët dhe për të penguar organet e drejtësisë.

Deutsche Bank tha se bastisja lidhej me hetime që po zhvillohen për mashtrim në tregtimin e emetimeve të CO2. "Deutsche Bank është duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet," tha një zëdhënës i bankës. Hetimet për dyshimin për mashtrim tatimor kanë nisur që nga pranvera e viti 2010. 

Në dhjetor 2011, Gjykata e Frankfurtit dënoi gjashtë të pandehur me burgim, sepse ata kishin blerë pa TVSH certifikata për emetimin e CO2 dhe i kishin shitur pastaj lirë duke kërkuar nga organet tatimore gjermane ribursimin e TVSH. Në këtë mënyrë ata kanë bërë evazion fiskal prej 300 milionë euro. Pas këtij procesi hetimet u zgjeruan edhe ndaj njëqind të dyshuarve të tjerë.

Ndaj Jürgen Fitschen, bashkë-presidentit të Deutsche Bank, dhe anëtarët të bordit Krause, po hetohet sepse ata kanë nënshkruar deklaratën e taksave të bankës për vitin 2009, njoftoi Deutsche Bank. Sipas bankës ajo e kishte korrigjuar më pas këtë deklaratë brenda afatit të duhur, por prokuroria mendon ndryshe. Deutsche Bank ka pushuar ndërkohë nga puna disa punonjës të saj që ishin përzier në skandalin me shitjen e certifikatave të emetimeve të CO2.

Certifikatat e emetimeve të CO2 synojnë të nxisin mbrojtjen e klimës në Bashkimin Evropian. Ato i lejojnë një kompanie që të lëshojë një sasi të caktuar të dioksidit të karbonit (CO2). Në rast se një kompani emeton më pak CO2 se sa i është caktuar, atëherë  jo mund t'i shesë të drejtat për ndotjen tek të tjerët në formën e certifikatave.